Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet nga institucionet të ndërmerren masa për uljen e çmimeve

Çmimet

Foto: Ilustrim

Ekspertët ekonomikë kanë vlerësuar se inflacioni prej 7.1 për qind në Kosovë po rëndon veçanërisht qytetarët me të ardhura të ulëta, duke kërkuar nga institucionet ndërmarrjen e masave për zbutjen e ndikimit të tij në jetesën e qytetarëve dhe në ekonominë e vendit.

Ata kanë identifikuar varësinë e lartë nga importi, kostot e energjisë elektrike dhe transportit, si dhe mungesën e mbikëqyrjes së tregut si faktorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve.

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për Ekonomia Online se kjo normë është shqetësuese, sidomos për qytetarët që varen nga pagat dhe të ardhurat e ulëta, duke theksuar se institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për ta frenuar rritjen e çmimeve.

“Sigurisht norma e inflacionit e publikuar nga Agjencia e Statistikave është shqetësuese për qytetarët e Kosovës, sidomos për kategori që varen prej buxhetit të Republikës së Kosovës, apo që marrin paga në nivelin që aktualisht ka. Një normë kaq e madhe, ose dyfishimi në raport me rajonin, për mendimin tim, është shqetësues sepse sigurisht që ndikohet jashtëzakonisht shumë tek qytetarët të cilët kanë të ardhura të vogla. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin hapa të duhur, në mënyrë që të ulin këtë inflacion, i cili po ndikon në jetesën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas Beqirit, një tjetër faktor që ndikon në rritjen e çmimeve është mungesa e mbikëqyrjes së tregut, pasi, siç tha ai, Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka bordin e kompletuar dhe nuk i raporton Kuvendit.

Edhe Inflacioni 7.8% në shtator, ekonomistët kërkojnë masa urgjente për qytetarët dhe bizneset Ekonomi Inflacioni 7.8% në shtator, ekonomistët kërkojnë masa urgjente për qytetarët dhe bizneset

“Pastaj është mosmbikëqyrja e tregut, siç është agjencia, e cila mbikëqyr tregun e konkurrencës. Tashmë siç dihet nuk i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka bordin e kompletuar dhe për rrjedhojë shumë tregtarë të pandërgjegjshëm po e shfrytëzojnë situatën dhe po i ngrisin çmimet në mungesë të një mbikëqyrje institucionale, siç është Autoriteti i Konkurrencës, i cili pothuajse tashmë as Kuvendit të Republikës nuk i raporton. Pra janë disa faktorë të cilët ndikojnë drejtpërdrejt dhe këta faktorë do duhet që të parandalohen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Beqiri ka veçuar edhe koston e energjisë elektrike dhe transportit si faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se inflacioni nuk duhet të trajtohet vetëm si shifër statistikore, por edhe përmes ndikimit që ka në jetën e përditshme.

“Brenga ime më e madhe është fakti se si duket në Kosovë statistikat japin rezultate të sakta. Duhet të kuptohet që inflacioni nuk është vetëm një shifër apo një numër, por është ajo çka e përjeton dhe si ndikon te qytetarët dhe te ekonomia. Kosova sot është një shtet i varur nga importi. Kosova sot definitivisht parametrat ekonomik i ka në një stad jo të lakmueshme, prandaj vetë fakti që në vend që të jemi një shoqëri eksportuese apo të kemi prodhim dhe të jemi eksportues, ne jemi një shtet i varur nga importi dhe kjo varshmëri nga importi është duke e ngulfatur ekonominë e Kosovës”, deklaroi ai.

Edhe Çmimet e konsumit rriten për 7.8%, qytetarët kërkojnë masa nga Qeveria Ekonomi Çmimet e konsumit rriten për 7.8%, qytetarët kërkojnë masa nga Qeveria

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në tetor 2026 ishte 7.1 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Në shtator, kjo normë kishte arritur në 7.8 për qind.

Sipas të dhënave të ASK-së për tetorin 2026, rritja vjetore e çmimeve në transport ishte 21.5 për qind, ndërsa në kategorinë e strehimit, ujit, energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse 9.7 për qind. Rritje u regjistrua edhe te pijet alkoolike dhe duhani, me 5 për qind, si dhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit, me 4.5 për qind. /EO