Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se çmimet e konsumit në muajin maj ishin 6.8 për qind më të larta se një vit më parë, me rritje të theksuar te transporti, energjia dhe shërbimet bazë. Qytetarët ankohen se shtrenjtimi i përditshëm po ua vështirëson jetesën, e njohësit e ekonomisë vlerësojnë se masat e deritanishme nuk kanë arritur ta zbusin situatën
Çmimet e konsumit kanë shënuar rritje prej 6.8 për qind në muajin maj krahasuar me majin e vitit të kaluar, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas këtij institucioni, inflacioni më i lartë ishte në transport, strehim, ujë, energji, gaz e lëndë të tjera djegëse.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,8% krahasuar me muajin maj 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (14,1%), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (13,2%), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,6%), restorante dhe shërbime akomodimi (5,3%), ushqime dhe pije joalkoolike (5,1%), shëndetësi (4,1%), mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,6%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,0%), rekreacion, sport dhe kulturë (2,7%), veshje dhe këpucë (2,4%) dhe informacion dhe komunikim (0,2%). Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin: shërbimet arsimore (-0,6%)”, thuhet në njoftim”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
E qytetarët ankohen se rritja e çmimeve po ua vështirëson çdo ditë e më shumë jetesën.
“Përkundër propagandës se ekonomia e Kosovës po rritet, kjo është e kundërta sepse çmimet në vazhdimësi rriten. Bile, në pesë vjetët e fundit, shembull po e marr, një bukë e kemi ble me 30 centë tash e blejmë me 60 centë. Pra, çmimet janë dyfishu. E rritja e fundit e rëndon jetën e qytetarëve të Kosovës. Në krahasim me të ardhurat në rroga e pensione, është e trishtueshme rritja e çmimeve”, ka thënë një qytetar në Prishtinë.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, vlerëson se një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në inflacion është shtrenjtimi i derivateve të naftës.
“Shkaku kryesor i inflacionit është ndryshimi i çmimit të naftës po ashtu edhe i energjisë dhe shërbimeve komunale. Këta janë faktorët kyç që kanë qenë si indikatorë të cilët kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Fatkeqësisht qeveria nuk ka ndërmarrë masat e duhura përveç kufizimit të fitimit nuk ka marrë masa të tjera për lirimin e çmimit të naftës dhe derivateve, me të cilën mund të stopohet kjo rritje e çmimeve”, ka thënë Qerimi.
Sipas tij, masat e deritanishme të qeverisë nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë për përballimin e inflacionit.
“Qeveria ka ndërmarrë disa masa në stimulimin e disa familjeve me 100 euro e që ka qenë njëherë e bëme. Mendoj që kjo masë nuk është afatgjate, por vetëm afatshkurt. Kur e shohim që ishim në një periudhë parazgjedhore, kjo më tepër është bërë për ndikim në zgjedhje se sa në zgjidhje e problemit të inflacionit”, ka thënë Qerimi. “Inflacioni duhet të trajtohet në mënyrë të qëndrueshme dhe efekte afatgjata, jo në një mbulesë të një shume të caktuar qoftë edhe nëse kish me qenë më e madhe, nuk është përballim i krizës”.
Masa e qeverisë, ndër të tjera, parasheh pagesë prej 100 eurosh për të punësuarit në sektorin privat, e që kanë pagë mujore më të vogël se 1000 euro. Sipas zyrtarëve qeveritarë, ata duhet të aplikojnë për këtë shumë.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i është drejtuar zyrtarisht kryeministrit në detyrë dhe Ministrisë në detyrë të Financave, duke kërkuar sqarime lidhur me afatet e ekzekutimit të pagesës prej 100 eurosh të paraparë në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Në kërkesën e Azemit thuhet se pas miratimit të pakos nga Qeveria, sindikata ka pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa për sqarime nga punëtorët lidhur me kohën e realizimit të kësaj mbështetjeje financiare.
“Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, pas miratimit të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa për sqarim nga punëtorët lidhur me kohën e realizimit të pagesës prej 100 eurove të parapara me këtë pako”, thuhet në kërkesë.
Azemi ka kërkuar që institucionet të informojnë publikun dhe përfituesit për afatet e ekzekutimit të kësaj mbështetjeje financiare.
Në një lidhje direkte për emisionin “tre8tre” në KTV, Azemi ka thënë se dyshon që mjetet nuk do të dalin.
“Po shihet që këto ndarje simbolike qesharake janë bërë para zgjedhjeve. Ju e dini që në fakt për të ndarë mjetet, sidomos pensionistëve dhe fëmijëve, çdo 10 minuta japin lajme se tani u mor vendimi... Unë kam një frikë timen, meqë zgjedhjet tani kanë përfunduar, jemi në ditën e tretë pas zgjedhjeve dhe asnjë lajm, asnjë informim se kur do të ndahen këto mjete”, ka thënë ai. “Kam të drejtën e dyshimit se ndoshta edhe nuk do të ndahen fare dhe në formë publike bëra një kërkesë, duke qenë i shtyrë nga punëtorët, me pyetjen se kur do të ndahen mjetet për punëtorët e sektorit privat”.
Krahas punëtorëve të sektorit privat, me nga 100 euro janë mbështetur edhe pensionistët e fëmijët.
Ajo u mor në prag të zgjedhjeve, me arsyetimin për ta përballuar qytetarët krizën me çmimet.
Në prill inflacioni ishte edhe më i madh së në maj, 7.5 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të shkuar.