Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Muçi: Pas rezultatit të zgjedhjeve në Serbi, Rama mbetet autokrati i fundit në Ballkan

Redi Muçi

Deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, Redi Muçi ka thënë se pas rezultatit të zgjedhjeve në Serbi, duke iu referuar rënies së pushtetit mbi një dekadë të Aleksandar Vuçiqit në krye të Serbisë, autokrati i fundit në Ballkanin Perëndimor ka mbetur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Muçi është shprehur se alternativa e vetme për t’i dhënë fund pushtetit të tij janë protestat në rrugë.

“Përceptimi i protestuesve është se nuk ka rrugë tjetër. Rama nga shumëkush cilësohet si autokrati i fundit i Ballkanit, prej natës së mbrëmshme. Pas rezultatit të zgjedhjeve në Serbi është pikërisht autokrati i fundit që ka ngelur në Ballkan. Tashmë duket se alternativa e vetme është pikërisht revolta në rrugë. Te protestuesit ekziston qartazi ende bindja se do të sjell rezultate për zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Muçi.

Në dy ditët e fundit në Shqipëri, protestat janë zhvilluar me më pak incidente krahasuar me ditët e tjera kur situata përshkallëzohej.

Për këtë Muçi ka thënë se nuk do mund të kthehet situata në normalitet dhe të vazhdohet qeverisja atje sikurse para protestave.

“Bindja ime është që asnjëherë nuk mund të kthehemi në një lloj normaliteti të para nisjes së këtyre protestave. Herë pas herë do të kemi konfrontime dhe përplasje të tilla që besoj se e bëjnë të pamundur qeverisjen si dikur në Shqipëri”, ka thënë Muçi në “Interaktiv”.

Edhe Koci për protestat: Po shihet fundi i Ramës Arbëri Koci për protestat: Po shihet fundi i Ramës

Tutje deputeti Muçi ka thënë se janë shumë arsye pse protestuesit po e kërkojnë dorëheqjen e Ramës, ndër to edhe që njerëz të tij janë të lidhur me krimin në Shqipëri.

“Si do të reagonte populli i Kosovës nëse do të kishte përballë një kryeministër të cilit dy prej zëvendëskryeminstrave të tij, njëri është në arrati dhe tjetra (Balluku) është e akuzuar për nëntë akuza ndaj korrupsionit dhe të cilës ende nuk i është hequr imuniteti sepse është deputete e Kuvendit. Ish-ministrja e Brendshme Olta Xhaqka është nën hetim nga SPAK-u, ish-ministri i Shëndetësisë është nën hetim nga SPAK-u. E kemi pastaj kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajn, imagjinoni sikur kryetari i Bashkisë së Prishtinës të jetë në burg dhe të qeverisë nga burgu. Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit është i akuzuar për lidhje me krimin, ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ është e lidhur me krimin”, ka deklaruar Muçi.

Tash e dy javë në Shqipëri po zhvillohen protesta të dhunshme dhe me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit, Edi Rama. Ky i fundit ka refuzuar ta bëjë një gjë tillë ndërsa për çdo ditë vendosë karrige për dialog para Kryministrisë. Që të gjitha janë demoluar nga protestuesit.