LAJMET E MBRËMJES

Hapet rrugë për kthimin e transportuesve urbanë në Prishtinë

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka hapur rrugë të enjten për rikthimin e shërbimit të transportuesve urbanë në kryeqytet, duke e votuar bartjen e mjeteve vetjake në vlerë prej 28 milionë eurosh nga viti 2024 në vitin 2025. Kjo u bë e mundur në seancën e jashtëzakonshme, në të cilën përfaqësues të partive politike adresuan akuza ndaj njëra-tjetrës për situatën e krijuar. E me gjithë miratimin e bartjes së mjeteve, përfaqësues të transportuesve publikë kanë thënë për KOHËN se rifillimi i ofrimit të shërbimeve do të ndodhë vetëm pasi që Komuna e Prishtinës e bën ekzekutimin e mjeteve që ia ka borxh ndërmarrjes

Me 38 vota për, asnjë kundër dhe me një abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka miratuar gjatë seancës së jashtëzakonshme të enjten bartjen e mjeteve vetjake nga viti 2024 në vitin 2025.

Votimi për bartjen e mjeteve financiare në vlerë prej 28 milionë eurosh do t’i hapë rrugë ekzekutimit të pagesave për fatura të pashlyera të Komunës së Prishtinës, si dhe pritet që t’i japë fund grevës së nisur që prej katër ditësh nga përfaqësues të ndërmarrjes “Trafiku Urban” dhe të atyre të transportit privat.

Seanca e Kuvendit Komunal është thirrur pasi që qytetarë të Prishtinës janë përballur me mungesë të transportit publik, shkaku i protestës së transportuesve.

E pas tyre, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se fondet e miratuara do të përdoren për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike, për pagat e punëtorëve si dhe për shërbime të tjera bazike.

“Kërkoj publikisht që edhe fondet prej 35 milionë eurove, 25 të hyra vetjake dhe 10 milionë grante qeveritare, që kërkojnë vetëm vullnetin e ministrit, t’i jepen kryeqytetit. Ju falënderoj për përgjegjësinë për të qenë sot këtu”, ka theksuar ai gjatë seancës.

Me gjithë që partitë politike janë bërë bashkë për ta kaluar pikën e parë të rendit të ditës së seancës, asamblistë të tyre janë përfshirë në debat të tensionuar dhe në akuza lidhur me situatën e krijuar.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Gëzim Sveçla, e ka akuzuar qeverisjen e kryetarit Rama për krizën e shkaktuar.

“Vetë fakti që jemi këtu është dëshmi e marrëzisë së qeverisjes së Përparim Ramës. Për muaj të tërë ka akuzuar dhe ka ulëritur duke e akuzuar Qeverinë. Vetëm kur qyteti u bllokua nga autobusët e nga protestat, e kuptoi që zgjidhja nuk bëhet në debate televizive”, është shprehur ai.

Akuza asamblisti i LVV-së, Ermal Osmani, i ka drejtuar edhe Partisë Demokratike (PDK), kur i ka ndërhyrë në fjalim shefit të grupit të asamblistëve të këtij subjekti, Leutrim Retkoceri.

E fjalimi i asamblistes nga radhët e Listës Guxo, Triera Kasumi, nuk u ka pëlqyer kolegëve të saj nga Lidhja Demokratike (LDK).

“Unë vij nga një familje aktiviste e LDK-së, babai im ka qenë për LDK-në. Më vjen keq për juve ku keni ra”, ka thënë ajo tek është drejtuar nga përfaqësuesit e LDK-së, të cilët gjatë gjithë kohës i kanë ndërhyrë në fjalim.

Pas votimit, kryetari Rama ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që sa më parë ta jetësojë bartjen e mjeteve të miratuara. Në këtë kërkesë Ramës i ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Sot asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetjake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra, atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike. Sepse, siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet”, ka shkruar Murati në Facebook.

Pika e dytë e rendit të ditës, ajo për miratimin e buxhetit për vitin 2026, është bartur për një seancë tjetër kur në Kuvend Komunal të zënë vend asamblistët e certifikuar që janë zgjedhur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

E megjithëqë është miratuar kalimi i mjeteve vetjake të Komunës së Prishtinës nga 2024 në 2025, protesta e transportuesve urbanë nuk do të ndalet. Përfaqësues të tyre kanë thënë për KOHËN se rifillimi i ofrimit të shërbimeve do të ndodhë vetëm pasi që Komuna e Prishtinës i ekzekuton mjetet që ia ka borxh ndërmarrjes.

“E shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja të mund t’i kthehet menjëherë shërbimit publik. Deri në përmbushjen e këtyre obligimeve dhe për sa kohë që mbetet e pamundur të rifillojmë operimin, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e ‘Trafikut Urban’ do të vazhdojë. Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë”, kanë thënë në “Trafikun Urban”.