Nga problemi me grumbullimin e mbeturinave e deri te ndalesa e transportit publik për qytetarët për 10 ditë me radhë, janë ngjarjet më të mëdha që karakterizuan Prishtinën gjatë vitit që lamë pas.
Qysh në janar të vitit 2025, nisën problemet për qytetarët e Prishtinës të cilët u faturuan dyfish për grumbullim të mbeturinave.
Kompania “Pastrimi” kishte paralajmëruar se nga 1 janari do merrte përsipër inkasimin, gjë të cilën deri atëherë e kishte bërë Komuna e Prishtinës.
Mirëpo edhe kjo nuk pranonte të hiqte dorë nga këto të hyra, megjithëse ekzistonte vendimi i asamblesë komunale të dhjetorit të vitit 2024, që këto kompetenca t’i kalonin kompanisë “Pastrimi” pas ndryshimit dhe plotësimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave.
Kjo pasi drejtori i atëhershëm i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, nuk e pranonte si legjitime këtë vendim të asamblesë komunale, i marrë në atë kohë nga opozita, PDK dhe VV.
Kjo mosmarrëveshje mes dy institucioneve zgjati disa muaj, e ata që pësuan ishin qytetarët të cilët nuk dinin se ku të paguanin borxhin e në anën tjetër u përballën edhe me mosgrumbullim të mbeturinave.
Komuna e Prishtinës në shkurt të viti të kaluar shpalli gjendje emergjente pasi grumbullimi i mbeturinave nuk vazhdoi nga kompania “Pastrimi”.
Akuza e kundërakuza pati gjatë gjithë kohës herë në medie e herë në rrjetet sociale mes Brestovcit e kryeshefit të “Pastrimit”, Petrit Reçica.
Në maj punëtorët e Pastrimit hynë në grevë duke qëndruar për rreth një muaj para Komunës së Prishtinës, duke kërkuar nga kryetari Rama siç thoshin ata borxhin e arkëtuar për mbledhjen e mbeturinave.
Komuna e Prishtinës angazhoi dy kompani private për të hequr bërllokun mirëpo as ata nuk arritën të bënin punën siç duhet. Ankesat e qytetarëve për kundërmim nga mosgrumbullimi i mbeturinave vazhdonin në ditët kur temperaturat ishin të larta.
Kjo mosmarrëveshje zgjati deri më 25 qershor kur Komuna e Prishtinës me ndërmjetësim bëri kthimin e borxhit të arkëtuar te kompania rajonale për mbledhjen e mbeturinave, pas vendimit të Gjykatës Supreme. Ky vendim ndali edhe grevën e punëtorëve para komunës.
E gjatë kësaj kohe, kryetari Rama kishte bërë ndryshime në kabinetin e tij qeverisës duke i zëvendësuar disa nga pozitat menaxheriale në komunë, pas zgjedhjeve nacionale.
Pasi arriti të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, nënkryetari i kryeqytetit Alban Zogaj është zëvendësuar me drejtorin e Inspektoratit. Deri në përfundim të mandatit të tij të parë, pozitën e lëshuar nga Zogaj e ushtroi Florian Dushi.
Rama i dha pozitë të nënkryetarit edhe këshilltarit të tij i cili nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për deputet, Shkëmb Manaj, në vend të Jehona Lushaku-Sadriut, e cila fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.
Përderisa Prishtina po merrej me balotazhin e zgjedhjeve lokale, qytetarët u përballën edhe me greva të transportit urban.
E ky problem nisi si një vazhdimësi e asaj që Prishtina nuk kishte buxhet gjatë vitit 2025, pasi në vitin 2024 u votua vonë, vetëm atëherë pasi ishte miratuar buxheti i Qeverisë.
Komuna nuk arriti të bënte as bartjen e mjeteve vetanake nga 2024 në 2025.
Kësisoj “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë nuk ofruan shërbim për 10 ditë me radhë pasi ata nuk morën për muaj të tërë pagesë nga Komuna e Prishtinës, duke u zhytur kështu në borxhe te pagat e punëtorëve e te kompanitë e derivateve.
Përderisa Komuna e Prishtinës ia hidhte fajin Ministrisë së Financave se nuk po ia lëshonte mjetet, pas disa sugjerimeve të kësaj ministrie, u thirr seanca e jashtëzakonshme ku edhe u bë bartja e mjeteve vetanake nga viti 2024 në 2025, duke mundësuar kështu edhe pagesën e borxheve ndaj ndërmarrjeve publike të cilët kishin mbetur në një gjendje të vështirë.
Megjithëse Rama fitoi në balotazh dhe u konstituua edhe Kuvendi Komunal, Rama ende nuk e ka paraqitur kabinetin e tij qeverisës.