Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka arsyetuar se iu kërkua ndihmë nga kompania rajonale e mbeturinave, “Pastrimi”, pas lidhjes së kontratës me negocim me një kompani private për menaxhimin e mbeturinave.
Sipas Ramës, “Pastrimi” tash e një kohë po përballet me probleme në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave, për shkak të pamundësisë teknike momentale për të ofruar kapacitet të plotë operativ, ku përfshihet edhe mungesa e stafit.
“Menjëherë pas pranimit të kërkesës, Komuna e Prishtinës ka ofruar mbështetjen e nevojshme dhe ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale ‘Pastrimi’, në të cilën janë përcaktuar ndihmat konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional”, ka deklaruar Rama.
Sipas marrëveshjes së publikuar nga Rama në Facebook, neni 4 ku parashihen obligimet e kompanisë “Pastrimi”, në paragrafin 1.5 thuhet se “KRM Pastrimi do të ofrojë resurset e veta në shërbim të kontrollit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së operatorëve ekonomikë të angazhuar nga Komuna e Prishtinës, duke i raportuar drejtpërdrejtë Komunës së Prishtinës”.
Kryetari i Prishtinës theksoi se ky bashkëpunim pritet të rrisë kapacitetet operative në terren, duke mundësuar shërbime më të shpejta dhe më efikase.
Postimi i Ramës:
Gjatë ditës së djeshme, KOHA ka raportuar për kontratën e negociuar që Komuna e Prishtinës e ka lidhur me një kompani private për menaxhimin e mbeturinave. Vlera e kontratës është 950 mijë euro. Por kjo kontratë është në kundërshtim me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, e cila parasheh që KRM “Pastrimi” është përgjegjës për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.
Kontrata është denoncuar në polici dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ditëve të fundit ka pasur ankesa të shumta nga qytetarët në kryeqytet për mosgrumbullim të mbeturinave.