Arbëri

Komuna e Prishtinës lidh kontratë me negocim për menaxhimin e mbeturinave

Komuna e Prishtinës për herë të dytë përmes procedurës së negociuar u ka dhënë tender kompanive private për menaxhim me mbeturina. Tenderi u dha vetëm dy javë pasi u anulua ai i rregullti, nën arsyetimin e mungesës së buxhetit. E opozita në kryeqytet ngriti dyshimin se synimi i kryetarit të Prishtinës është favorizimi operatorëve privatë

Vetëm dy javë pasi e anuloi tenderin e rregullt për menaxhim me mbeturina, nën arsyetimin e mungesës së mjeteve buxhetore, Komuna e Prishtinës për këtë çështje ka lidhur kontratë të re, me negocim, prej 950 mijë eurosh.

Të dy tenderët bien në kundërshtim me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, që parasheh se përgjegjës për shërbimet e mbeturinave në Prishtinë është kompania “Pastrimi”.

Në kundërshtim me këtë rregullore, Komuna pati lidhur edhe vjet kontratë me negocim për çështjen e mbeturinave, porse atë e arsyetoi me gjendjen e jashtëzakonshme, shkaku i grevës së kompanisë “Pastrimi”.

Megjithëqë në situatë tjetër, Komuna edhe pas anulimit të tenderit 16.5 milionë eurosh e përdori procedurën e negociuar për të lidhur kontratë me dy grupe të operatorëve, me çmime më të larta se ofertat në tender të rregullt.

Për lot 1, tenderi iu dha grupit të operatorëve ekonomikë “Selmans Network” e “Mardem Group”, me çmim 171.20 euro për ton. E për lot 2, kontrata u lidh me Ledi sh.p.k, Rahovica Comerce SH.P.K. e Quality Asphalt SH.P.K, për 70.40 euro për ton. Në grupin e parë të operatorëve nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS lidhur me arsyen e mosaplikimit në tenderin e rregullt.

E në atë të “Zahiri SH.P.K.; NITI-N SH.P.K.; Knalprofis Group SH.P.K.; EL-BAU SH.P.K”, që të hënën iu drejtuan OSHP-së rreth anulimit të tenderit të rregullt, thanë se oferta e tyre në të ishte 48 euro për ton.

“Në këtë procedurë të prokurimit AK ka shkelur të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe me rregullore të KRPP-së, ku në vend që të na shpallë ne fitues të këtij aktiviteti të prokurimit të AK ka zgjedhur të keqpërdorë buxhetin dhe ta vazhdojë me procedura të negociuara dhe t’i shpërblejë me kontratë OE të tjerë, të cilët nuk kanë aplikuar në procedurë të hapur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nën pretendimin për shkelje të rregullores, qendra e LVV-së në Prishtinë dorëzoi kërkesë në Polici për inicimin e hetimeve rreth kontratës 950 mijë eurosh.

“I gjithë ky sistemi i menaxhimit të mbeturinave është një projekt i qeverisjes aktuale që ka për qëllim bankrotimin e ndërmarrjes “Pastrimi” dhe dhënien e tregut për operatorët privatë.... Kontrata e negociuar është bërë me disa operatorë që vazhdimisht po fitojnë tenderë nga Komuna e Prishtinës, gjë që lë hapësirë për hetim për këtë rast”, ka thënë shefi i asamblistëve të LVV-së Gëzim Sveçla.

Nëpërmjet negocimit Komuna e Prishtinës edhe në 2 prillin e shkuar i dha kontratë prej 1.2 milionë eurosh për ofrimin e shërbimeve të mbeturinave kompanisë “Selmans Network” e asaj “Niti – N”, në vlerë 800 mijë euro, për një periudhë 6-mujore.

KOHA kërkoi sqarime nga Komuna e Prishtinës rreth anulimit të tenderit të rregullt, si dhe për lidhjen e kontratës me negocim, por nuk mori përgjigjeje.

E qytetarët në Prishtinë përballën me kontejnerë të stërmbushur e me mbeturina të hedhura përreth tyre.

Në “Pastrimi” thanë se gjendja aktuale është pasojë e situatës së trashëguar jo të favorshme e që u krijua kur shërbimi nuk është kryer me intensitetin e nevojshëm nga operatorët privatë.

“Vonesat e përkohshme që janë evidentuar në disa lagje lidhen kryesisht me volumin e akumuluar të mbeturinave dhe nevojën për ndërhyrje të njëpasnjëshme, por në asnjë rast nuk ka pasur ndërprerje të shërbimit. Kompania e kupton plotësisht shqetësimin e qytetarëve dhe e vlerëson reagimin e tyre si të drejtë dhe të arsyeshëm. Pikërisht për këtë arsye, ekipet tona janë në terren pa ndërprerje, përfshirë ndërrime shtesë, derisa situata të normalizohet plotësisht në të gjitha lagjet e Prishtinës”, thuhet në përgjigje.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një paraqitje të fundit publike paralajmëroi ndryshimin e kësaj rregulloreje, duke legjitimuar tenderët që i shpalli jashtëligjshëm.