Në Parkun Industrial, i shtrirë në një sipërfaqe prej 24 hektarësh në Korroticë të Epërme të Komunës së Drenasit, zhvillojnë aktivitete ekonomike dhjetëra biznese, të cilat, qira i paguajnë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Sipas një memorandumi bashkëpunimi të 2005-s, 70 për qind e të hyrave nga qiratë e bizneseve, MINTI është zotuar që do t’i alokojë në buxhetin e Komunës.
Ndërsa, pjesa e mbetur shkon për administrimin e Parkut. Por, për më shumë se dy vjet, MINTI nuk i ka kryer detyrimet financiare që ishin paraparë në marrëveshjen e 2005-s.
Në një përgjigje për KOHËN, nga Komuna e Drenasit kanë thënë se borxhi që ka MINTI ndaj komunës është mbi një milion euro.
“Sipas Memorandumit të Bashkëpunimit mes MINTI-t dhe Komunës së Drenasit, obligimet financiare janë 1.205.578.65 euro, ndërsa vetëm për vitin 2024-2025 janë në vlerë prej 368.488,08 eurosh ( kjo shumë është 70% e vlerës që i takon Komunës). Ende nuk është realizuar ky detyrim financiar i MINTI-t ndaj Komunës së Drenasit”, ka thënë Petrit Sinani, drejtor i Financave në Komunën e Drenasit.
Këtë obligim ndaj Komunës, ministria e pati marrë si vërejtje edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në një përgjigje për KOHËN, ka pranuar se nuk i ka kryer këto obligime.
Sipas MINTI-t, mjetet e inkasuara nga bizneset, derdhen në Thesar, i cili administrohet nga Ministria e Financave.
“Rrjedhimisht, për shkak se të hyrat nga qiraja inkasohen dhe derdhen në buxhetin qendror, pa u administruar nga Ministria si mjete të veçanta për ndarje, Ministria nuk ka mundësi të realizojë drejtpërdrejt transferimin e 70% të këtyre të hyrave në buxhetin e Komunës së Drenasit”, thuhet në përgjigjen e MINTI-t.
Nga MINTI thonë se nuk kanë mundësi ta bëjnë transferimin e këtyre mjeteve, pasi ato trajtohen në kuadër të të hyrave të përgjithshme buxhetore.
“Për këtë arsye, çdo veprim lidhur me ndarjen ose transferimin e mjeteve të tilla duhet të trajtohet në koordinim me institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave, por nga kjo ministri kanë thënë se duhet drejtuar autoritetit të marrëveshjes.
“Duke qenë se çështjet e ngritura në kërkesën tuaj ndërlidhen me zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) dhe Komunës së Drenasit, përfshirë dispozitën e pikës 15 të këtij memorandumi, ju informojmë se për sqarimet lidhur me zbatimin e marrëveshjes, përgjegjësitë institucionale dhe procedurat përkatëse, duhet t’i drejtoheni MINT-it, si palë nënshkruese dhe autoritet përgjegjës për këtë marrëveshje”, thuhet në përgjigje.
Lidhur me këtë problematikë, nga Komuna e Drenasit thonë se kanë përsëritur kërkesën disa here që të kryhen obligimet. E nga MINTI kanë thënë po ashtu se kanë filluar procesin e hartimit të një memorandumi të ri, me të cilin do të rregullohet kjo çështje.