Në shoqatën sindikale të “Pastrimit” kanë thënë se një prej kërkesave të punonjësve që kanë hyrë në grevë është zgjidhja emergjente e situatës së rëndë financiare, e krijuar “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna. Në Komunën e Prishtinës kanë fajësuar menaxhmentin se qëndron prapa grevës për “keqpërdorimin e punëtorëve për qëllime politike”, teksa kanë njoftuar se për mirëmbajtjen dhe për pastrimin e hapësirave publike në kryeqytet kanë nënshkruar njëanshëm një kontratë emergjente në vlerë prej 1.5 milionë eurosh, e cila është refuzuar nga kompania “Pastrimi”
Me parkimin e kamionëve në rrugën përpara objektit të Komunës së Prishtinës, punëtorë të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” e kanë nisur të enjten grevën për shprehjen e pakënaqësisë për gjendjen e rënduar financiare të ndërmarrjes.
Në njoftimin e shoqatës sindikale të “Pastrimit” për grevën është theksuar se një prej kërkesave është zgjidhja emergjente e situatës së rëndë financiare të krijuar “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.
“Formati i tubimit: Pjesëmarrës: rreth 300 punëtorë dhe të punësuar të KRM ‘Pastrimi’; Vendndodhja: përreth objektit të Komunës së Prishtinës, me qëndrim të vazhdueshëm; Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt dhe pa bllokuar rrugët emergjente; Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në veprimtarinë e organeve publike dhe në koordinim me autoritetet policore”, thuhet në njoftim.
E në Komunën e Prishtinës kanë fajësuar menaxhmentin që qëndron prapa grevës për “keqpërdorimin e punëtorëve për qëllime politike”.
“Ka kohë që kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa jemi duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendjeje, grumbullimi i punëtorëve të KRM 'Pastrimi' para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, është thënë në reagimin e Komunës.
Me gjithë paralajmërimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, se gjendja me grumbullimin e mbeturinave do të përmirësohet gjatë javës, lagje të kryeqytetit edhe të enjten kanë mbetur të mbërthyera nga bërlloku.
Për mirëmbajtjen dhe për pastrimin e hapësirave publike në kryeqytet, në Komunën e Prishtinës kanë njoftuar për nënshkrimin e njëanshëm të një kontrate emergjente, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.
“Dëshira jonë e kahershme në konceptin e përgjithshëm për Prishtinën e pastër nënkupton mirëmbajtjen e shumë hapësirave publike dhe largimin e mbetjeve sipërfaqësore të hapësirave publike, të cilat nuk janë trajtuar deri më tani në mënyrë të mjaftueshme. Andaj ne, në njërën anë, duke ia zvogëluar fushëveprimtarinë kompanisë ‘Pastrimi’ në grumbullimin e mbeturinave nga kontejnerët, për shkak të mekanizmit të mangët që ata e kanë, kemi dashur t’i japim kompensim, kontrata të reja për punët, të cilat nuk kërkojnë mekanizëm të shumtë numerikisht, por më tepër fuqi punëtore”, ka theksuar Bekim Brestovci, drejtor për shërbime publike në Komunën e Prishtinës. “Presim të nënshkruhet edhe nga kompania ‘Pastrimi’, me qëllim që punëtorët të rikthehen në vendet e tyre të punës dhe angazhimit në kryeqytet”.
Por këtë kontratë e kanë refuzuar në “Pastrimi” me arsyetimin se në të figuron një paragraf, i cili bie ndesh me rregulloren e miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Për kontratën kryetari i Sindikatës së “Pastrimit”, Ardian Krasniqi, ka thënë se nuk bën zgjidhje për problemin teksa ka shtuar se greva e nisur të enjten nuk do të ndërpritet deri në përmbushjen e kërkesave.
“Pagesa e borxhit pesëmujor që Komuna e Prishtinës ia ka KRM ‘Pastrimi’, e cila është jetike për pagat e 900 punëtorëve dhe për funksionimin normal të ndërmarrjes; nënshkrimi urgjent i kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave në Komunën e Prishtinës; zgjidhja e statusit të ndërmarrjes, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe afatgjate që garanton mbështetje institucionale dhe financiare”, ka theksuar ai.
Krahas kësaj kontrate, Komuna e Prishtinës ka lidhur marrëveshje edhe me dy operatorë privatë që cilët do të angazhohen për mbledhjen e mbeturinave deri në fund të vitit 2025.
Në sindikatën e “Pastrimit” kanë kërkuar që Komuna e Prishtinës t’i shkëpusë kontratat me operatorë privatë që ofrojnë shërbime paralele e të cilat “e dëmtojnë funksionimin dhe të ardhurat e ndërmarrjes publike”.