Arbëri

Punëtorët e “Pastrimit” thonë se nuk e ndalin grevën deri në plotësim të kërkesave të tyre

Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” të dielën e kanë vazhduar ditën e katërt të grevës në oborrin e Komunës së Prishtinës, duke kërkuar pagesën e borxhit prej 2.7 milionë euro, ndërprerjen e kontratave me operatorë privatë dhe nënshkrimin e një kontrate bazike. Përfaqësues të sindikatës thanë se kjo grevë do të vazhdoj deri në plotësim të kërkesave të tyre, teksa në Komunën e Prishtinës deklaruan se nuk janë përgjegjës për situatën e krijuar me grevistët.

Me tri ndërrime e kanë vazhduar edhe ditën e katërt të grevës punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”.

Me kërkesën për shlyerjen e borxhit e Komunës në vlerë 2.7 milionë euro,  nënshkrimin e një kontrate bazike, ndërprerjen e kontratave me operatorë të tjerë privatë dhe respektimin e dinjitetit të punëtorëve, këta punonjës ka katër ditë që janë duke grevuar në oborrin e Komunës së Prishtinës.

E Ardian Krasniqi, kryetar i sindikatës së ndërmarrjes “Pastrimi” tha se ajo do të vazhdoj deri sa kërkesat e tyre të dëgjohen.

“Ne i kemi edhe peshat që i kemi bartur si “Pastrim” prej 1 janarit, kur është edhe rregullorja e ato duhet t’i paguaj dikush. E deri këtu kemi ardhur ku nuk kemi më as derivate dhe këta punëtorë duhet të dijnë se çfarë po ndodh me ta, ku shkojnë dhe çka po bëhet me ta”, ka deklaruar ai.

Punëtorë të kësaj kompanie kundërshtuan futjen e operatorëve privatë në menaxhim të mbeturinave.

 “Ne jemi kompani me përvojë shumëvjeçare, para e pasluftës dhe të merret një kompani që nuk mund ta kryej punën se ne jemi me përvojë”, u shpreh punëtori Asllan Mehmeti.

Pati edhe nga ata që i kërkuan falje për mosofrim të shërbimit dhe falënderuan qytetarët për siç thanë po i furnizojnë  me ushqime përgjatë këtyre ditëve.

 “Ju kërkojmë falje të gjithë qytetarëve që nuk po kemi mundësi të kryejmë shërbimin, që e kemi kryer në mënyrën më dinjitoze të mundshme”, ka thënë Sami Sopi, sekretar i Sindikatës së “Pastrimit”.

E drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, tha se nuk janë përgjegjës për grevat e këtyre punëtore.

“Zgjidhja e kësaj çështje ka një adresë tjetër dhe ajo është kryeshefi dhe asambleistët e PDK-së, të cilët e sollën këtë situatë e po e vuajnë punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”, që janë të manipuluar skajshmërisht, por në një fazë e kanë vuajtur edhe qytetarët derisa ne tanimë e morrëm situatën nën kontroll”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i “Pastrimit”, Petrit Reçica, ka insistuar se Komuna duhet t’ua kthejë borxhin atyre.

Ka shtuar se nënshkrimi i marrëveshjes 1.5 milionëshe me Komunën e Prishtinës për shërbime sipërfaqësore, nuk e zgjidh bllokadën e krijuar.

“Me këtë kontratë nuk bëhet asnjë zgjidhje, sepse ne ende nuk kemi filluar ta zbatojmë dhe merr kohë implementimi i saj. Ne i qëndrojmë prapa kërkesave bazë, pagesa prë vlerën afër 2.7 milion euro, për të cilat ne kemi kryer shërbim dhe qytetarët kanë kryer pagesa në Komunë në emër të shërbimit që ne e kemi kryer”, ka thënë ai.

Prej 13 majit, kompania “Pastrimi” ka ndërprerë grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet, për shkak siç thonë ata, mospagimit të borxhit të Komunës që e ka ndaj tyre.