Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Grevistët: Komuna synon ta falimentojë “Pastrimin”

Edhe të shtunën punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” kanë vazhduar grevën para objektit të Komunës së Prishtinës. E ndonëse janë kontraktuar disa operatorë privatë, në një numër lagjesh mbeturinat nuk janë larguar

Jo pak metra larg objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, grumbuj mbeturinash nuk u larguan as në mesditën e së shtunës. Pas godinës, mbeturinat mbetën ndonëse një ditë më parë ky institucion njoftoi se mbledhja e tyre po realizohej pa ndalur nga operatorët e kontraktuar.

Mbeturinat nuk u mblodhën as në rrugën “27 nëntori” në Vranjevc, për çka u shpreh i mllefosur një banor i lagjes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Jo, asnjë hiç, as te shpija jem, asnjë rrugë nuk është pastruar, nuk janë ardhë, nuk vijnë”, tha Idriz Shabani, banor në rrugën “27 Nëntori”.

Ky banor u doli në mbrojtje punëtorëve të “Pastrimit” që prej tri ditësh janë në grevë.

“Duhet t’u plotësohen kërkesat këtyre punëtorëve nëse dëshirojnë që qytetarët e Prishtinës të jenë të shëndetshëm. Nëse jo, nëse kanë qejf me nejtë veç me privatnikë, le të rrinë, veç ta dinë se e kanë gabim, ta dinë se privatniku nuk është duke ua kryer punën këtyre sikur këta...”, ka thënë Shabani.

Nën tendën e vendosur në oborr të Komunës që u shërbeu edhe si strehë nga shiu, punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave e vazhduan grevën.

“Ne vazhdojmë grevën hala edhe jemi ndërrimi i dytë, i pari sapo shkoi tash... Ne grevën nuk e ndalim deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të cilat ua kemi shtruar sindikata jonë”, ka thënë Naser Hajdini, vozitës në Kompaninë “Pastrimi”, e i cili të shtunën ishte pjesë e grevës.

Ardian Krasniqi, kryetar i njërës prej dy sindikatave të punëtorëve të ndërmarrjes, listoi kërkesat, pa përmbushjen e të cilave tha se nuk do të hiqet dorë nga presioni sindikal.

“I duam paratë të cilat i kemi shërbyer nga janari dhe kontratë nga komuna, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Statusi i KRM ‘Pastrimit’, çka do të ndodh me KRM ‘Pastrimi’?... Pagesa, kontrata, edhe ne dalim në punë, se kemi pare, kemi derivate dhe ne e vazhdojmë punën”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi tha se dialogu me zyrtarët e Komunës nuk mund të prodhojë zgjidhje të problemit, pa u plotësuar kushtet për punë.

“Ne nuk mund të operojmë në qoftë se nuk kemi të hyra. Të hyrat na i ka ndalë komuna... Për të operuar, neve na duhet nafta. Na duhet nafta, e këto gjana nuk janë se po ndodhin tash. Qe një vit e tepër janë duke u munduar të na falimentojnë. Në njëfarë mënyre, po donë me na falimentu, ana e komunës po duan”, ka thënë ai.

Një ditë më parë kompania “Pastrimi” ka nënshkruar kontratë prej 1.5 milionë eurosh me Komunën për mirëmbajtjen e hapësirave publike. Të shtunën në këtë kompani thanë se kontrata nuk i plotëson kërkesat dhe nuk sjell pagesa të menjëhershme.

E, në Komunë gjatë së shtunës nuk janë deklaruar për mbeturinat që nuk janë mbledhur në kryeqytet. E një ditë më parë theksuan se me nënshkrimin e kontratës është plotësuar një nga kërkesat kryesore të grevistëve dhe se është duke u shqyrtuar edhe kërkesa për zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes.