Në episodin e 72-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është avokati dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitet ‘90, Ilaz Ramajli. (Pjesa e dytë)
Ramajli rrëfen takimin me Millosheviqin: Më tha se kush e kalon murin e Serbisë, do ta dëmtojë kokën
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitet ’90, Ilaz Ramajli, ka rrëfyer në podcastin “PIKË”, në bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, një takim që kishte pasur me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, në Beograd, në kohën kur po kundërshtoheshin ndryshimet kushtetuese që synonin suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Ramajli ka treguar se ishte ftuar papritur në një takim të përbashkët të kryesive të Kosovës dhe Serbisë, në Beograd, pasi strukturat serbe kishin kuptuar se ndryshimet kushtetuese mund të mos kalonin në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se ftesën për takim e kishte marrë nga Hysen Kajdomçaj, i cili e kishte njoftuar se duhej të niseshin menjëherë me aeroplan drejt Beogradit. Sipas Ramajlit, gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe Millosheviqi, kryetari i Kuvendit të atëhershëm serb, Bozhoviq, e kishte akuzuar atë se po e prishte unitetin e udhëheqjes së Kosovës dhe po organizonte delegatët kundër ndryshimeve kushtetuese.
Ramajli ka rrëfyer se Millosheviqi më pas i kishte dhënë fjalën për të shpjeguar qëndrimin e tij, por gjatë diskutimit i kishte ndërprerë fjalën për t'i kërkuar që ndryshimet kushtetuese të mbështeteshin formalisht.
“Unë du me qenë i qartë këtu. Nuk jam njeri që këtu them diçka tjetër dhe në Kosovë diçka tjetër. Unë e kam pa formatin e ndryshimeve të Kushtetutës dhe unë jam personalisht kundër ndryshimeve kushtetuese. Sa di unë, edhe delegatët e tjerë janë kundër, për shkak se i kanë kuptu. Por unë po flas për veti, atje do të votoj kundër”, ka rrëfyer Ramajli se i kishte thënë Millosheviqit.
Sipas tij, në përfundim të takimit, Millosheviqi kishte përdorur një metaforë kërcënuese, duke thënë se Serbia kishte vendosur një mur dhe se askush nuk do të lejohej ta kalonte atë.
“Serbia e ka vendosë një mur. Duhet me kuptu që atë mur nuk kena me leju me kalu askush. Kush don me kalu atë mur, duhet atij muri me i ra me kokë, dhe dihet mes murit dhe kokës kush dëmtohet”, ka treguar Ramajli fjalët e Millosheviqit.
Ramajli ka thënë se takimi ishte organizuar për ta frikësuar atë dhe për ta detyruar të merrte ndonjë zotim lidhur me votimin e ndryshimeve kushtetuese.
Ai ka shtuar se atmosfera gjatë takimit dhe darkës së organizuar pas tij ishte jashtëzakonisht e rëndë, pasi, siç ka thënë, ishte identifikuar personalisht si kundërshtar i këtyre ndryshimeve.