LAJMET E MBRËMJES

Rama thotë se para se të angazhojë kompani private ka nënshkruar memorandum me “Pastrimin”

Kryetari i Prishtinës ka thënë se kontratës me negocim me operatorët privatë për menaxhim të mbeturinave i ka paraprirë nënshkrimi i memorandumit me KRM “Pastrimi” dhe kërkesa e kësaj të fundit për mbështetje. “Pastrimi” nuk ka sqaruar përmbajtjen e memorandumit, ndërsa që ditë më parë, angazhimin e operatorëve privatë e ka cilësuar të jashtëligjshëm

Për t’i paraprirë lidhjes së kontratës me negocim me kompani private për menaxhimin e mbeturinave në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit Komunal, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vetëm pak ditë më parë nënshkroi memorandum me KRM “Pastrimi”.

Në dokumentin e firmosur më 26 dhjetor 2025 i protokolluar më 14 janar 2026, mes tjerash, përmendet angazhimi i operatorëve ekonomikë nga ana e Komunës.

“KRM “Pastrimi” do të ofrojë resurset e veta në shërbim të kontrollimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së operatorëve ekonomikë të angazhuar nga Komuna e Prishtinës, duke i raportuar drejtpërdrejt Komunës së Prishtinës”, thuhet në dokument.

Lidhur me këtë, Rama tha të enjten se “Pastrimi” kërkoi mbështetje nga Komuna shkaku i pamundësisë teknike momentale për të ofruar kapacitet të plotë operativ në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave.

“Menjëherë pas pranimit të kësaj kërkese, ne kemi ofruar mbështetjen e nevojshme dhe kemi nënshkruar një Marrëveshje mirëkuptimi me ndërmarrjen rajonale “Pastrimi”, në të cilën janë përcaktuar ndihma konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, sot ka nisur angazhimi i ndërmarrjes rajonale “Pastrimi” në terren për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte (ndërtimore) dhe mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e kryeqytetit”, ka theksuar Rama.

Por në kërkesën e “Pastrimit” nuk përmendet angazhimi i operatorëve privatë.

“Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës përkrahje të përkohshme për një periudhë gjashtëmujore deri në njëvjeçare me qëllim të krijimit të mundësisë së rritjes së kapaciteteve operative, me qëllim të garantimit të vazhdimësisë së shërbimit publik, veçanërisht në periudhat me rritje të ndjeshme të sasisë së mbeturinave të cilat gjenerohen si rezultat i festave të fundvitit dhe fluksit të madh të mërgimtarëve. Kjo përkrahje vlerësohet si masë kalimtare deri në stabilizimin e plotë operativ”, thuhet në kërkesën e KRM “Pastrimi”.

Në prillin e shkuar, kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica, pati kërkuar ndërhyrje të organeve të hetuesisë rreth tenderit për menaxhimin e mbeturinave, të shpallur nga Komuna e Prishtinës.

“U drejtohemi Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve hetimore që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur këtë praktikë të paligjshme dhe për të rivendosur rendin ligjor dhe funksional në raportin ndërmjet Komunës dhe ndërmarrjes sonë. Ekzistojnë dyshime serioze se po tentohet të pamundësohet operimi i KRM “Pastrimi” sh.a., për t’iu hapur rrugë tenderimeve të jashtëligjshme me operatorë privatë, me vlerë mbi 20 milionë euro”, pati deklaruar Reçica.

KOHA kërkoi sqarime nga “Pastrimi” se përse në të shkuarën kërkuan hetim për çështjen e tani janë dakorduar në angazhimin e operatorëve privatë nga Komuna, porse nuk mori përgjigje të enjten.

E një ditë më parë, KOHA raportoi se si Komuna, dy javë pasi e anuloi tenderin e rregullt për menaxhim me mbeturina me arsyetimin e mungesës së mjeteve buxhetore, lidhi kontratë me negocim në vlerë 950 mijë euro me kompani private.

Por, të dy proceset janë në kundërshtim me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave që parasheh se KRM “Pastrimi” është përgjegjëse për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë. Rasti është denoncuar në polici nga LVV-ja, ndërsa që për anulimin e procedurës së rregullt tenderuese ankesat janë adresuar në OSHP nga disa operatorë privatë.