Arbëri

KRM “Pastrimi” paralajmëron se Prishtina është në prag të “krizës higjienike”

Pastrimi

Ndërmarrja rajonale “Pastrimi” ka lëshuar sërish një tjetër reagim ndaj Komunës së Prishtinës, duke e akuzuar për mospagesë të detyrimeve që kapin shifrën mbi 2.7 milionë euro.

Sipas një komunikatë për media të premten, kjo mospagesë ka bërë që kompania të mos ketë më mundësi të furnizohet me naftë, duke rrezikuar seriozisht vijimin e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.

Në komunikatë theksohet se tri marrëveshje të arritura më parë me komunën janë shterur dhe fondet janë bllokuar. Gjithashtu, “Pastrimi” thotë se Komuna ka mbledhur mbi 600 mijë euro në mënyrë të paligjshme nga qytetarët, por nuk i ka transferuar te ndërmarrja, duke ndaluar edhe pagesat direkte të qytetarëve për shërbimet.

“Pa pagesa – nuk po kemi mundësi për shërbim”, thuhet në reagim, ku akuzohet kryetari Përparim Rama për “lojëra politike” dhe për rrezikim të qëllimshëm të shëndetit publik. “Tash e 5 muaj kemi kërkuar takim, mirëpo jemi injoruar dhe nuk na ka takuar!”

“Pastrimi” thotë se do të vazhdojë shërbimin vetëm për aq kohë sa ka naftë në rezervarët e kamionëve.

KRM “Pastrimi” dhe Rama janë përplasur vazhdimisht muajve të fundit.

Në dhjetor të vitit të kaluar Asambleja Komunale në Prishtinë ka votuar me inicimin e Partisë Demokratike (PDK) dhe me ndihmën e LVV-së për plotësim-ndryshimin e rregullores së re për mbeturina. Në të thuhet se arkëtimi i faturave për qytetarët e Prishtinës bëhet nga kompania “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës.

Rregulloren e ndryshuar e pati aprovuar edhe Ministria e Mjedisit, e cila ka konsideruar se ajo është në harmoni me Ligjin për mbeturinat. Por këtë ndryshim, drejtues të Komunës së Prishtinës e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk ka dalë me ndonjë vendim dhe për këtë arsye, Komuna ka bërë thirrje që shërbimet të paguhet te ta dhe jo te ndërmarrja. Ndërmarrja e ka bërë thirrjen e kundërt.

Së fundmi, opozita në Prishtinë nuk e përkrahu propozimin e Ramës që t'i ndalet subvencionim ndërmarrjes “Pastrimi” .