Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sërish nga ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, që t’i transferojë të hollat në xhirollogarinë e Komunës.
Rama tha se komuna po pret transferimin e mjeteve nga ministria pasi javën e kaluar votuan bartjen e në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
“Pse nuk po i qet paret, Hekuran? Shërbimet janë ndalur. Punëtorët janë pa paga. Komuna po pret transferimin e mjeteve nga ministria! Javën e kaluar e votuam bartjen e mjeteve, ndonëse këto obligime kanë mundur të mbulohen lehtësisht nga 35 milionë euro të hyrat vetanake dhe nga granti qeveritare që, për ironi, as nuk kërkojnë votim në Asamble, vetëm vullnet për miratim nga ministri në detyrë, por që vazhdon t’i mbajë të bllokuara me përkushtim!”, shkroi Rama në Facebook.
Tutje ai ka thënë se asamblistët e LVV-së në vazhdimësi e kanë bllokuar buxhetin por në mbledhjen e fundit e votuan për ta përdorë publikisht duke thënë se “VV e shpëtoi kryeqytetin”.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, deklaroi se Ministria e Financave përmes Thesarit ia ka transferuar Komunës së Prishtinës 28 milionë eurot nga të hyra vetanake të komunës për të cilat u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme të enjten. Por drejtoresha e Financave në këtë komunë ka thënë se bartje të mjeteve nuk ka pasur deri në orën 16 të 1 dhjetorit.
Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Për të njëjtat mjete, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhje tha se pret që po atë ditë Ministria e Financave t’i bartë mjetet.
Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.