Komuna e Prishtinës ka nisur t’i shlyejë borxhet ndaj “Trafikut Urban” dhe transportuesve privatë, pas alokimit të pjesshëm të buxhetit nga Ministria e Financave. Ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka thënë se janë alokuar 2.7 milionë euro, e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur pritjen të krijohet qasje edhe në mjete të tjera
Pas disa ditësh protestë nga punëtorët e “Trafikut Urban” dhe ata të transportuesve privatë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka nisur pagesa e borxheve. E ka bërë këtë, pas alokimit të pjesshëm të mjeteve financiare nga ana e Ministrisë së Financave.
“Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milionë eurosh nga bartja e vitit 2024, nga Ministria e Financave drejt kryeqytetit. Drejtoria e Financave e kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave”, ka njoftuar Rama të martën.
Në Ministrinë e Financave kanë thënë se janë alokuar 2.7 milionë euro në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të shlyejë borxhet ndaj operatorëve të transportit publik.
“Tashmë janë alokuar mjetet në kategorinë mallra dhe shërbime në vlerë prej 2.7 milionë eurosh, e nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetjake. Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”, ka shkruar Murati në një postim në Facebook.
E paraprakisht, gjatë ditës së martë, kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, ka bërë thirrje për alokim të mjeteve dhe ka kërcënuar se nëse kjo nuk bëhet do të protestohet.
“Sot është afati i fundit për reflektim, në të kundërtën nga nesër i gjithë segmenti rrugor do të bllokohet me të gjithë autobusët që kemi të ‘Trafikut Urban’, që prej mëngjesit Sindikata do të organizojë protesta që nga mëngjesi në darkë. Këto nuk kanë me pasë lëvizjen e lirë me funksionu, si Komuna, si Qeveria”, ka thënë Gashi.
Kritika për mungesën e transportit kanë shprehur edhe qytetarët.
“Ne që i kemi veturat udhëtojmë diqysh, a dikush që është me rast social e sene, vallahi është problem. Edhe taksistat e kanë gjetë mundësinë, gjynah qytetarët shumë. Mungesa e transportit, komunikacioni po bllokohet”, ka thënë Bush Vitija, qytetar.
Indinjatën e tij e ka shprehur edhe qytetari tjetër Naim Krasniqi.
“Kjo është një fatkeqësi shumë e rëndë. Është gjynah që ky popull vuan. Sot me u bë kjo edhe mos me pasë autobusa njerëzit që kanë nevojë, se çdo person që udhëton ka nevojë për transport”, ka thënë ai.
Shkaku i borxheve të pashlyera nga Komuna, “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë kanë ndërprerë shërbimet nga java e shkuar e edhe kanë protestuar. Zgjidhje është gjetur vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve, pas të cilit vendim nisi alokimin e Ministria e Financave.
Gjatë ditëve të kaluara, Komuna dhe qeveria në detyrë kanë akuzuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.
Një akuzë të tillë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë edhe të martën paradite, ndaj të cilës është përgjigjur menjëherë ministri në detyrë, Hekuran Murati.