Futboll

Trajneri i Sunderlandit flet për ndihmën që merr nga Xhaka

Trajneri i Sunderlandit flet për ndihmën që merr nga Xhaka

Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka pranuar ndikimin e Granit Xhakës në skuadër, në të gjitha aspektet. Xhaka vazhdon të bëjë që prezenca e tij të ndihet, derisa Sunderlandi po vazhdon me start impresiv të edicionit në Premier League.

Sunderlandi ka fituar pesë prej nëntë ndeshjeve të deritashme. Xhaka ka startuar në të gjitha nëntë ndeshjet, ndërsa i ka tri asistime. 33-vjeçari është shfaqur si lider i jashtëzakonshëm në fushë, duke ndihmuar shumë lojtarët e tjerë të skuadrës.

Dhe trajneri francez, Le Bris, ka folur për ndikimin e kapitenit.

“Që të jesh garues në këtë nivel, të duhet paraqitja e nivelit të lartë në fushë. Për këtë arsye Graniti ndihmon shumë pasi mund të menaxhojë elementet në fushë. Ai nuk është i vetëm në këtë, por udhëheq duke dhënë shembull”, ka thënë Le Bris për faqen zyrtare të Sunderlandit.

Tekniku francez ka theksuar se ndikimi i Xhakës është në rritjen e besimit në skuadër.

“Ai e ofron këtë besim. Kur luan kundër Chelseat, ti beson që mund të fitosh. Ai e shfaq këtë, e thotë këtë në zhveshtore dhe në çdo vend tjetër. Ju dëshironi të besoni që kjo është e mundur dhe ju e ndiqni atë. Ai është i rëndësishëm për këtë po ashtu”.

Sunderlandi është kthyer në Premier League pas një kohe shumë të gjatë. Synimi i skuadër është mbetja në elitë. Me ecurinë aktuale, gjysma e punës thuajse ka përfunduar.

Shumë janë befasuar kur Xhaka vendosi të largohet nga Bayer Leverkuseni për t’u kthyer në Premier League, por te skuadër e kthyer pas shumë vjetësh.

Për shkak të mënyrës se si luan dhe si e kryen detyrën e kapitenit, Xhaka shpesh vlerësohet trajner në fushë. Le Bris nuk ka asgjë kundër kësaj.

“Nuk dua të jem njeriu kryesor. Nuk është qëllimi im. Dua që skuadrës t’ia jap forcën, diturinë dhe përgjegjësinë. E di që duhet të menaxhoni lojën në kohë reale. Kur je jashtë fushës nuk mund ta bëni këtë. Pasi nuk je lojtar”.

Le Bris ka theksuar se edhe lojtarë të tjerë kanë shfaqur aftësi të liderit dhe kanë menaxhuar situata të ndryshme.

“Ne po e përmirësojmë nivelin tonë dhe tani jemi në gjendje të shfaqemi më fleksibil, më proaktiv. Përshtatemi më lehtë në tentim për të zgjedhur problemet. Kemi po ashtu lojtarë që krijojnë raste”, ka thënë trajneri i Sunderlandit.

Sunderlandi ndeshjen e radhës e luan të hënën mbrëma. Do të përballet me Evertonin në “Stadium of Light”.

Xhaka me shokë synojnë tjetër fitore.