Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Xhaka tregon se çka nuk po funksionon te Sunderlandi

Xhaka

Në edicionin e kaluar ishte prej befasive të Premier Leagues, ndërsa këtë edicion Sunderlandi nuk po ia del të këndellet. Humbjen e radhës e pësoi të shtunën, 3:1, në udhëtim te Coventry City, në kuadër të xhiros së nëntë të kampionatit anglez.

Sunderlandi është i fundit në tabelë me vetëm pesë pikë. Forma e edicionit të kaluar duket e largët. 

Kapiteni Granit Xhaka ka folur pas humbjes së radhës, ndërsa ishte shumë kritik.

“Është vështirë të pranohet. Jemi përgatitur mirë dhe erdhëm këtu me besim. Por nëse nuk i bëjmë gjërat për të cilat flasim, nuk ka shans të fitojmë asnjë ndeshje”, ka thënë Xhaka për sajtin zyrtar të Sunderlandit.

Ai ka përmendur gabimet që po i bënë skuadra.

“Ka shumë gabime nga ana jonë. Nëse nuk bëjmë gjërat bazike, duhet të harrojmë për gjërat e tjera”.

Sipas mesfushorit me përvojë, skuadra po paguan çmim të lartë për problemet e njëjta. Ai kupton dëshpërimin në mesin e tifozëve, ndërsa ka thënë se edhe lojtarët ndihen njëjtë.

“Çdo fundjavë po bëjmë gabimet e njëjta dhe çdo fundjavë po ndëshkohemi. Është e vështirë për tifozët. E di që tifozët janë të frustruar dhe është njëjtë edhe me ne. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të besojmë te njëri-tjetri. Na duhet secili dhe besoj se do të kthehemi”, ka theksuar Xhaka.

Në Premier League, Sunderlandi së fundi fitoi më 30 gusht, 1:0 ndaj Fulhamit. Së fundi barazoi pa gola me Leeds Unitedin më 25 tetor. Më pas fitoi 3:2 ndaj Brentfordit në League Cup, por në Premier League humbi sërish. 

Sunderlandi garon edhe në Ligën e Evropës, ndërsa ka dy fitore e një barazim. Por janë rezultatet në Premier League që dëshpërojnë Xhakën dhe të gjithë të tjerët në këtë ekip.

“Mungesa e vazhdimësisë nuk është e pranueshme. Vazhdimësia është gjëja kryesore në këtë ligë. Nëse vazhdojmë me gabime individuale, kundërshtari na vret”, ka thënë trajneri Regis Le Bris. “Duam të kemi kontroll të mirë të lojës, por për arsye të ndryshme nuk është e mundur. Ndoshta jemi shumë të ekspozuar, apo jo mjaftueshëm solidë në disa pozita në fushë. Nuk do të dorëzohemi. Do të tentojmë të gjejmë zgjidhje. Nuk po kërkojmë arsyetime. E pranojmë realitetin dhe do të punojmë fort”, ka shtuar trajneri i Sunderlandit.

Në mesjavë Sunderlandin e pret ndeshje tjetër e vështirë. Përballet me Dinamo Zagrebin në xhiron e katërt të Ligës së Evropës.