Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani dëmtoi 26 baza amerikane në Lindjen e Mesme, shkatërrimet kapin miliarda dollarë

iran

Sulmet iraniane ndaj më shumë se dy duzinave bazash ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme fillimisht u përqendruan në sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe më pas në avionë e ndërtesa, duke shkaktuar dëme miliarda dollarëshe në pajisje ushtarake, sipas një analize të agjencisë Associated Press (AP).

Sipas analizës, e cila bazohet në imazhe satelitore nga disa kompani dhe në informacione të zyrtarëve rajonalë, deri në gusht janë regjistruar më shumë se 115 sulme me dronë dhe raketa, të pretenduara nga Irani ose milicitë e mbështetura prej tij. Sulmet kanë dëmtuar ose shkatërruar objekte në 26 baza ushtarake dhe lokacione të tjera ku SHBA-ja kishte pajisje ushtarake.

AP raporton se Irani fillimisht shënjestroi hangarët e avionëve dhe sistemet që zbulojnë sulmet e mundshme, duke goditur më pas depot, objektet e akomodimit të trupave dhe infrastrukturën tjetër ushtarake.

Pasojat e sulmeve kanë ndikuar ndjeshëm në praninë ushtarake amerikane në rajon. Sipas dy zyrtarëve rajonalë, SHBA-ja ka zhvendosur një pjesë të madhe të pajisjeve nga Gjiri Persik, përfshirë avionë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje komunikimi.

Dëmet e shkaktuara kanë ngritur pikëpyetje për efektivitetin e mbrojtjes amerikane në rajon, veçanërisht në kohën kur presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e sulmeve të reja pas zgjedhjeve të mesmandatit të së martës, ndërsa Teherani ka paralajmëruar kundërpërgjigje të fuqishme.

Sipas AP-së, nga 1 prilli deri më 30 qershor, sulmet iraniane dëmtuan ose shkatërruan qindra ndërtesa dhe struktura të tjera në bazat amerikane. Një rikthim i luftimeve mund të shkaktojë dëme të tjera të kushtueshme dhe të vërë në pikëpyetje nëse Uashingtoni do të investojë sërish në rindërtimin e bazave dhe pajisjeve të tij ushtarake në Lindjen e Mesme.