Janë bërë një javë që kur Arlinda Zekaj është vrarë në Vitomiricë të Pejës ani pse tre ditë më herët përmes një letre kishte paralajmëruar institucionet se jeta e saj është në rrezik. Vrasja e Arlindës ndodhi pasi u kthye nga stacioni policor ku e kishte paraqitur ish-bashkëshortin e saj për kanosje. Ajo, sipas raportimeve të organeve të drejtësisë, u vra me sëpatë në shtëpinë e saj nga ish-kunati në prani të djalit të saj.
Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve. Pas vrasjes, IPK-ja njoftoi se nisi hetimet për të gjitha raportimet e mëparshme të Zekajt dhe për mënyrën se si Policia i kishte trajtuar ato. Më 29 tetor, Policia suspendoi 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtues të strukturave rajonale dhe të stacionit policor në Pejë. Po atë ditë, Këshilli Prokurorial suspendoi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, duke hapur procedura disiplinore dhe duke themeluar një panel hetimor. Në arsyetimin e tij, Këshilli Prokurorial ngriti pretendime për mosveprim ndaj kërkesave urgjente të viktimës dhe për mosvlerësim të duhur të rrezikut. Më 30 tetor, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje, duke vlerësuar se sistemi aktual për trajtimin dhe parandalimin e dhunës në familje nuk po funksiononte.
Për ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt, është caktuar një muaj paraburgim për “mospërfillje të gjykatës”, e dorasi është kapur tek pas tre ditësh nga Policia, pasi pas kryerjes së veprës ai ishte arratisur. E djali i saj, 12-vjeçar është marrë nën përkujdesje të shtetit.
Që prej vrasjes së Arlindës, organizata të ndryshme të shoqërisë civile, kanë protestuar në disa qytete të Kosovës ku kanë kërkuar dorëheqje, shkarkime e përgjegjësi nga organet e drejtësisë, të cilat sipas tyre, kanë neglizhuar rastin duke çuar tek vrasja e saj.
Me 29 tetor, në një seancë të thirrur për rastin, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë themeluar një komision hetimor parlamentar që do të hetojë vrasjen e Zekajt. E nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme janë përpiluar dy raporte, të cilat sipas ministrave përgjegjës, kanë gjetur një varg shkeljesh në trajtimin e rastit nga institucionet. Sipas tyre, mosveprime institucionale që do të mund të parandalonin vrasjen e Zekajt janë evidentuar në Gjykatën e Prokurorinë Themelore në Pejë, në Policinë e Kosovës, në Qendrën për Punë Sociale e në Komunën e Pejës. Ani pse kërkesë e protestuesve që nga dita e parë është shkarkimi ose dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe e atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këta të dy kanë deklaruar se nuk e shohin vetën përgjegjës për rastin dhe se dorëheqjet e tyre nuk do të ndihmonin.
Për vrasjen e Arlinda Zekajt protestë është paralajmëruar edhe për sot (e diel). Protestat në vazhdimësi janë shoqëruar me thirrjet “Shteti do të japë llogari”, “Shteti i ka duar me gjak”, “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë”, e thirrje të tjera të cilat e bëjnë shtetin fajtor për vrasjen e Zekajt.
-
Paralajmërohen protesta edhe në ditën e shtatë nga vrasja e Arlinda Zekajt
-
Protestuesit kërkojnë burgosje, shkarkime e dorëheqje për rastin e Arlinda Zekajt
-
“Shteti do të japë llogari”, paralajmërohet vazhdimi i protestave
-
Protestuesit vendosin tendë para Qeverisë
-
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrave e shkarkime edhe në gjyqësor