Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protestuesit kërkojnë burgosje, shkarkime e dorëheqje për rastin e Arlinda Zekajt

protesta

Në ditën e katërt të protestave në Prishtinë, qytetarët kanë kërkuar burgim për prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët që u morën me rastin e Arlinda Zekajt, gruas që u vra nga ish-kunati në Vitomiricë të Pejës të dielën. Protestuesit po ashtu po kërkojnë shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri. 

Një prej protestuesve mbante pankartën me të cilën kërkohej shkarkim, ndjekje penale dhe burgim për kryeprokuroren tashmë të suspenduar të Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit, Suada Rama-Hamza, kryetarin e Gjykatës, Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukajn dhe çdo zyrtar/e tjetër të përfshirë.

Po ashtu si pikë e dytë është shkarkimi i Sveçlës, Gërvallës dhe dorëheqja e Muhaxherit. 

Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga qytetarët kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në fund drejt ndërtesës së Qeverisë.

Protesta po mbahen tash e katër ditë në Prishtinë. 

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes qe ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e pati denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës. Vetëm tri ditë para se të vritej Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.

Deri tash janë suspenduar kryeprokurorja e Pejës dhe një prokurore, por edhe 11 zyrtarë policorë. Është dorëhequr drejtori i Policisë.