Raporti i Progresit për Kosovën që do të miratohet të mërkurën më 4 nëntor nuk do ta befasojë askënd pasi ishte e qartë se paraliza e zgjatur institucionale ka pamundësuar edhe progresin e Kosovën në fushën e reformave, përfshirë edhe të atyre të identifikuara nga Komisioni Evropian në raportin e para një viti. KOHA ka pasur qasje në draftin e Raportit të Progresit për Kosovën për këtë vit dhe aty shihet çartë se cilat janë fushat më problematike.
Përveç çështjeve politike dhe institucionale, Komisioni Evropian në këtë raport ka vërejtur mungesë të progresit të duhur në fushën e sundimit të ligjit, progres vetëm të limituar në luftën kundër korrupsionit, një lloj progresi në luftë kundër krimit të organizuar: nuk ka pasur fare progres në lirinë e lëvizjes së mallrave dhe punëtorëve, por ka pasur “progres të mirë” në lëvizjen e lirë të kapitalit. As në politikën e konkurrencës nuk ka pasur progres.
Shqetësues në raport është edhe gjendja në fushën e energjisë ku ka pasur progres të limituar dhe kjo është pengesë për rritjen ekonomike.
“Përkundër përpjekjeve për të diverisifikuar furnizimin me energji dhe përmirësuar efikasitetin, sektori energjetik në Kosovë mbetet pengesë për zhvillimin ekonomikë në Kosovë”, thuhet në draftin e raportit.
Nuk ka pasur progres as në menaxhimin e investimeve publike dhe këtu kërkohen reforma urgjente.
Edhe
Ekskluzive, Raporti i Progresit: Kosova pa përparim të dukshëm për shkak të krizës politike
Sa u përket kritikave në Raport të Progresit për funksionimin e institucioneve demokratike ato kanë të bëjnë pikërisht me paralizën institucionale që ka ekzistuar në Kosovë në periudhën që përfshin ky raport. “Funksionimi i institucioneve demokratike ka qenë negativisht i ndikuar nga mungesa e zgjatur e kuvendit funksional dhe vonesat në formimin e qeverisë. Kjo ka dobësuar mbikëqyrjen legjislative dhe ka ngadalësuar implementimin e reformave”, thuhet në tekst.
Kritika edhe Kosovës edhe Serbisë për mospërmbushje të obligimeve nga dialogu
Edhe këtë vit një pjesë e konsiderueshme e Raportit të Progresit për Kosovën i kushtohet procesit të normalizimit të raporteve me Serbinë. E njëjta gjuhë përdoret edhe në raportin për Serbinë. Të dyja vendet qortohen për mungesë të zbatimit më të madh të obligimeve nga dialogu ndërkohë që si arsyetim përmenden “proceset politike të brendshme”.
Kosova kritikohet edhe kësaj radhe për veprime që BE-ja i konsideron të njëanshme dhe pa korordinim e që kanë të bëjnë kryesisht me mbylljen e strukturave “të mbështetura nga Serbia”, siç i quan BE-ja e që në fakt janë struktura të shtetit të Serbisë. Po ashtu nga Kosova përsëritet kërkesa që të nisë procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që konsiderohet nga BE-ja si obligim që ka marrë përsipër Kosova në kuadër të dialogut.
“Nuk ka pasur progres të mëtejmë drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe marrëveshjes së gushtit të vitit 2015 për parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore të themelimit të Asociacionit. Nga Kosova pritet që të nisë procedurën në përputhje me obligimet nga dialogu, përfshirë edhe marrëveshja e Ohrit e vitit 2023. Të dyja palët pritet që të angazhohen në mënyrë konstruktive pa vonesa”, thuhet në draftin e Raportit të Progresit për Kosovën.
Edhe
Miratohet Raporti i Progresit: Kosova me progres të limituar e stagnim
Për strukturat të mbështetura nga Serbia në Kosovë, në draft thuhet se duhet të trajtohen sipas marrëveshjeve të dialogut dhe ligjit të Kosovës, e jo me masa të pakoordinuara. BE-ja kërkon që për këto të ketë edhe konsultime të strukturuara me serbët e Kosovës dhe bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun.
Për urën mbi lumin Ibër vlerëson se qëndrimi i BE-së është se ajo duhet të hapet, por nevojitet koordinim më i mirë mes komunave dhe institucioneve qendrore.
Në rastin e Serbisë thuhet se Serbia ka vazhduar të shkelë obligimet nga procesi i dialogut përfshirë edhe përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në Këshillin e Evropës dhe në INTERPOL. Sipas draftit, këto veprime dhe retorika e përsëritur nxitëse e zyrtarëve serbë kanë vazhduar të minojnë normalizimin. Serbia kritikohet po ashtu edhe për shkak se nuk ka ndërmarrë asnjë hap të rëndësishëm për të siguruar llogaridhënie për sulmin në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Si në Raportin për Kosovën ashtu edhe në atë për Serbinë përsëritet se dialogu mbetet kusht kyç që të dyja të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian, por normalizimi është kusht edhe për asistencën financiare nga Pakoja e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në raport përmendet edhe heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Edhe
Nuk ka befasi: Kosova me progres të limituar për shkak të ngërçit politik
“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025, Komisioni i hoqi masat ndaj Kosovës që ishin në fuqi nga viti 2023. Si pasojë e kësaj rifilluan edhe asistenca financiare edhe puna e trupave të krijuara nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, thuhet në tekst.
Artikulli në përditësim...