Dua Lipa ka zbuluar se fustani i saj i nusërisë ishte i mbushur me mesazhe sekrete dhe detaje me kuptim të veçantë personal.
Këngëtarja 31-vjeçare u martua me aktorin Callum Turner në një ceremoni civile në Londër në muajin maj, ndërsa muajin pasues organizoi një festë madhështore dasme në Itali. Për ceremoninë e dytë, ajo veshi një fustan të shtëpisë së modës Chanel Haute Couture, të cilin e cilësoi si “gjënë më të bukur” që kishte parë ndonjëherë.
Fustani u dizajnua nga drejtori artistik i Chanel, Matthieu Blazy. Dua Lipa tha se krijimi i tij në dasmën e saj ishte një nga momentet më të paharrueshme të jetës.
Gjatë fjalimit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve WSJ. Magazine Innovator Awards, ku nderoi stilistin së bashku me reperin A$AP Rocky, këngëtarja e vlerësoi punën e tij dhe zbuloi detaje të veçanta të fustanit.
“Matthieu kishte përfshirë në të mesazhe shumë personale, madje edhe qëndisjen e qenit tonë në parkun tonë të preferuar në Londër”, tregoi ajo.
Ajo e përshkroi fustanin si një kryevepër të realizuar me kujdes dhe përpikëri të jashtëzakonshme, të mbushur me kuptime personale. “Një ditë do të mund t'u tregoj nipërve të mi: Gjyshja u martua me një fustan të modës së lartë nga Chanel”, u shpreh këngëtarja.
Fustani ishte zbukuruar me kristale dhe 480 mijë rruaza, kishte një bisht të dekoruar me pupla dhe pjesën e pasme të hapur.
Dua tregoi se ia kishte besuar plotësisht stilistit realizimin e veshjes. Kur ai e kishte pyetur se sa shumë pupla dhe sa madhështi dëshironte në fustan, përgjigjja e saj kishte qenë e thjeshtë: “Po”.
Duke folur më herët për revistën Vogue Italia, këngëtarja e kishte përshkruar ditën e dasmës si magjike. Ajo tregoi se kishte ndjekur dy këshilla të rëndësishme: ta përjetonin ditën sikur të ishin vetë mysafirë dhe të kërkonin vazhdimisht njëri-tjetrin mes turmës, pa e humbur asnjëherë kontaktin.
Ndërkohë, pas martesës me aktorin e filmit Eternity, Dua Lipa ka treguar se dëshiron të eksplorojë në muzikën e saj një temë të re: dashurinë e vërtetë dhe ndërlikimet e një marrëdhënieje.
“Kur isha më e re, frymëzimin e gjeja më shumë te kërkimi dhe dëshira për dashuri. Por tani dua të zbuloj se çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë”, tha ajo.
Këngëtarja shtoi se tashmë është më e interesuar të shkruajë për anët më të qeta të një lidhjeje, për ndërlikimet e saj dhe për gjërat e vogla që e bëjnë dashurinë të veçantë.