Arbëri

Kurti: Fatos Nano do të mbetet i dendur në historinë politike të Shqipërisë e Kosovës

Fatos Nano

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, duke e vlerësuar si një figurë qendrore të tranzicionit politik shqiptar dhe një emër që do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se lajmi për vdekjen e Nanos i ka sjellë ndër mend kujtimet nga dy takimet që kishte pasur me të – fillimisht në vitin 2002, pak muaj pas daljes nga burgu në Serbi, dhe më pas kur Nano ishte sërish në krye të qeverisë shqiptare.

“Në atë takim të parë, përvoja ime si ish-i burgosur politik u kthye natyrshëm në temë të bisedës me Nanon. Herën e dytë, ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Bisedat e tij plot pasion për politikën dhe për kombin më kanë mbetur të pashlyeshme”, ka shkruar Kurti.

Duke e cilësuar Fatos Nanon si një figurë me rol të veçantë në periudhën e kalimit të Shqipërisë nga sistemi komunist në demokraci, Kurti kujtoi se Nano kishte shërbyer tre herë si kryeministër – në vitet 1991, 1997–1998 dhe 2002–2005 – periudha të vështira për vendin, mes trazirave dhe përpjekjeve për stabilizim politik.

“Në biografinë e tij politike, Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin që luajti në periudhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Historia moderne e Shqipërisë dhe e Kosovës do ta ketë të dendur emrin e tij mes politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI”, shtoi ai.

Në fund, Kurti shprehu ngushëllimet e tij familjes, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, duke theksuar se ai do të kujtohet “mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik”.

Nano vdiq të premten në moshën 73-vjeçare.