Në Kenia dhe Tanzani, helmimi i luanëve po kthehet në një shqetësim gjithnjë e më të madh, pasi barinjtë hakmerren për bagëtitë e vrara nga grabitqarët. Përballë kësaj situate, Maasait po përpiqen t’i mbrojnë luanët përmes kompensimit të dëmeve dhe përfshirjes së komuniteteve lokale në ruajtjen e natyrës.
Pas një jete të kaluar duke vëzhguar kafshët e egra në fushat e Parkut Kombëtar Amboseli, në Kenia, Eric Ole Kesoi është bërë i njohur si një nga gjurmuesit më të zotë të fisit Maasai. Ai e ka ndërtuar këtë reputacion falë aftësisë për të ditur se ku duhet të kërkojë. Por, kur më në fund e gjen atë që kërkon, i duhet gjithë forca e tij për të përballuar pamjen që ka përpara.
Në qendër të skenës së rëndë janë mbetjet e një lope të re, të kafshuara nga luanët. Pak metra më tutje, luanët përpëliten dhe marrin frymë me vështirësi, duke luftuar për jetën. Nëntë prej tyre i kanë gjuhët e nxira, ndërsa nga goja u del shkumë. Këto janë shenjat e një arme që nuk shihet, por që po u merr jetën.
“Helmimi është vërtet mënyra më mizore për të vrarë një kafshë. Është zemërthyese”, thotë Kesoi për CNN.
“Duhet të jesh shumë i fortë për t’i parë duke vuajtur pasi helmi hyn në trupin e tyre. Është një nga përvojat më të rënda që kam kaluar”.
Megjithatë, kjo përvojë po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Vitet e fundit, në Afrikën Lindore është rritur shqetësimi për helmimin e luanëve nga barinjtë, të cilët hakmerren pasi grabitqarët sulmojnë bagëtitë e tyre.
Për organizatat e ruajtjes së natyrës, si “Lion Guardians”, ku Kesoi punon si përgjegjës për marrëdhëniet me komunitetin, kjo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për misionin e tyre. Ata synojnë të parandalojnë konfliktet mes njerëzve dhe kafshëve të egra, si dhe të ndihmojnë në rimëkëmbjen e popullatës së luanëve në rajon.
Në një regjistrim të kryer tetorin e kaluar, ekipi dokumentoi 275 luanë në një zonë prej rreth 3.700 kilometrash katrorë të ekosistemit më të gjerë Amboseli-Tsavo. Kjo do të thotë se kishte rreth 7,2 luanë për çdo 100 kilometra katrorë. Shifra shënon një rritje të jashtëzakonshme krahasuar me vitin 2006, kur organizata nisi punën dhe vlerësohej se kishte vetëm një luan për çdo 100 kilometra katrorë.
Ndërkohë, sipas një studimi të vitit 2025 nga organizata për ruajtjen e natyrës “Kope Lion”, në zonën e mbrojtur të Ngorongoros, në Tanzaninë fqinje, vlerësohej se jetonin rreth 177 luanë në një sipërfaqe prej 5.341 kilometrash katrorë. Ky numër është rritur nga 120 luanë që ishin regjistruar në vitin 2022.
Por, me rritjen e numrit të luanëve, janë shtuar edhe sulmet ndaj bagëtive, si dhe hakmarrja e barinjve. Si “Lion Guardians”, ashtu edhe “Kope Lion” raportuan rritje të ndjeshme të konflikteve mes njerëzve dhe luanëve gjatë vitit të kaluar.
Në të kaluarën, këto konflikte shpesh përfundonin me përdorimin e shtizave. Luftëtarët Maasai organizonin ekspedita hakmarrjeje ose vrisnin luanë si pjesë e riteve tradicionale, të njohura si “Ala-mayo”.
Sot, megjithatë, qëndrimet kanë ndryshuar. Shumica e punonjësve të “Lion Guardians” vijnë nga komunitetet vendase Maasai. Sipas organizatës, gjatë vitit 2025, në zonën Amboseli-Tsavo u vranë vetëm dy luanë në gjueti hakmarrëse.
Por vitet e fundit është shfaqur një mënyrë e re vrasjeje, më e vështirë për t’u zbuluar dhe me pasoja edhe më shkatërruese: helmimi.
Më 7 janar, gjashtë luanë u gjetën të ngordhur nga helmimi pranë kufirit mes Kenias dhe Tanzanisë. Kjo ndodhi vetëm dy ditë pasi gjashtë luanë të tjerë, një tufë e tërë, ishin vrarë në të njëjtën mënyrë brenda ekosistemit Amboseli.
Muajin e kaluar, dhjetë luanë u gjetën të ngordhur në zonën e mbrojtur të Ngorongoros. Hetimet ende nuk kanë përfunduar, por gjetjet paraprake sugjerojnë se edhe këta luanë kanë ngordhur pasi kanë gëlltitur helm, sipas Autoritetit të Zonës së Mbrojtur të Ngorongoros.
Për Kesoin, çdo raport i tillë është një goditje e rëndë.
“Ne, Maasai-t, e konsiderojmë helmimin një akt frikacak. Kjo është diçka që ka nisur të ndodhë vetëm kohët e fundit”, thotë ai.
Vrasësi i heshtur
Mënyra e vrasjes është e thjeshtë: kur gjejnë bagëti të vrara nga luanët, barinjtë e lyejnë trupin e kafshës me helm. Kur luanët kthehen për t’u ushqyer, e gëlltitin atë. Por jo gjithmonë helmimi lidhet me sulmet ndaj bagëtive. Kesoi kujton një rast kur luanët ngordhën pasi u ushqyen me një gjirafë të helmuar.
Lloji i helmit ndryshon. Sipas Kesoit, për një kohë të gjatë është përdorur kryesisht insekticidi karbofuran, i njohur me emrin tregtar Furadan, i cili ka ngjyrë të kaltër të ndezur. Kohët e fundit, megjithatë, është shfaqur edhe striknina, një pesticid pa erë. Të dyja substancat janë të kufizuara rreptësisht në Kenia dhe Tanzani, por tregu i zi dhe kontrabanda përmes kufirit të vështirë për t’u kontrolluar u mundësojnë barinjve të sigurojnë këto kimikate shumë toksike.
Pasi luanët e gëlltitin helmin, vuajtjet nisin shpejt. Nëse trajtimi për të larguar helmin nga organizmi bëhet në kohë, shpesh është i suksesshëm. Kesoi dhe ekipi i tij arritën t’i shpëtonin tetë nga nëntë luanët që ishin helmuar pasi kishin ngrënë viçin e ri.
Megjithatë, as gjurmuesit më të zotë të rajonit nuk mund ta mbikëqyrin të gjithë parkun kombëtar. Qafore me GPS vendosen vetëm te luanët që njihen për sulme të përsëritura ndaj bagëtive. Për këtë arsye, ekipet mbështeten kryesisht te vëzhgimet në terren dhe raportimet e banorëve, të cilat shpesh nuk mbërrijnë fare.
Për më tepër, personat që vendosin helm po i zhvendosin gjithnjë e më shpesh trupat e kafshëve të helmuara në zona të largëta dhe të izoluara, thotë Filberto Mayiani, koordinator për monitorimin e luanëve në organizatën “Lion Guardians”.
Kur ekipet mbërrijnë në vendngjarje, shpesh është tepër vonë, jo vetëm për luanët, por edhe për kafshët e tjera që ushqehen me mishin e helmuar. Në janar, pranë gjashtë luanëve që ngordhën nga helmimi, u gjetën të shpërndara më shumë se 30 shkaba të ngordhura.
“Ke marrë kaq shumë jetë, vetëm sepse të ka pushtuar zemërimi”, tha Mayiani, duke iu drejtuar atyre që vendosin helm. “Është çnjerëzore dhe shkakton vuajtje të jashtëzakonshme”.
“Ata mendojnë se po helmojnë vetëm grabitqarin që u ka vrarë bagëtitë, por helmi nuk zhduket pasi gëlltitet”, shtoi ai. “Ai mbetet në tokë dhe në bar. Kur bie shi, përhapet edhe në burimet ujore përreth vendbanimeve. Ne mendojmë se kjo lidhet pothuajse me gjithçka që na rrethon”.
Barinjtë janë shpesh të dyshuarit kryesorë dhe kjo është e kuptueshme, duke pasur parasysh humbjet që pësojnë. Vetëm në zonën e mbrojtur të Ngorongoros, gjatë vitit 2025, u regjistruan 437 sulme nga luanët, si pasojë e të cilave u vranë 278 krerë bagëti. Sipas organizatës “Kope Lion”, dëmi ekonomik arriti në rreth 40.600 dollarë.
Për humbjet mund të kërkohet kompensim përmes skemave të ndryshme, shumë prej të cilave menaxhohen nga organizatat për ruajtjen e natyrës. Për shembull, që nga viti 2003, fondacioni “Big Life” zbaton në rajonin e Amboselit një program kompensimi për dëmet e shkaktuara nga grabitqarët. Përmes tij, pronarët Maasai marrin një pjesë të vlerës së bagëtive të humbura nga sulmet. Por kompensimi nuk jepet nëse ata vrasin grabitqarët për hakmarrje.
Vitet e fundit, disa organizata kanë provuar edhe mënyra të tjera për t’i nxitur komunitetet që t’i mbrojnë luanët. Organizata “Kope Lion” zbatoi një program pilot, përmes të cilit komunitetet në zonën e mbrojtur të Ngorongoros morën gjithsej rreth 35 mijë dollarë nga viti 2020 deri në vitin 2023. Shuma përcaktohej në bazë të numrit të luanëve të vërejtur në rajon çdo muaj.
Sipas organizatës, fshatrat që morën pjesë në këtë program e mbështetën fuqishëm nismën dhe nuk u regjistrua asnjë rast helmimi i luanëve për hakmarrje.
Kesoi thotë se skemat e kompensimit që parashikojnë edhe masa ndëshkuese mund të jenë efektive. Sipas tij, përgjegjësia e përbashkët i ka nxitur banorët të mbikëqyrin njëri-tjetrin, duke identifikuar personat përgjegjës dhe duke kërkuar që ata të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Megjithatë, skema të tilla nuk zbatohen kudo dhe, sipas disa barinjve, kompensimi nuk është gjithmonë i mjaftueshëm. Kesoi vëren se në Amboseli të Kenias, kompensimi përgjithësisht konsiderohet i kënaqshëm, por situata përtej kufirit, në Tanzani, është dukshëm ndryshe.
“Barinjtë në Tanzani thonë: ‘Nuk marrim kompensim të mjaftueshëm. Kur luanët na vrasin bagëtitë, ne i vrasim ata’”, thotë Kesoi.
Kundërhelmi
Për organizatën “Lion Guardians”, zgjidhja nuk qëndron vetëm te kompensimi financiar, por edhe te lidhja e mbrojtjes së natyrës me përfitimet konkrete për komunitetet lokale.
Organizata ka punësuar mësues, ka kontribuar në mbledhjen e fondeve për shkollat, ka blerë kundërhelm për kafshimet e gjarpërinjve, ka trajtuar bagëtitë e lënduara dhe ka mbuluar shpenzimet mjekësore të barinjve. Këto ndihma janë pjesë e një programi që synon të përmirësojë jetën e komuniteteve dhe të plotësojë përpjekjet e kahershme për të pakësuar humbjet e bagëtive.
Ndër masat e zbatuara janë edhe gjuetitë e simuluara, të frymëzuara nga traditat e Maasaive. Përmes tyre, luanët largohen nga zonat ku kullotin bagëtitë, pa u lënduar.
Studimet kanë dëshmuar se kjo qasje gjithëpërfshirëse jep rezultate. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2014 në revistën Conservation Biology, vrasjet e luanëve në ekosistemin Amboseli-Tsavo u ulën me 99 për qind kur programet e kompensimit u plotësuan me angazhimin e drejtpërdrejtë të komuniteteve nga Lion Guardians. Ky rezultat ishte rreth 8 deri në 12 për qind më i mirë krahasuar me zonat ku zbatohej vetëm kompensimi financiar.
Megjithatë, rritja e rasteve të helmimit e ka bërë të nevojshme marrjen e masave më të posaçme. Në fund të vitit 2024, organizata nisi fushatën e parë kundër helmimit, duke mbledhur banorët e fshatrave ku ky fenomen ishte më i përhapur. Qëllimi ishte t’u shpjegohej se si helmi ndikon jo vetëm te luanët, por edhe te ekosistemi, shëndeti i njerëzve dhe burimet e tyre të jetesës.
Në prill të vitit të kaluar, në Osewan të Kenias, një zonë ku të paktën 20 luanë kishin ngordhur nga helmimi, u organizua një aktivitet i tillë. Një këngëtar i njohur Maasai interpretoi një këngë kundër helmimit, të cilën e kishte shkruar vetë. Sipas “Lion Guardians”, për herë të parë në dy dekada, gjatë gjithë vitit nuk u regjistrua asnjë rast helmimi në këtë rajon.
Këtë muaj është planifikuar edhe një aktivitet i përbashkët në zonën kufitare me Tanzaninë, ku në janar u gjetën të ngordhur gjashtë luanë.
Megjithatë, të dhënat nxjerrin në pah një paradoks: sa më shumë sukses të kenë Kesoi dhe ekipi i tij në rimëkëmbjen e popullatës së luanëve, aq më shumë rritet rreziku që këta grabitqarë të sulmojnë bagëtitë dhe të nxisin zemërimin e barinjve të dëmtuar. Me fjalë të tjera, sa më mirë ta kryejnë punën e tyre, aq më shumë punë u duhet të bëjnë.
Për disa, kjo mund të jetë arsye për t’u lodhur dhe për t’u dorëzuar. Por për Maasai-t që punojnë në “Lion Guardians”, ndodh e kundërta.
“Kam udhëtuar nëpër botë. Kur shkon në qytetet e mëdha, i vetmi vend ku mund të shohësh një luan është kopshti zoologjik”, thotë Mayiani.
“Nuk mund ta imagjinosh që brezi i ardhshëm, fëmijët dhe nipërit tanë, të vijnë në këtë botë dhe të duhet të udhëtojnë 160 kilometra nga këtu vetëm për të parë një luan. Kjo është ajo që të shtyn të vazhdosh, pa u lodhur, për të siguruar një të ardhme më të mirë për kafshët e egra dhe komunitetet tona”.