Nëse Serbia normalizohet përbrenda, nëse vërtet lufton krimin e organizuar dhe siguron sundimin e ligjit, ajo nuk do të jetë më agresive ndaj fqinjëve, as ndaj Kosovës. Dhe kjo do të ndihmojë që edhe brenda Kosovës të normalizohen raportet me serbët e Kosovës, të cilët, mes tjerash, ishin edhe nën presione të llojllojshme të Serbisë, përmes shantazheve e në disa raste edhe frikësimeve dhe sulmeve fizike. Një lloj normalizimi është i mundur edhe pa dialogun e Brukselit, i cili edhe ashtu është në një qorrsokak.
Vetëm një javë prej kur regjimi i Aleksandar Vuçiqit humbi bindshëm zgjedhjet në Serbi, gjërat në këtë shtet duken dramatikisht ndryshe. Kjo mund të shihet menjëherë duke ndërruar kanalet televizive në Serbi apo lexuar portalet. Një televizion, i cili nga mëngjesi deri në mbrëmje krijonte përshtypjen se “Šiptari“ (term pezhorativ për shqiptarët) dhe “Ustaši“ (fyerje për kroatët) sapo nuk e kanë sulmuar Serbinë, tash ka debat se si duhet përgatitur për dimër dhe cilat gjëra duhet ditur kur t'i ndërroni gomat e veturave. Një tjetër kanal, i cili mediat që nuk ishin nën kontrollin e Vuçiqit i quante tradhtarë dhe arsyetonte sulmet ndaj tyre, tash flet për “përgjegjësinë për fjalën publike“. Televizioni Informer, i cili rrezikun më të madh për Serbinë deri më 25 tetor e shihte te Perëndimi, kërkon ndihmë nga vendet demokratike perëndimore që ta “mbrojnë lirinë e shprehjes“ në Serbi, sepse ndihen të kërcënuar nga hakmarrja e mundshme e fituesve të zgjedhjeve.
Të gjitha këto televizione, debatet e pandërprera për armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm që kishin deri më 25 tetor, tash i kanë zëvendësuar me debate për zgjedhjet në Amerikë, për krizën në Francë, për përpjekjet e paqes në Ukrainë. Fare pak për Serbinë. Në vetëm dy televizione ish-presidenti Vuçiq gjeti hapësirë për të dhënë intervistë, ndërkohë që më parë më shumë se 40 kanale televizive në të njëjtën kohë transmetonin paraqitjet e tij.
Pos mediave, në Serbi kanë nisur të normalizohen edhe strukturat e pavarura të shtetit, si policia dhe gjykatat. Mediat nuk po kanë sa duhet hapësirë për të lajmëruar për të gjitha arrestimet që po ndodhin, prej shefave të policisë, pronarëve të bankave e deri te shefi i institutit meteorologjik.
E ky normalizim i Serbisë ka ndodhur në periudhën kur akoma nuk është ndryshuar pushteti, sepse nuk është konstituuar ende Kuvendi e nuk është formuar akoma qeveria e re, madje as që dihet se kush do të jetë kryeministër e kush ministër. Pra, krejt kjo po ndodh për shkak se profesionistët ndihen të lirë ta kryejnë punën e tyre, të cilën deri para dy javësh nuk kanë guxuar ta bëjnë.
Tash shumë njerëz rreth Serbisë dhe më larg saj janë kureshtarë se si do të reflektohet ky normalizim i Serbisë ndaj vendeve dhe popujve fqinjë. Me përjashtim të Kosovës, njerëzit kryesorë të Listës së Studentëve, fitueses së zgjedhjeve, kanë dhënë intervista për mediat e të gjitha vendeve të tjera fqinje. Në to janë shprehur se duan bashkëpunim e jo konfrontim me fqinjët, duan relaksim të raporteve. Por, në të njëjtën kohë kanë dhënë shenja se nuk do të ndryshojnë kursin politik. Për shembull, në mediat kroate kanë thënë se “asnjëherë nuk do të pajtohemi për narrativat rreth së kaluarës“. Kjo nuk është shenjë e mirë, sepse duhet të ketë pajtim rreth fakteve dhe fakti është se Serbia ka qenë agresore, se ka detyrime ndaj viktimave, se forcat serbe kanë shkatërruar Vukovarin, Dubrovnikun (këtu edhe forcat nga Mali i Zi), Sarajevën, kanë bërë gjenocid në Srebrenicë dhe krime të mëdha në Kosovë. Këto nuk janë “një prej narrativave“, por janë fakte. Dhe me këto fakte duhet të përballen nëse vërtet duan të ndërtojnë një të ardhme në paqe dhe fqinjësi të mirë, e cila nuk mund të ndërtohet përmes harresës.
E kur është Kosova në pyetje, nuk kanë folur shumë, pos që kanë përsëritur se për ta “Kosova e Metohija është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të KS të OKB-së“. Mbetet të shihet se si do t'i qasen ata dialogut dhe sa do të jetë presioni ndërkombëtar për këtë. Mund të pritet që BE-ja të mos nxitojë shumë dhe të mos bëjë presion menjëherë. Sepse as BE-ja nuk i beson vetes kur thotë se “të gjitha obligimet nga dialogu duhet të zbatohen pa vonesa“. Kjo “pa vonesa“ përmendet tash e 15 vjet dhe përsëritet sepse ashtu është e shkruar. Por, siç është cituar të ketë thënë një diplomat perëndimor për “Jutarnji Listin” e Zagrebit, “shpejt do ta kuptojnë se realiteti është ndryshuar, sepse duket se kanë fjetur 25 vjet“!
Një gjë është programi zgjedhor dhe një gjë tjetër qeverisja e vendit. Qeveria e re e Serbisë, nga e cila nuk do të kërkohet që menjëherë të deklarohet rreth Kosovës, duhet ta kuptojë se nuk ka “dialog për Kosovën“, por për “normalizimin e raporteve me Kosovën“. Se Rezoluta 1244, në të cilën thirren, nuk e siguron se “Kosova është pjesë e Serbisë“ (bile Serbia nuk përmendet, por një shtet që nuk ekziston), por ajo përkohësisht e vendoste Kosovën nën administrim ndërkombëtar deri sa të zgjidhej statusi përmes një procesi politik. Ai proces politik ndodhi dhe rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në bazë të propozimit ndërkombëtar. E pyetur nga Serbia, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë dha mendimin se kjo shpallje e pavarësisë nuk e shkel as të drejtën ndërkombëtare, por nuk e shkel as Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Mund të pritet që së paku në Serbi të mos vazhdojë retorika toksike fashiste ndaj shqiptarëve, e cila dominoi deri tash. Viktimë e një retorike të tillë mund të kenë qenë edhe ata që e rrëzuan pushtetin, sepse edhe ata mund të kenë krijuar paragjykime ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës. Por, pa marrë parasysh se si do të vazhdohet dialogu në Bruksel, raportet mund të normalizohen vetvetiu. Nëse jo mes dy shteteve, atëherë së paku mes njerëzve. Këto raporte, në një mënyrë, dialogu i Brukselit nganjëherë më shumë i ka penguar sesa ndihmuar, sepse Serbia e ka shfrytëzuar dialogun për ta favorizuar ndikimin e saj te serbët në Kosovë, duke u mohuar atyre të drejtën që të merren me jetën e përditshme të tyre dhe duke u diktuar nga Beogradi se për kënd të votojnë, kur të hyjnë e kur të dalin nga institucionet e Kosovës, me çfarë valute të paguajnë dhe çfarë dokumente të kenë.
Nëse Serbia normalizohet përbrenda, nëse vërtet lufton krimin e organizuar dhe siguron sundimin e ligjit, ajo nuk do të jetë më agresive ndaj fqinjëve, as ndaj Kosovës. Dhe kjo do të ndihmojë që edhe brenda Kosovës të normalizohen raportet me serbët e Kosovës, të cilët, mes tjerash, ishin edhe nën presione të llojllojshme të Serbisë, përmes shantazheve e në disa raste edhe frikësimeve dhe sulmeve fizike. Një lloj normalizimi është i mundur edhe pa dialogun e Brukselit, i cili edhe ashtu është në një qorrsokak.
Nëse qeveria e re do ta ketë prioritet sundimin e ligjit e jo Kosovën dhe BE-në, atëherë edhe përmes sundimit të ligjit do të zgjidhë disa probleme. Sepse sundimi i ligjit është edhe obligimi për të proceduar krimet e luftës, për të dhënë informata për të zhdukurit, për të parandaluar financimin dhe veprimin e strukturave kriminale në Kosovë, për të ndihmuar në zbulimin e vrasjeve dhe kërcënimeve ndaj serbëve të Kosovës, të cilët, sa ishin gjallë, vetë thoshin se nuk frikësohen nga shqiptarët, por nga serbët. Obligim nga sundimi i ligjit është edhe dënimi i kryesve të sulmit në Banjskë dhe atij në Ibër-Lepenc. Nuk e kanë thënë vetëm në Prishtinë, por edhe në Bruksel, Londër, Berlin e gjetiu se veriu i Kosovës për vite ka qenë hapësirë ku ka dominuar krimi i organizuar. Dhe tash ka dëshmi të mjaftueshme se këto struktura kriminale kanë qenë të ndihmuara nga shteti i Serbisë, nga i cili edhe kanë gëzuar mbrojtje kur kanë ikur. Ka shumë gjëra që mund të normalizohen pa pasur nevojë të priten rezultatet konkrete të dialogut të Brukselit.