Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Ata s’janë më” bashkon në tryezë familjen që u zhbë nga gjenocidi serb

Sadika

Sadika, e interpretuar nga aktorja e njohur serbe Mirjana Karanoviq, shtron tryezën për katër persona. Për vete, bashkëshortin Azemin dhe fëmijët që mungojnë, për nipërit e mbesat që nuk iu bënë kurrë. Ajo në mendjen e saj ju flet, i dëgjon, i pret dhe gëzohet me urimet e tyre

Tryezën e shtron me zell e finesë, pret urime, dhurata dhe hare familjare. Bisedat nuk kanë të ndalur, zërat vijnë nga të gjitha anët, por në këtë festë nuk është askush. Ajo është krejtësisht e vetme. Ky është realiteti i një gruaje nga Srebrenica, e cila e ka humbur familjen në gjenocidin e vitit 1995 dhe tash jeton midis kujtimeve dhe një jete që nuk arriti të bëhej kurrë. Familjarët i shfaqen veç në mendjen e saj. Kjo është historia e Sadikës, personazhit kryesor të shfaqjes “Ata s’janë më”, me tekst të Doruntina Bashës dhe nën regji të Andrej Nosovit

Një grua e vetme në tryezë. Ajo flet me bashkëshortin, bijtë dhe nipërit e mbesat. Është ditëlindja e saj. Tryezën e shtron me zell e finesë, pret urime, dhurata dhe hare familjare. Bisedat nuk kanë të ndalur, zërat vijnë nga të gjitha anët, por në këtë festë nuk është askush. Ajo është krejtësisht e vetme. Ky është realiteti i një gruaje nga Srebrenica, e cila e ka humbur familjen në gjenocidin e vitit 1995 dhe tash jeton midis kujtimeve dhe një jete që nuk arriti të bëhej kurrë. Familjarët i shfaqen veç në mendjen e saj. 

Kjo është historia e Sadikës, personazhit kryesor të shfaqjes “Ata s’janë më”, me tekst të Doruntina Bashës dhe nën regji të Andrej Nosovit, e cila për herë të parë është prezantuar në Prishtinë. Në skenën e ndërtuar si një dhomë e zakonshme ndenjeje, historia e rëndë njerëzore është sjellë përmes një lloj gjuhe skenike të pazakontë. Aty publiku bëhet dëshmitar i imagjinatës që vetëm protagonistja arrin ta shohë. 

Sadika, e interpretuar nga aktorja e njohur serbe, Mirjana Karanoviq, shtron tryezën për katër persona. Për vete, bashkëshortin Azemin dhe fëmijët që mungojnë, për nipërit e mbesat që nuk iu bënë kurrë. Ajo u flet, i dëgjon, i pret dhe gëzohet me urimet e tyre. Përmes kufjeve që publiku mban gjatë gjithë shfaqjes, dëgjohen zërat e bashkëshortit, bijve, nipërve e mbesave dhe të afërmve të tjerë. Por në skenë shihet vetëm Sadika, përkohësisht edhe bashkëshorti, Azemi. 

Familja e saj është e pranishme vetëm në botën që ajo ka ndërtuar për të mbijetuar me mungesën.
Publiku dëgjon atë që dëgjon Sadika, por nuk sheh atë që sheh ajo. Zërat tjerë, të incizuar paraprakisht, publiku i dëgjon vetëm me kufje. 

Ngjashmëria e kësaj historie me përjetimet e grave që humbën familjarët gjatë luftërave në rajon e ka bërë shfaqjen shumë të afërt edhe për publikun në Kosovë. Në historinë e Sadikës është lehtë të lexohet edhe dhimbja e Ferdonije Qerkezit, e cila humbi bashkëshortin dhe katër djemtë gjatë luftës në Kosovë. Dy histori të ndryshme, por me plagë të përbashkët: jetën që duhet të vazhdojë me dhimbjen e mungesës së atyre që u zhdukën me dhunë. Edhe Qerkezi shtron tavolinën për bashkëshortin dhe të bijtë që i mungojnë nga vitit 1999. U kidnapuan në shtëpinë tyre dhe u vranë siç ngjau me mbi 100 mijë civilë në Kosovë. E në Srebrenicë gjenocidi serb vrau mbi 8 mijë veta.  

Edhe “Taverna Mirësia” pa fjalë përmes kujtimeve, dhimbjes dhe trupit Kulturë “Taverna Mirësia” pa fjalë përmes kujtimeve, dhimbjes dhe trupit

Ngjashmërinë e rasteve e ka theksuar edhe regjisori Andrej Nosov, i cili ka treguar se ideja për shfaqjen ka lindur nga dëshira për ta trajtuar gjenocidin jo vetëm përmes përmasave të tij historike, por edhe përmes jetëve individuale që janë shuar bashkë me viktimat.

“Kur flasim për të kaluarën tonë të dhunshme, shpesh harrojmë se bëhet fjalë për njerëz konkretë, për fate njerëzore, për ata që ata nuk arritën t’i shihnin, për dashuritë që nuk i përjetuan dhe për shumë gjëra të tjera të zakonshme të jetës. Prandaj, për mua, koncepti ishte mjaft i qartë: doja të krijoja një darkë të njerëzve që në të vërtetë nuk janë aty”, ka thënë Nosov.

Ai ka treguar se për rreth tre vjet ka hulumtuar dokumente, ka dëgjuar rrëfime dhe është takuar me njerëz që i kanë mbijetuar gjenocidit në Srebrenicë. Takimi me një grua qe frymëzimi kryesor për projektin e tij.  

“Hyra në shtëpinë e një gruaje që jetonte e vetme dhe vërejta se kishte gjithçka në sasi të mëdha: shumë lugë, shumë pjata dhe shumë sende të tjera shtëpiake, ndonëse jetonte e vetme. Ajo sikur ndihej në siklet për këtë dhe më thoshte: ‘Ndoshta një ditë do të më duhen’. Ky moment më preku shumë. Edhe pse, në nivel personal, kam histori që në njëfarë mënyre ngjajnë me të, unë nuk e kam përjetuar dhe nuk do ta përjetoj kurrë atë që ka kaluar ajo grua. Atëherë e pyeta veten: si mund t’i përgjigjesh një personi që e ka humbur tërë familjen? Çfarë mund t’i thuash? Sidomos kur vjen nga Serbia dhe e di se Serbia është përgjegjëse për këtë krim”, është shprehur regjisori Nosov. 

Ka thënë se për historinë e këtij vendi ka pasur kohë të gjatë që e ka pasur në mendje të realizonte një dramë dhe se më pas e kishte ftuar dramaturgen Basha për ta shkruar dramën e plotë. 

“Organizuam disa punëtori, diskutuam për personazhet dhe për atë që dëshironim të thoshim. Ajo pastaj, përmes versioneve të njëpasnjëshme, e zhvilloi tekstin deri në formën përfundimtare. Në këtë kuptim, procesi ishte ndryshe nga mënyra se si punohet zakonisht në teatër, ku merret një dramë e gatshme dhe më pas vihet në skenë. Kjo dramë u zhvillua posaçërisht për këtë shfaqje, përmes një procesi të gjatë hulumtues.

Në skenë, krahas aktores kryesore, Mirjana Karanoviq, janë edhe Svetozar Cvetkoviq në rolin e bashkëshortit imagjinar, Azemit, dhe aktori Alban Ukaj, i cili luan Martinin, kujdestarin që e viziton dhe kujdeset për Sadikën. Në një nga momentet e prekshme është edhe ai ku Martini përpiqet ta ndalojë atë që të pijë ilaçet të përziera me dheun e vazos së luleve. Për Sadikën, ky veprim është mënyrë për t’u lidhur me të dashurit e saj, trupat e të cilëve kanë mbetur diku në tokën e Srebrenicës.
Gradualisht, iluzioni i saj për bashkimin familjar nis të shpërbëhet kah fundi i shfaqjes. Një nga një, të afërmit e saj zhduken nga bota e imagjinuar. Edhe Azemi, i cili nuk është më aty. Në fund mbetet vetëm Martini, i luajtur nga aktori Ukaj i cili, pasi përfundon rolin e tij nuk largohet nga hapësira e shfaqjes, por ulet në rreshtin e parë të publikut. Megjithatë, Nermini, vajza e saj, të cilën e përmend dhjetëra herë në shfaqje, i shfaqet Sadikës në fund për t’ia uruar ditëlindjen.

Për aktoren Mirjana Karanoviq, personazhi i Sadikës është një grua që ka krijuar një realitet paralel për të përballuar vetminë. 

“Ajo është, para së gjithash, një nënë që i mungojnë fëmijët dhe nipërit e mbesat. Siç e pamë, kur i heq kufjet, nuk mund t’i dëgjojë zërat. Ata janë të gjithë imagjinarë. Kjo është historia e një gruaje që humbi tre djemtë dhe bashkëshortin në gjenocidin e Srebrenicës. Ajo jeton në Holandë dhe, gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë e vetme, duke imagjinuar se sa e madhe do të mund të ishte familja e saj nëse Srebrenica nuk do të kishte ndodhur kurrë”, është shprehur aktorja. 

Ajo kujton se pas premierës në Sarajevë, njëra nga nënat e Srebrenicës i kishte thënë diçka që atë e kishte prekur fort. 

“Pas premierës në Sarajevë, njëra nga nënat e Srebrenicës erdhi tek unë dhe më tha: ‘Tani të gjithë e dinë se si duket jeta jonë’. Kjo më preku dhe më emocionoi jashtëzakonisht shumë. Munda ta ndieja zbrazëtinë që ajo mbart brenda vetes dhe nevojën për të krijuar një botë të re, një botë përkrah asaj reale. Një botë ku mund të dëgjojë vetëm ajo. Me të gjithë këta të afërm dhe bashkëshortë imagjinarë”, ka kujtuar aktorja Karanoviq me zë të dridhur. 

Teksti i Doruntina Bashës është zhvilluar përmes procesit të gjatë hulumtues dhe punëtorive të përbashkëta, në një bashkëpunim që ka përfshirë Sarajevën, Beogradin dhe Prishtinën. Basha kishte paraprakisht edhe një tjetër shfaqje me vulën e saj si autore – “Gishti”, me regji të Ana Tomoviq. Shfaqja, produksion i “Heartefact” nga Beogradi është, siç bëhet e ditur nga ta, shfaqja më jetëgjatë në repertorin e tyre, që nga viti 2012. 

Edhe “Nyga” me dhimbjen dhe mohimin përballë humbjes së kujtesës Kulturë “Nyga” me dhimbjen dhe mohimin përballë humbjes së kujtesës

Edhe produksioni “Ata s’janë më” është realizuar nga “Heartefact Fund” dhe Teatri i Luftës i Sarajevës, duke bashkuar artistë nga Kosova, Serbia dhe ata të Bosnjë-Hercegovinës. 

Aktori serb Svetozar Cvetkoviq ka thënë se prezantimi në Kosovë kishte rëndësi të veçantë për shkak të afërsisë së temës që shfaqja trajton në raport me kontekstin lokal. 

“Është një histori që, fatkeqësisht, nuk është e njohur vetëm për njerëzit nga Bosnjë-Hercegovina apo Srebrenica. Ajo është e afërt dhe shumë prekëse edhe për njerëzit në Kosovë”, ka thënë Cvetkoviq, duke vlerësuar edhe reagimin e publikut ndaj interpretimit të Karanoviqit.

“Kjo shfaqje trajton një histori që, fatkeqësisht, nuk është e njohur vetëm për njerëzit nga Bosnjë-Hercegovina apo Srebrenica. Ajo është e afërt dhe shumë prekëse edhe për njerëzit në Kosovë, për të gjithë komunitetin këtu. Prandaj ishte shumë e rëndësishme për ne që mbrëmë të luanim në Prizren dhe sonte në Prishtinë. Ishte emocionuese për ne të shihnim reagimin e publikut këtu dhe mënyrën se si ai komunikonte me shfaqjen, veçanërisht me Mirjana Karanoviqin, e cila interpreton rolin kryesor”, ka thënë aktori Cvetkoviq. 

Ka treguar se edhe në shfaqjen që kishin në Teatrin Shqiptar në Shkup, rreth dy javë më parë, përjetimi i publikut ishte po aq prekës sa në Prishtinë. 

Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, e ka përkthyer tekstin e shfaqjes nga shqipja në serbisht. E ka vlerësuar si minimaliste qasjen e shfaqjes.  Sipas tij, tragjedia është trajtuar pa retorikë të tepërt, duke e vendosur në qendër fatin e një gruaje të mbetur pa familje.

“Subjektin e kam njohur, por shfaqjen po e shoh për herë të parë, sepse nuk kam pasur mundësi të udhëtoj as në Beograd, as në Sarajevë për ta parë. Është një dramë shumë e ndjeshme dhe subtile. Tema e këtij projekti është hulumtuar për rreth tre vjet, ndërsa Doruntina e ka shtjelluar në mënyrë shumë të veçantë. Është një qasje minimaliste. Një grua në moshë të shtyrë, jeton diku në Holandë, e vetme, vetëm me kujtimet e saj, pasi e gjithë familja është e zhdukur”, ka thënë Maliqi. 

Ka thënë se njohja me historinë e shfaqjes “Ata s’janë më” ka qenë përjetim i rëndë. 

“Për mua, dhe për gjithë publikun, ka qenë përjetim i rëndë. E trajton tragjedinë pa fjalë të mëdha dhe pa e rënduar me retorikë. Në qendër është tragjedia e një gruaje që ka mbetur pa askënd. Është një prej tragjedive më të mëdha që kanë ndodhur, gjenocid zyrtarisht. Është Srebrenica. Edhe interpretimi i Mirjana Karanoviqit është shumë i fuqishëm. Një nga zgjedhjet më të mira regjisoriale është që zërat e atyre që nuk janë më të pranishëm, por dëgjohen vetëm përmes kufjeve”, ka konsideruar Maliqi. 
Me rreth 40 repriza të prezantuara deri më tash në Beograd, sipas regjisorit, “Ata s’janë më” ka ndërtuar tashmë rrugëtim të rëndësishëm skenik. 

Kjo vepër ka marrë çmime të rëndësishme. Në qershor të vitit 2025, Andrej Nosov është nderuar me çmimin “Ljubomir Muci Drashkiq” për regjinë, ndërsa në edicionin e 20-të të festivalit ndërkombëtar të teatrit “SKUPI”, në tetor të këtij viti, shfaqja ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë. Mirjana Karanoviq është shpërblyer me çmimin “Luran Ahmeti” për interpretimin e Sadikës. 

Shfaqja është pritur mirë nga publiku dhe komuniteti artistik, por për të ka pasur edhe reagime të ashpra në Serbi. Për këto reagime, regjisori ishte pyetur drejtpërdrejt në një intervistë për gazetën serbe “Kurir” të publikuar më 25 qershor të vitit të kaluar. Ai kishte konfirmuar se ekipi ka marrë sulme dhe se ato kanë qenë të pritshme.

“Sulmet që kemi marrë kanë qenë disi të pritshme. Ky mekanizëm dhe kjo mënyrë reagimi janë pjesë e çdo diskutimi më serioz në shoqërinë tonë”, kishte thënë Nosov. 

Edhe “Të panjohur” për të tashmen që ringjall tragjeditë antike Kulturë “Të panjohur” për të tashmen që ringjall tragjeditë antike

Në një tjetër intervistë, për gazetën “Danas”, Nosov kishte theksuar se në Serbi çdo thirrje për përgjegjësi lidhur me luftërat e viteve ’90 shpesh etiketohet si veprim tradhtar. “Neve nuk do të na shkatërrojnë e vërteta, faktet dhe përgjegjësia. Do të na shkatërrojnë heshtja, fshehja e së vërtetës dhe mungesa e përgjegjësisë”, kishte deklaruar regjisori.

Në fund të rrëfimit të shfaqjes “Ata s’janë më”, Sadika mbetet përballë tryezës së saj që nuk do të mbushet më. Për të, kujtimi është mënyrë për të vazhduar të jetojë.