Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Taverna Mirësia” pa fjalë përmes kujtimeve, dhimbjes dhe trupit

“Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”

“Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia” e Mario Banushit (i edhe cili luan në shfaqje) të premten mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë ka hapur edicionin zero të festivalit ndërkombëtar të teatrit “La Rremë” (Foto: Gjeni Basha)

Mario Banushi do ta krijonte shfaqjen “Taverna Mirësia” duke u nisur nga kujtimet për lokalin që i ati kishte në Shqipëri. Aty ndërthuren historia e një familjeje dhe mungesa e të atit, i cili, si kuzhinier dhe shpirt i tavernës, i priste mysafirët çdo mbrëmje me mirësi. Një ngjarje e papritur do të linte gjurmë në jetën e autorit. Me “Tavernën....” e tij – e cila e ka sjellë për herë të parë në Kosovë – ai shpalos një rrëfim ekzistencialist në përballje me humbjen

Kujtimet, mungesa dhe dhimbja e humbjes janë vënë në skenë me shfaqjen “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”. Me të, të premten mbrëma është hapur në Prishtinë edicioni zero i festivalit ndërkombëtar të teatrit “La Rremë”. Vepra me autor dhe regjisor Mario Banushin, i cili më 2026 ka marrë “Luanin e Argjendtë” në Bienalen e Teatrit në Venecia, e ka sjellë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve rrëfimin ku fjalët zëvendësohen nga lëvizjet e trupit dhe muzika.

E konceptuar pa tekst, shfaqja nis me tinguj të muzikës tradicionale shqiptare, të transformuar në një lloj vajtimi. Dy gra qëndrojnë statike, ndërsa një grua e moshuar zvarritet nga dhimbja, para se një personazh t’ia japë lajmin e kobshëm. Që nga kjo hyrje, rrëfimi ndërtohet nëpërmjet  gjesteve dhe reagimeve të personazheve, duke e lënë publikun të depërtojë në botën ku emocionet nuk shpjegohen, por përjetohen.

“Është një grua që vajton për bashkëshortin e saj, por që është edhe grua, edhe bretkosë. Ajo vajton, por deri në një pikë të caktuar. Pra, vajton, por kaq. Pastaj vazhdon me jetën e saj”, ka thënë aktorja greke, Rita Lytou, duke përshkruar personazhin e saj.

Në këtë vepër, mungesa është forcë që nxjerr në pah mënyrat sesi njerëzit përballen me humbjen. Disa trishtohen, të tjerë zemërohen, ndërsa disa nuk arrijnë ta përballojnë dhimbjen dhe përpiqen ta fshehin atë. Përmes këtyre reagimeve, shfaqja ndërton rrëfimin për kujtimet që mbeten edhe atëherë kur njerëzit largohen, si dhe për ndryshimet që lë pas një përvojë e dhimbshme.

Mario Banushi e ka krijuar “Taverna Mirësia” duke u nisur nga kujtimet për lokalin që i ati kishte në Shqipëri. Në përshkrimin e veprës, lokali paraqitet si hapësirë ku ndërthuren historia e një familjeje dhe mungesa e të atit, i cili, si kuzhinier dhe shpirt i tavernës, i priste mysafirët çdo mbrëmje me mirësi. Një ngjarje e papritur ka lënë gjurmë vendimtare në jetën e autorit.

Në këtë vepër, mungesa është forcë që nxjerr në pah mënyrat sesi njerëzit përballen me humbjen. Disa trishtohen, të tjerë zemërohen, ndërsa disa nuk arrijnë ta përballojnë dhimbjen dhe përpiqen ta fshehin atë (Foto: Gjeni Basha)

Përmes copëzave të kujtesës, ai përballet me mungesën e të atit, i cili disa vjet më parë ka ndërruar jetë. Shfaqja bëhet një lamtumirë për të, por edhe reflektim mbi pikëpyetjet ekzistenciale që shoqërojnë kalimin e viteve.

“Është një shfaqje pa fjalë, por që flet përmes një gjuhe ndoshta filozofike, përmes lëvizjeve të trupit. Unë dua që njerëzit jo domosdoshmërisht të kuptojnë, por të ndiejnë. Prandaj nuk dua të punoj me fjalë, sepse ndonjëherë, kur flasim, mendojmë shumë dhe nuk e ndiejmë energjinë e trupit të tjetrit”, ka thënë Banushi.

Ai ka treguar se ardhja në Kosovë e ka bërë përvojën e prezantimit të veprës edhe më të veçantë.

“Është hera e parë që vij në Kosovë dhe ndihem shumë afër me këtë vend, sepse flas shqip dhe jam nga Shqipëria. Ndihem sikur kam ardhur te kushërinjtë e mi dhe jam shumë i lumtur që kjo ndodhi, që patëm mundësinë ta shfaqnim këtu veprën që kam krijuar për lokalin, për restorantin që babai im kishte në Shqipëri”, ka thënë ai.

Banushi ka theksuar se nuk synon t’i japë publikut vetëm  interpretim të ngjarjeve.

“Dua që, përmes kësaj shfaqjeje, njerëzit që janë ulur në sallë, qoftë edhe vetëm një apo dy prej tyre, të ndiejnë diçka dhe të ndryshojnë diçka brenda vetes”, ka thënë ai.

Sipas tij, titulli përmbledh pikërisht shumëllojshmërinë e reagimeve që mund të ngjallë humbja.

“Shfaqja i përfshin të gjitha anët, siç e tregon edhe vetë titulli. Nuk ka vetëm një këndvështrim, por i përfshin të gjitha. Desha ta paraqis pikërisht këtë: mënyrën se si njerëzit reagojnë kur dikush largohet. Disa trishtohen, disa zemërohen, disa nuk mund ta përballojnë dot. Të gjitha këto emocione janë pjesë e shfaqjes”, ka thënë Banushi.

Krahas gjuhës së trupit, muzika është një tjetër shtresë e rëndësishme e rrëfimit. Tingujt tradicionalë shqiptarë e thellojnë atmosferën e vajtimit dhe të kujtesës. Në një nga momentet e shfaqjes, vallja shqiptare interpretohet nga vajza tërësisht të zhveshura e të lyera me baltë, duke krijuar imazhin ku trupi shndërrohet në bartës të dhimbjes dhe të simbolikës.

Shfaqja ndërton rrëfimin për kujtimet që mbeten edhe atëherë kur njerëzit largohen, si dhe për ndryshimet që lë pas një përvojë e dhimbshme (Foto: Gjeni Basha)

Këngëtarja greke, Savina Yannatou, e cila merr pjesë në shfaqje duke e ilustruar rrëfimin me këngë, ka treguar se përshtatja e Sallës së Kuqe për këtë produksion ka kërkuar punë të veçantë nga ekipi teknik. Sipas saj, megjithëse hapësira nuk është teatër në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ajo është shndërruar në skenë funksionale.

“Publiku ishte shumë i ngrohtë. Ekipi ynë teknik punoi shumë që në fillim për ta përgatitur këtë sallë, sepse nuk është tamam një teatër. Megjithatë, gjithçka funksionoi në mënyrë të përsosur. Salla u shndërrua në një teatër dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Për mua ishte një përvojë shumë interesante, sepse unë jam këngëtare, jo aktore”, ka thënë Yannatou.

Ajo ka shpjeguar se muzika është ndërtuar përmes improvizimit, ndërsa një nga momentet përfshin një ninullë shqiptare.

“Këndoja në skenë dhe kishte edhe improvizime. Improvizimi i parë ishte një ninullë shqiptare, por në të kishte vetëm një fjalë shqipe. Ishte kënga e vetme tradicionale, ndërsa gjithçka tjetër përbëhej nga improvizime mbi muzikën”, ka thënë ajo.

Për artisten Agnes Nokshiqi, mungesa e tekstit e zgjeron mundësinë e interpretimit.

“Unë jam për shfaqjet pa tekst, ashtu siç është edhe kjo shfaqje. Është një performancë fantastike, me një estetikë dhe simbolikë të jashtëzakonshme. Nuk më kujtohet kur kam parë një performancë kaq të bukur dhe kaq domethënëse. Shfaqja pa tekst na ka lënë hapësirë për të interpretuar dhe për të parë se sa shumë mund të bëjmë pa thënë asnjë fjalë, duke e kuptuar tërësisht ngjarjen”, ka thënë Nokshiqi.

“La Rremë” me edicionin zero, “nderon një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, ndërsa shikon nga e ardhmja” 

Për aktoren Rita Lytou, prezantimi në Prishtinë ka qenë edhe  mundësi për të njohur një qytet me të cilin ka ndier afërsi që në vizitën e parë.

“Më pëlqen shumë Prishtina si qytet. Është hera e parë që vij këtu dhe më pëlqen vërtet. Mendoj se ka diçka që na afron shumë me kulturën tonë. Jam nga Greqia dhe jetoj në Athinë, por këtu, në Prishtinë, ndiej se jemi të ngjashëm. Kemi shumë gjëra të përbashkëta në mënyrën se si jemi si njerëz dhe si argëtohemi. Dua të them se këtu gjej diçka që e ndiej si timen dhe do të doja të qëndroja më gjatë. Nëse kam kohë, do të vij përsëri për të qëndruar këtu për një periudhë më të gjatë”, ka thënë ajo.

Në “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia” – që është kapitulli i fundit i trilogjisë së Banushit – e padukshmja bëhet e pranishme përmes shenjave të lëna pas nga ata që mungojnë. Kujtimet, veprimet e së kaluarës dhe emocionet e pathëna nuk zhduken bashkë me njerëzit, por vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si të gjallët e përballojnë humbjen.  

Sipas themeltarëve, festivali “La Rremë” lindi nga një ide e thjeshtë, por ambicioze:  “që Prishtina të bëhet një pikë e rëndësishme takimi për teatrin dhe performancën bashkëkohore në Evropë. Festivali synon të krijojë një vend ku artistët vijnë jo vetëm për të prezantuar punën e tyre, por edhe për të shkëmbyer ide, për të frymëzuar njëri-tjetrin, për të krijuar lidhje dhe për të hapur mundësi për bashkëpunime të reja”.

Dhe hapja me “Taverna Mirësia” i shkon për shtat këtij misioni. “Duke mbajtur emrin e Muharrem Qenës – ‘La Rremë’, një prej figurave më me ndikim në historinë e teatrit në Kosovë, Festivali nderon një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, ndërsa shikon nga e ardhmja. Edicioni zero shënon fillimin e një vizioni afatgjatë për ndërtimin e një platforme kulturore të qëndrueshme, me ambicie rajonale dhe ndërkombëtare, duke forcuar vendin e Prishtinës në hartën kulturore evropiane”, ishte paralajmëruar “La Rremë”, i cili të shtunën mbrëma ka lënë prapa edicionin zero.