Një vajzë e re që përballet njëkohësisht me humbjen e të atit, tradhtinë dhe dhunën, bëhet qendra e filmit “Vidra”, nën regji të Srdjan Vuletiqit dhe skenar të Stefan Boskoviqit, i cili është shfaqur në Prishtinë në kuadër të edicionit të 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Si bashkëprodhim ndërkombëtar midis Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Italisë dhe Kroacisë, filmi vlerësohet se largohet nga temat që shpesh kanë dominuar kinematografinë e rajonit, për t’u përqendruar te njeriu, trauma dhe nevoja për të rimarrë kontrollin mbi jetën.
Në qendër të rrëfimit – që të shtunën mbrëma është shfaqur për herë të parë në Kosovë, në kinemanë “Armata” – është Hana e luajtur nga aktorja Masha Drashler, e cila takon Balshën, një djalë që e fton për të xhiruar eklipsin e diellit pranë Liqenit të Shkodrës. Por pikërisht atë ditë, jeta e Hanës ndryshon në mënyrë të pakthyeshme. Babai i saj vdes dhe lë pas një testament me një dëshirë të pazakontë: të varroset i veshur me kostum hapësinor.
Ajo që në fillim mund të duket si kërkesë absurde, për Hanën bëhet çështje e dinjitetit dhe e përmbushjes së amanetit të të atit. Familja heziton ta pranojë këtë dëshirë dhe Hana nis përballjen me pengesat për ta çuar deri në fund vullnetin e tij. Paralelisht me dramën familjare, filmi ndërton një tjetër linjë tensioni përmes raportit të saj me Balshën dhe shokun e tij, Lukën.
Luka, i cili fillimisht shfaqet si një djalë më problematik, gradualisht del të jetë krejt ndryshe nga përshtypja e parë. Ndërsa Balsha, përkundrazi, zbulon një anë gjithnjë e më negative. Xhelozia ndaj raportit të Hanës me shokun e tij e shtyn atë drejt një tentative për ta dhunuar atë. Më vonë, gjatë rrugëtimit pranë zonës malore, Balsha e shtyn Lukën, duke e thelluar te Hana bindjen se njeriu që ajo kishte menduar ndryshe po shfaq një tjetër fytyrë.
Në këtë mënyrë, eklipsi, i cili në fillim është arsyeja e takimit të tyre, gradualisht humbet rëndësinë përballë dramës njerëzore që zhvillohet midis personazheve. Ndërkohë, në një linjë paralele, vazhdon përpjekja e Hanës për t’ia plotësuar babait dëshirën e fundit. Edhe pasi Balsha shkon t’i kërkojë falje, ai mëson për vdekjen e të atit të Hanës dhe për situatën me varrimin.
Përfundimisht, dëshira e babait për t’u varrosur me kostum hapësinor përmbushet, por ceremonia nuk kalon pa tensionet e veta, veçanërisht në marrëdhënien midis Hanës dhe nënës së saj.
Bashkëproducenti nga Kosova, Fatmir Spahiu, është shprehur se “Vidra” dallon nga një pjesë e konsiderueshme e filmave të rajonit, veçanërisht nga ata që lidhen drejtpërdrejt me identitetin, politikën apo pasojat e luftërave dhe konflikteve.
“Është një film interesant, bashkëprodhim midis Malit të Zi me Kosovën, Bosnjën, Italinë dhe Kroacinë. Është film që është pak jashtë këtij rregulli të filmave të identitetit ose filmave politikë ose krizave të ndryshme që burojnë nga lufta e konflikte të ndryshme. Ky është një film njerëzor dhe nëse mund të përkufizohet me një emër, është me të vërtetë ‘art house’ në kuptimin klasik të emërtimit”, ka thënë Spahiu.
Për të, bashkëpunimi ka qenë i rëndësishëm jo vetëm në aspektin e produksionit, por edhe në përvojën e tij si aktor. Spahiu, i cili në film shfaqet në rolin e një ushtari që do ta nderonte babanë e Hanës në varrim, ka thënë se përvoja e tij e gjatë në komedi është vështirë të mos ndikojë edhe në një rol më serioz.
“Kam luajtur komedi shumë dhe është e pamundur të shkëputem prej asaj loje edhe pse jam munduar që atë rol episodik ta trajtoj me seriozitetin më të madh, por natyrisht që komedia del rrugës”, është shprehur ai.
Përtej historisë së Hanës, regjisori Srdjan Vuletiq e sheh bashkëprodhimin si një prej vlerave të filmit. Sipas tij, përfshirja e disa vendeve të rajonit dhe më gjerë është dëshmi se arti dhe profesioni mund të krijojnë ura bashkëpunimi edhe në një hapësirë ku historia ka lënë ndarje të shumta.
“Ky film është një bashkëprodhim midis Malit të Zi, si shteti kryesor i produksionit, dhe Kosovës, Italisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ky është një tjetër shembull se si artistët mund t’i bashkojnë njerëzit dhe të punojnë së bashku, gjë që mendoj se është një mesazh shumë i fuqishëm për botën e sotme”, ka thënë Vuletiq.
Ai e ka përkufizuar filmin si një histori të rritjes dhe pjekurisë, ku përvoja e dhimbshme e protagonistes shndërrohet në një përpjekje për ta marrë jetën në duart e veta.
“Sa i përket filmit, është një histori e rritjes dhe pjekurisë, që rrëfen për një vajzë të re e cila humb babanë dhe tradhtohet nga i dashuri i saj, ndërsa lufton për lirinë e saj. Do të thosha se është një film shumë inkurajues, që tregon se duhet ta kesh jetën tënde nën kontroll”, ka treguar ai.
Për Vuletiqin, pranimi i problemit është vetëm fillimi i procesit për ta tejkaluar atë.
“Duhet të jesh personazhi kryesor në jetën tënde, sepse nëse nuk je i tillë, atëherë dikush tjetër do ta përcaktojë fatin tënd në vendin tënd. Prandaj, ky film përpiqet t’i inkurajojë njerëzit që të përballen me problemet e tyre”, ka thënë ai.
“Në film trajtojmë edhe traumën dhe përpiqemi t’i themi audiencës se, nëse keni trauma apo probleme, nuk mund të ikësh prej tyre, sepse këto probleme do të të ndjekin. Fillimisht duhet ta pranosh se ke një problem – ky është hapi i parë – dhe hapi i dytë është të gjesh mënyrën se si ta zgjidhësh. Mendoj se filmi ynë tregon se të gjithë mund t’i zgjidhim problemet tona, por duhet fillimisht ta kuptojmë dhe ta pranojmë se i kemi ato probleme”, është shprehur regjisori.
Bashkëpunimi me Kosovën nuk është kufizuar vetëm në pjesën e produksionit. Në film janë angazhuar aktorët: Edona Reshitaj, Aurita Agushi, Llora Nikprelaj e Fatmir Spahiu, ndërsa pjesë e ekipit kanë qenë edhe profesionistë të zërit. Me zërimin e filmit kanë punuar Srdjan Kurpjel dhe Renato Minichelli, ndërsa mixer i produksionit është Pëllumb Ballata dhe Nok Selmani.
Vuletiq ka veçuar pikërisht punën e ekipit nga Kosova, duke e lidhur atë me një vlerësim që ka marrë filmi gjatë postproduksionit.
“Ekipi nga Kosova ishte vërtet shumë i mirë dhe nuk ishte i vogël; ai ishte pjesë e rëndësishme e produksionit. Kishim tre apo katër aktorë e aktore nga Kosova, si dhe pjesëtarë të ekipit të zërit”, ka thënë ai.
Sipas tij, cilësia e punës së profesionistëve kosovarë është vërejtur edhe gjatë përpunimit të zërit të filmit.
“I thashë edhe përgjegjësit kryesor të zërit se, kur e përfunduam filmin dhe kaluam në fazën e postproduksionit, personi që po merrej me përpunimin dhe bashkimin e të gjithë tingujve më tha se nuk kishte pasur kurrë një material zanor kaq të pastër dhe të mirë nga xhirimet. Mendoj se kjo tregon se profesionistët nga Kosova janë vërtet shumë të mirë, veçanërisht pasi ky kompliment vinte nga dikush që kishte punuar për shumë vite në Angli”, është shprehur Vuletiq.
Filmi “Vidra” ka ndërtuar një rrëfim për lirinë personale dhe për përpjekjen për të mos ia dorëzuar dikujt tjetër drejtimin e jetës.