Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë ndaj 4 personave e 3 kompanive për keqpërdorime në kontratat e rrugëve në Suharekë

Prokuroria Themelore Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Në rast përfshihen dy kontrata për ndërtimin e rrugëve  në Komunën e Suharekës, të lidhura gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Sipas aktakuzës, E.Sh. dhe B.K. dyshohet se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa A.S. dhe B.S., së bashku me kompanitë “K.H.” Sh.P.K., “I.” Sh.P.K. dhe “H.S.” Sh.P.K., akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Kontrata e parë, e vitit 2022, sipas Prokurorisë, përfshin E.Sh., në cilësinë e drejtorit për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës, dhe B.K., në cilësinë e zyrtarit për menaxhimin e projekteve dhe menaxherit të kontratës.

Sipas aktakuzës, gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës, të dyshuarit kanë pranuar dhe certifikuar punime si të realizuara, ndonëse verifikimet në terren kanë treguar se ato nuk ishin kryer në përputhje me kontratën.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se ndryshimet në pozicionet dhe lokacionet e punimeve nuk janë proceduar në pajtim me rregullat e prokurimit publik.

Sipas aktakuzës, këto veprime i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 8,300 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm në të njëjtën shumë.

Ndërsa, rasti i dytë lidhet me një kontratë të vitit 2021.

Sipas Prokurorisë, E.Sh. dhe B.K., në cilësitë e tyre zyrtare, nuk i kanë përmbushur detyrat gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës.

Ata dyshohen se kanë pranuar punime si të përfunduara, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishin realizuar sipas kontratës. Gjithashtu, sipas aktakuzës, ndryshimet në kontratë nuk janë proceduar në përputhje me rregullat e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim prej mbi 1,600 euro, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën vlerë.

Në lidhje me kontratën e vitit 2021, A.S. dhe personi juridik “H.S.” Sh.P.K. akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e kontraktuara dhe se kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera.
Sipas aktakuzës, këto veprime i kanë shkaktuar Komunës së Suharekës dëm prej 1,661.20 euro.

Ndërkaq, për kontratën e vitit 2022, B.S. dhe personat juridikë “I.” Sh.P.K. dhe “K.H.” Sh.P.K. dyshohet se nuk i kanë realizuar punimet në përputhje me kontratën dhe se kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera.

Në këtë rast, dëmi i pretenduar ndaj Komunës së Suharekës arrin në 8,301.78 euro.

Në total, sipas shumave të paraqitura në aktakuzë, dëmi i pretenduar ndaj Komunës së Suharekës nga të dyja rastet arrin në 9,962.98 euro.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.