Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filharmonia i jep ritëm kujtesës dramatike dhe ngjall tingujt e shpresës

Filharmonia

Vepra e Michael Abels që bazohet te ndodhia e familjes boshnjake Berbiq, e cila gjatë luftës së viteve ’90 qe zhvendosur në Danimarkë, është rrëfim muzikor që prek edhe historitë e shumë shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit. Kitaristi virtuoz, slloveni Mak Grgić, e ka sjellë ndjesinë që zgjon vepra bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës (Foto: Arben Llapashtica)

Dramatikja, e cila shpalos edhe kapacitetin e fuqishëm të tragjikes që përcjell Johannes Brahms, përcillet me një vepër tjetër që po ashtu ka për bazë tragjiken, por kësaj radhe me fokus të përqendruar te Ballkani. Koncerti për kitarë dhe orkestër, “Borders”, i kompozitorit amerikan, Michael Abels, zë fill tek ekspozita përvoja e një familjeje boshnjake refugjate. Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me festivalin “ReMusica” në pjesën e parë të koncertit i kanë dhënë ritëm kujtesës dramatike dhe në të dytën kanë ngjallu tingujt e shpresës me meloditë e Antonín Dvořákut

“Uvertura tragjike”, Op. 81, e Johannes Brahmsit nuk lë vend për hamendësim. Ashtu siç e ka edhe titullin, që në fillim ka një hyrje dramatike dhe ekspozim të materialit tematik. Por në pjesën e dytë vjen me karakter më të përmbajtur dhe reflektues. Kompozitori gjerman, në vitin 1880, do t’i sillte repertorit të muzikës serioze një vepër me peshë të madhe sa i përket tragjikes. E në këtë frymë hapet edhe koncerti i Filharmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës “ReMusica”.

Dramatikja kthehet sërish në lojë në pjesën e tretë të veprës, e cila shpalos edhe kapacitetin e fuqishëm të tragjikes që përcjell Johannes Brahms. Pikërisht kjo vepër është një prej shprehjeve më të përqendruara të gjuhës së tij muzikore, ku ndërthuren seriozja dhe e errëta, me tension të vazhdueshëm emocional dhe me një strukturë të ndërtuar mbi kontrastet dramatike. Nën dirigjimin e Marco Crispo-s, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, në “Atelienë” e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ka shpalosur me finesë veprën që nuk është krijuar për një dramë konkrete dhe nuk rrëfen një histori të caktuar. Tragjizmi i saj shprehet përmes vetë muzikës. E në Ballkan edhe tragjizmi kolektiv, që ka qenë i pranishëm për një kohë të gjatë, tash shpesh e nxjerr kokën në raste më të izoluara. Hapësira sikur e plotëson veprën në kuptimin simbolik, pasi tragjedi më vete është që institucioni më i lartë muzikor në vend interpreton në një sallë të mjerë, ku veç muzika serioze nuk luhet.

Pas kësaj vepre, Orkestra dhe dirigjenti kanë mirëpritur kitaristin Mak Grgić për të interpretuar një vepër tjetër që ka për bazë tragjiken, por kësaj radhe me fokus të përqendruar te një histori e veçantë. Koncerti për kitarë dhe orkestër, “Borders”, i kompozitorit amerikan Michael Abels, zë fill tek ekspozita “Sahara: Acts of Memory”, e cila dokumentonte përvojën e një familjeje boshnjake refugjate, familjes Berbic. Gjatë luftës së viteve ’90, familja ishte vendosur në kampin e refugjatëve “Sahara” në Danimarkë. Në mesin e saj ishte edhe artisti grafik, Ismet Berbic. Ekspozita, e realizuar nga Amir Berbiq, përqendrohej në përpjekjet e familjes për të ruajtur identitetin dhe për të mbijetuar. Kjo histori pati ndikim të drejtpërdrejtë te kompozitori Michael Abels dhe kitaristi slloven, Mak Grgić, për të cilin edhe është shkruar koncerti. Grgić po ashtu është prekur nga luftërat gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe publiku në Prishtinë ka histori shumë të ngjashme me ikjen për të shpëtuar apo dëbimin e dhunshëm gjatë viteve 1998–1999, si pasojë e luftës në Kosovë.

Kitara dhe Grgić si interpretues janë në qendër të koncertit. Vepra bashkëkohore, që ka ardhur në frymën e “ReMusica”-s, sjell një lojë ku kitaristi përpiqet të gjejë hapësirë dhe liri, por vazhdimisht përballet me pengesa të krijuara nga Orkestra. Më pas, tensionet muzikore simbolizojnë një fëmijë që vrapon, herë me gëzim e herë nga frika, ndërsa lëvizja dhe energjia e tij bëhen simbol i përpjekjes për të vazhduar përpara. Bashkëkohorja, bashkë me tematikën që bart, e bën nganjëherë situatën të duket sikur kitaristi luan “kokë më vete” në raport me Orkestrën. Por e gjithë kjo frymon në kuadër të tragjedisë së kalimit të kufijve në kohë lufte. Kitaristi virtuoz i skenave prestigjioze në botë, i nominuari katër herë për çmimin “Grammy”, ka mishëruar një individ që përpiqet të ruajë hapësirën e vet në një mjedis që vazhdimisht e kufizon. Dhe, bashkë me Orkestrën, i kanë dhënë jetë muzikore rrëfimit të shumëkujt që ka përjetuar luftërat e përgjakshme në Ballkanin e viteve ’90. Kjo prurje në koncertin që ka shënuar edhe fundin e edicionit të 25-të të “ReMusica”-s i ka paraprirë një vepre ku shpresa çon krye.

Filharmonia e Kosovës, në koncertin e së dielës mbrëma, nuk ka ngelur vetëm te kujtesa dhe drama e së kaluarës. Ka sjellë edhe aspirata dhe dritë plot shpresë, siç është “Simfonia nr. 8 në G-dur, Op. 88” e Antonín Dvořákut. Vepra e kompozitorit çek është një prej më të gjallave dhe më melodike të repertorit simfonik të periudhës romantike. Shquhet për natyrshmërinë e melodive dhe pasurinë e ngjyrave orkestrale. E tillë ka ardhur brenda kapaciteteve të Filharmonisë së Kosovës. Vepra ndërthur muzikën simfonike me traditën folklorike çeke. Me një fillim më të qetë dhe një melodi melankolike, vepra e romantizmit gradualisht hap rrugën drejt një atmosfere më të ndritshme. Ajo vazhdon me një udhëtim muzikor përmes qetësisë së natyrës, tensionit dhe momenteve të bukura lirike. Më pas, një lëvizje me karakter valsi, e ndërthurur me ritme të valleve tradicionale çeke, përcillet me një finale të ndërtuar mbi një temë melodike dhe një varg variacionesh që kulmojnë në një përmbyllje madhështore. Ajo që ndriçon shpresën dhe u jep sharm ëndrrave për ditë më të mira.

Dirigjenti italian, Marco Crispo, ka thënë se koncerti kishte shumë elemente që ishin vënë në dialog.

“Jemi në kornizat e festivalit ‘ReMusica’ dhe ideja është që të kemi një vepër të kohës sonë. Pra, një diskutim mbi kohën tonë dhe të ardhmen tonë ishte i domosdoshëm. Për këtë arsye zgjodhëm Koncertin për kitarë dhe orkestër, ‘Borders’. Bashkë me Filharmoninë donim diçka që është në gjendje t’i flasë audiencës. Mendova se cili është kompozitori me më shumë vizion, që fliste përmes gjuhës së kohës së tij, dhe ky është Brahmsi. Dhe zgjodhëm një simfoni që nuk është luajtur për një kohë të gjatë nga Filharmonia”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se njëri prej miqve të Brahmsit ishte Antonín Dvořák.

“Brahmsi e ka mbështetur atë dhe, falë tij, ai ka publikuar vepra në Gjermani. Është një kombinim shumë i mirë dhe në qendër kishim një vepër të kohës sonë. Me këto pyesim veten: a po e shpëton kjo muzikë kohën tonë dhe, nëpërmjet kohës sonë, a do ta ndjekim romantizmin e Brahmsit dhe Antonín Dvořákut dhe në çfarë forme? Kështu që ideja bazë ishte të kishim një koncert të ri me dy vepra të djeshme që i flasin të ardhmes dhe një vepër kompatibile, edhe pse në kontrast”, ka thënë Crispo.

Kurse ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka treguar se gjithçka ka nisur nga Koncerti për kitarë dhe orkestër, “Borders”. Ka thënë se bashkë me “ReMusica”-n kanë synuar një koncert bashkëkohor dhe se veprat për kitarë dhe orkestër janë të rralla.

“Kur e kam parë që është shkruar për një familje në Bosnjë, e cila për shkak të luftës është larguar, natyrshëm kjo mund të lidhej edhe me familjet nga Kosova. Pastaj, uvertura, në aspektin muzikor dhe tematik, shkon me Koncertin për kitarë dhe orkestër. Për të mos e lënë gjithë mbrëmjen të fokusuar te vuajtja dhe kujtesa për të shkuarën, Simfonia e Antonín Dvořákut, edhe pse nuk ka një fabul, paraprakisht nga kritika është parë si vepër që identifikohet me shpresën dhe dritën”, ka thënë ai.

Me tragjiken, një vepër koncertale që ka në fokus një histori ballkanike dhe një simfoni përmes së cilës aspirohen ditë më të mira, Filharmonia e Kosovës ka përmbledhur një dramë muzikore ku janë bashkuar rrëfime dhe histori që flasin zëshëm përmes tingujve. Atyre që kujtojnë të shkuarën dhe hedhin dritë mbi aspiratat e së ardhmes.