Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj duke komentuar projektbuxhetin prej 4 miliardë eurosh për vitin 2027 të miratuar nga Qeveria e Kosovës, ka thënë se që nga viti 2024 deri në vitin 2026, mbi 80% e rritjes së buxhetit ka shkuar për paga, subvencione e transfere ndërsa pak për investime kapitale.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se fokusi i këtij projektbuxheti do të jetë te investimet kapitale.
Hasaj në emisionin “Interaktiv” në KTV është shprehur se këtij buxheti me këtë vlerë “i kanë hije 10-15 projekte të mëdha kapitale”.
“Diku mbi 80% e rritjes së buxhetit në periudhën 2024-2026 ka shkuar tek kategoria e shpenzimeve rrjedhëse si: paga, mallra, subvencione dhe transfere. Një pjesë e vogël ka shkuar për investime kapitale. Për të qenë më konkret, në ekspozenë e fundit Kurti kishte premtuar mbi 13 poliklinika. Janë mbi 100 premtime konkrete që i ka dhënë. Mbi 500 milionë euro si investim në një projekt të Brezovicës, sot u tha në mbledhjen e Qeverisë që do të shikohet një partneritet publiko-privat i cili është vërtetë i duhur por shpresojmë që do ta ketë peshën e duhur në këtë projektbuxhet. Përmendet dyfishim i kapaciteteve të kogjenerimit te Kosova B që është po ashtu një projekt shumë i rëndësishëm. Thënë më thjesht, i ka hije një buxheti prej 4 miliardë eurosh t’i ketë të paktën 10-15 projekte të mëdha kapitale”, u shpreh Hasaj.
Hasaj ka thënë gjithashtu se ndryshe nga qeveritë e kaluara, projektbuxheti kësaj radhe është miratuar me vonesë. Sipas tij, nuk ka ndodhur të tejkalohet ky afat nga qeveritë e kaluara.
“Duhet theksuar se është pak me vonesë nëse e marrim për bazë kërkesën ligjore të Ligjit për Financat Publike, që thotë se deri më 31 tetor duhet të miratohet i njëjti. Nga praktikat e mëhershme edhe e qeverive të tjera nuk ka ndodhur të tejkalohet ky afat përveç kur ka pasur zgjedhje në vitin 2020 që e kemi pasur dikur miratimin në mars të 2020-s. Mirëpo në vitet e tjera jo. Në rastet kur ka rastisur të jetë vikend janë siguruar qeveritë e mëparshme që ta miratojnë të premten e fundit”, ka thënë Hasaj.
Edhe
4.27 miliardë buxhet për 2027-tën, një e katërta për paga
Edhe opozita e ka kritikuar qeverinë për vonesë në miratimin e projektbuxhetit për vitin 2027, duke e konsideruar shkelje të përgjegjësive institucionale.
Qeveria e ka proceduar të hënën për në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, për të cilin zyrtarët ekzekutivë kanë thënë se është dorëzuar brenda afatit ligjor.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në të janë përfshirë projekte infrastrukturore, për të cilat shkojnë mbi 1 miliard euro.
-
Investimet kapitale të Qeverisë Kurti për 2026 dhe projektet për vitin 2027 – sonte në “Interaktiv” Blendi Hasaj
-
GAP: Mbi 81% e buxhetit për projekte kapitale u dedikohet atyre të vitit të kaluar
-
Ahmeti: Ky buxhet dhe këto politika po blejnë qetësi sociale afatshkurte
-
Projektbuxheti për vitin 2027, 4.27 miliardë euro