Kronikë

Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve në Suharekë për keqpërdorimin me projektin e lapidarëve

aktakuze

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur kundër të pandehurve A.E., dhe L.G., për shkak të dyshimit se në cilësi të personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, nga 20 tetori 2023 e në vazhdim, të pandehurit lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshoj projektin dhe të realizoj punët që nuk kanë qenë në projekt, duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, sipas aktakuzës, e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejtë, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pavërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 € si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës, thuhet në aktakuzë.  

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe ndaj personave zyrtarë të shqiptohet dënimi plotësues - ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.