Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.B., drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe ndaj A.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., prej datës 23 shtator 2019 deri më 20 dhjetor 2021 në cilësinë e menaxherit të kontratës në projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t'i mundësojë përfitim operatorit ekonomik "A.G." Sh.P.K..
“Sipas aktakuzës, ai, në kuadër të kontratës në vlerë të përgjithshme prej 28,650.00 euro, për realizimin e projektit të lartëcekur, ka nënshkruar pagesën në vlerë prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas paramasës dhe parallogarisë, ndonëse në terren ato nuk ishin kryer në përputhje me kontratën dhe nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për kolaudim apo për ndryshim të punimeve. Me këto veprime, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material në shumën prej 5,000 euro, dëm i cili është vërtetuar edhe me ekspertizën e ndërtimtarisë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e personit përgjegjës të operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., me dashje thuhet se nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata e prokurimit publik për realizimin e projektit “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)" në fshatin Samadraxhë.
“Ai ka pranuar pagesën në shumën prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, ndonëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm material”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
-
Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve në Suharekë për keqpërdorimin me projektin e lapidarëve
-
U dhanë para për rrugë që s’u ndërtuan fare në Suharekë, aktakuzë për zyrtarë e pronarë kompanish
-
Aktakuzë për mashtrim në tenderin e sigurimit fizik në Prizren
-
Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Pallatit të Rinisë” për keqpërdorim të 137 mijë eurove
-
Aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren