Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

“Prada” i thotë jo AI-së, zgjedh vizatimin me dorë për Krishtlindje

Fotografi nga faqja zyrtare e “Pradas” në rrjetin social Instagram

Fotografi nga faqja zyrtare e “Pradas” në rrjetin social Instagram

Shtëpia e njohur italiane e modës, “Prada”, ka zgjedhur t’i kushtojë vëmendje krijimtarisë njerëzore në fushatën e saj të re për Krishtlindje, duke lënë mënjanë imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale (AI), ka shkruar EuroNews.

Fushata e titulluar “Drawing Prada: Animated By Hand” ndërthur pamjet filmike me personazhe dhe ambiente të vizatuara me dorë. Për realizimin e saj është angazhuar animatori i njohur John Pomeroy, i cili ka udhëhequr një ekip artistësh për krijimin e animacioneve.

Sipas “Pradas”, kjo qasje synon të theksojë rëndësinë e punës artistike dhe mjeshtërisë njerëzore.

“Ndjesia e prekjes shpreh një aspekt thelbësor të njerëzimit dhe lidhjen me mjeshtërinë artistike, e cila ka qenë gjithmonë në zemër të mënyrës se si ‘Prada’ krijon”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Fushata është zhvilluar nën drejtimin kreativ të disenjatorëve Miuccia Prada dhe Raf Simons, ndërsa çdo kuadër i animacionit është vizatuar me dorë. Në të shfaqen edhe ambasadorë të njohur të brendit, mes tyre aktorët Sadie Sink, Maya Hawke, Chen Haoyu, Luther Ford dhe Kelvin Harrison Jr.

Animatori John Pomeroy ka një karrierë të gjatë në industrinë e filmit. Ai ka punuar në disa produksione të njohura të gjigandit “Disney”, si “The Rescuers”, “The Fox and the Hound” dhe “Pocahontas”, si dhe në filma të tjerë të animuar.

Në një video nga prapaskenat e fushatës, Pomeroy ka shpjeguar pse vazhdon t’i qëndrojë besnik teknikës tradicionale.

“Unë e kam mësuar këtë profesion me laps dhe letër, përmes vizatimit tradicional. Kemi qëndruar besnikë ndaj kësaj mënyre të punës dhe dëshirojmë t’ua përcjellim atë edhe brezave të ardhshëm”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar gjithashtu se animacioni i vizatuar me dorë ka ende vlerë dhe duhet të vazhdojë të jetë pjesë e botës së artit.

Zgjedhja e “Pradas” ka ndodhur në një kohë kur përdorimi i AI-së në reklama po shkakton gjithnjë e më shumë debate. Një shembull është “Coca-Cola”, e cila është kritikuar për reklamat e saj të Krishtlindjeve të krijuara me AI.

Ndryshe nga këto fushata, “Prada” ka marrë reagime pozitive në internet, ku shumë përdorues kanë vlerësuar angazhimin e artistëve dhe rikthimin e teknikave tradicionale.

“Më pëlqen kur reklamat realizohen pa inteligjencë artificiale. Respekt për artistët”, ka shkruar një përdorues, teksa një tjetër komentoi: “Kjo është mënyra se si duhet të realizohet një reklamë”.