Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti e akuzon Qeverinë për abuzim me ligjin dhe Kushtetutën

Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti i vitit 2027 u miratua në Qeveri pas afatit ligjor, i përcaktuar më 31 tetor sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike. Ai ka akuzuar ministrat për abuzim me ligjin dhe Kushtetutën. 

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se viteve të kaluara, kur ndonjë komunë e miratonte buxhetin komunal pas afatit ligjor, Qeveria nuk e përfshinte atë komunë në buxhetin e përgjithshëm. 

“Në raste të tilla, buxheti i asaj komune duhej t’i nënshtrohej veçmas procedurave të miratimit në Qeveri dhe në Kuvend.  Është e papranueshme kjo nëpërkëmbje e ligjit nga LVV-ja dhe sejmenët e saj. Është mjerim politik të shohësh 20 ministra të mbledhur për të miratuar buxhetin, të cilët, ndonëse janë të vetëdijshëm se po bëjnë shkelje ligjore, nuk guxojnë të hapin gojën për ta konstatuar për shkelje”, ka shkruar ai.

Sipas tij, me këto sjellje, kjo nuk është Qeveri dhe këta nuk janë ministra. 

“Këta janë një grup abuzuesish me ligjin dhe Kushtetutën”, ka shkruar ai.

Qeveria ka proceduar të hënën në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, për të cilin zyrtarët ekzekutivë kanë thënë se është dorëzuar brenda afatit ligjor.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se buxheti për vitin e ardhshëm kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh. Sipas tij, në të janë përfshirë projekte infrastrukturore, rritje të pagave dhe skemave sociale.