Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren

aktakuze

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër B.J., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare” si dhe kundër J.B., në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar të operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, për veprën “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, B.J., në cilësinë e personit zyrtar dhe organit mbikëqyrës të projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje, rrugët dhe ndriçimi publik”, gjatë periudhës nga gushti 2022 deri më 16 gusht 2024, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, ka tejkaluar kompetencat dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, duke përpiluar raporte dhe situata fiktive, ku paraqitej se punimet ishin kryer sipas kontratës, ndonëse gjendja në terren ishte ndryshe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se si rezultat, Komisioni për Pranimin Teknik është vënë në lajthim dhe ka përpiluar raport pranimi, duke konfirmuar gabimisht se punimet janë realizuar sipas specifikimeve të kontratës, pavarësisht se ato nuk ishin përfunduar në përputhje me kushtet e kontraktuara.

“Në bazë të këtyre veprimeve, janë realizuar pagesa në favor të operatorëve ekonomik ‘M.B.G.’ Sh.P.K dhe ‘A.P.’ Sh.P.K, edhe pse punimet nuk ishin përfunduar sipas kontratës. Sipas aktakuzës, Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 18,765.00 euro, ndërsa përfitimi pasuror i kundërligjshëm për operatorët ekonomik është në të njëjtën shumë. Me këto veprime, B.J. dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Ndërkaq, J.B., në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar të operatorëve ekonomik, në bashkëpunim me B.J., dyshohet se ka vepruar me qëllim përfitimi pasuror duke shkelur dispozitat dhe procedurat e prokurimit publik dhe duke mos zbatuar detyrimet kontraktuale, çka përbën veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, thuhet në njoftim.