Me statusin e monumentit nën mbrojtje të përhershme e njëkohësisht edhe objekt me rrezikshmëri, aseti i njohur si “Shtëpi banimi – Musli Hoxha” në qendër të Prishtinës, ka prapa dështimin e trefishtë të gjetjes së kompanisë që do ta restauronte. Ministria e Kulturës e ka hapur tenderin e katërt dhe ka ndryshuar taktikën, duke fajësuar “çmimin” prej 120 mijë eurosh si shkak për dështimet e tenderëve. Shtëpia e ndërtuar më 1927 ka edhe probleme të tjera dhe pronarët kaherë kanë kërkuar zgjidhja nga shteti
Ministria e Kulturës i është kthyer nismës për të shpëtuar monumentin në qendër të Prishtinës, “Shtëpi banimi – Musli Hoxha”. Pas dështimit të trefishtë që nëpërmjet thirrjes publike për rreth 120 mijë euro të restaurohet ndërtesa dykatëshe në rrugën “Luan Haradinaj”, Ministria të enjten ka ndërruar “taktikën”. E ka përfshirë monumentin në një tender tjetër bashkë me disa asete të tjera të trashëgimisë kulturore duke e rritur vlerën monetare të punëve që do të kryhen. Në MKRS është krijuar bindja se për 120 mijë euro s’ka kompani të interesuar për të marrë përsipër restaurimin e shtëpisë të cilën e mbajnë shtyllat.
Ky monument që gjendet në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë, është nën mbrojtje të përhershme si aset i trashëgimisë kulturore. Përderisa qëndron në shtylla, tri herë radhazi Ministria e Kulturës ka dështuar të gjejë një kompani që do ta restauronte. Krahas kësaj, një projekt për një ndërtesë gjigante në atë zonë, ka të paktën një vit që qarkullon midis ndërtuesish e pronarëve të parcelave përreth.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTash, thirrja publike mban titullin “Restaurimi dhe Konservimi i shtëpisë se banimit Musli Hoxha në Prishtinë, Mulliri i Zotnisë në Smrekonicë të Vushtrrisë dhe Kulla e Astrit Kryeziut – Tosun Beut në Gjakovë” si vlerë monetare është parashikuar 260 mijë euro.
Në disa komunikime të KOHËS me menaxhmentin e lartë të MKRS-së është thënë se vlera paraprake qe e vogël.
“S’ka kompani të interesuara që ta bëjnë atë punë. Ju duket vlerë e vogël”, kanë thënë në MKRS. Kësaj radhe sikurse në tri herët tjera, thirrja është e hapur. Ndërkohë ka qarkulluar edhe një tjetër ide.
“Ideja ka qenë që të zhvillojmë procedurë të negociuar. Por erdhëm në përfundim ta provojmë kësisoj duke e bashkuar në tender me disa monumente të tjera që të rritet vlera”, kanë thënë në MKRS.
Menaxhmenti paraprak, bashkë me një pjesë të menaxhmentit të tanishëm janë në dijeni se për atë zonë është projektuar një shumëkatëshe. Për këtë KOHA ka raportuar qysh në verën e vjetme.
Tri thirrje publike të Ministrisë së Kulturës prej vitit të kaluar e deri në shkurt të këtij viti kanë dështuar për ta restauruar monumentin. Në dy thirrje s’ka pasur fare të interesuar që për 120 mijë euro ta restaurojnë ndërtesën dykatëshe. Në një tjetër thirrje, ku ishin të përfshira edhe disa monumente të tjera, kompanitë që janë interesuar për “lotin” ku qe e përfshirë edhe “Shtëpi banimi – Musli Hoxha”, janë shpallur të papërgjegjshme administrativisht.
“Sipas Njoftimit mbi Vendimin e AK-MKRS të datës 18.04.2025, aktiviteti i prokurimit për pjesën LOT I Restaurimi dhe Konservimi i shtëpisë së banimit Musli Hoxha në Prishtinë, Mulliri i Zotnisë në Smrekonicë të Vushtrrisë është anuluar, pasi që nuk kishte asnjë ofertë administrativisht të përgjegjshme për këtë pjesë”, shkruhej në njoftimin e shkurtit, ku Ministria e Kulturës bëri të ditur se ky aktivitet prokurimi është anuluar.
Qysh në qershor të vitit 2016, bashkë me 12 asete të tjera të trashëgimisë kulturore në kryeqytet ishte futur në Listën e objekteve me rrezikshmëri të lartë. E, në ditën e parë të shkurtit të vitit 2017, Komuna e Prishtinës e rrethoi me shirit duke bllokuar ecjen në afërsi të saj. Më pas ishte rrethuar edhe me llamarinë. Tash ndërtesa ka veç shtylla që e mbajnë në këmbë. Shiritat i janë hequr. Telashet me këtë monument janë të vjetra.
Familja Hoxha vazhdimisht kishte insistuar që shteti të bënte një zgjidhje sa i përket çështjes së banimit të tyre. Shtëpia e ndërtuar më 1927 nuk ofron kushte e siguri për ta, pasi muret e saj janë çarë dhe pjesa ballore ka anuar në drejtim të rrugës.
KOHA ka marrë vesh se ekziston edhe një telash sa i përket pronësisë së ndërtesës. Njëra prej trashëgimtarëve të shtëpisë, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, më 2019 i kishte thënë gazetës se nuk dëshiron t’i përmendet emri dhe nuk do të flasë për gjendjen pa u zgjidhur çështja në gjykatë. Kishte thënë se nëse shteti ka interes për atë shtëpi, duhet të bëhet një zgjidhje për familjarët.
“Tash presim që gjykata të na e bëjë një zgjidhje”, kishte thënë ajo. Për këtë bazohej në Ligjin për trashëgimi kulturore.
“Objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit. E drejta për kompensim për ndonjë humbje financiare bartet në gjykatë nëse objekti nuk është nën mbrojtje të përhershme pas një viti. Kompensimi i tillë vlerësohet nga një komision i pavarur që themelohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në pikën 6 të nenit 3 të Ligjit për trashëgimi kulturore.
Pikërisht bazuar në këtë nen, familja e kishte dërguar çështjen në gjykatë. Një rivlerësim të shtëpisë familja e kishte kërkuar nga MKRS-ja në vitin 2017.
“Familja ka bërë kërkesë në Ministrinë e Kulturës në majin e këtij viti që të bëhet një rivlerësim i shtëpisë. Në momentin që bëhet rivlerësimi, familjes duhet t’i dorëzohen raporti dhe vendimi. Ajo është duke mbetur e listuar çdo vit dhe ne po mbesim peng. Duhet të dihet statusi i shtëpisë dhe të tregohet se çfarë do të mbërrijë Ministria e Kulturës”, kishte thënë përfaqësuesja e familjes Hoxha. Sipas saj, nëse MKRS-ja do që shtëpia të jetë monument duhet të negociohet me familjen për një zgjidhje.
“Ne jemi jashtë shtëpisë dhe nuk mund të paguajmë qira e shtëpia të jetë e listuar çdo vit. Le të na e tregojnë çmimin dhe ne e shohim mundësinë për ta shitur, pasi ne jemi duke paguar qira”, kishte thënë ajo. Kishte kërkuar që të kontaktohej në lidhje me këtë çështje.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, në qershor të vitit të kaluar i kishte thënë KOHËS se është lajm i mirë që do të ndërhyhet në këtë ndërtesë pasi Komuna është e privuar në raste të tilla kur bëhet fjalë për asete të trashëgimisë kulturore.
“Së paku një prej shumë ndërtesave që janë nën mbrojtje dhe paraqesin rrezik është në procedurë të restaurimit. Shpresojmë që të vazhdohet edhe me monumente të tjera, si për shembull Shkolla e Parë Shqipe”, kishte thënë Fushtica. Sipas tij, monumenti “Shtëpi banimi – Musli Hoxha”, ka edhe probleme pronësore dhe është në kontest gjyqësor.“ Edhe ky aspekt ka paraqitur problem”, kishte thënë ai. Monumenti që tash është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme është i vetmi në atë zonë me këtë status. Ata që merren me trashëgimi kulturore janë të ndarë sa u përket vlerave të ndërtesës.