Kulturë

Tender për monumentin që paraqet rrezik në qendër të Prishtinës

Tender për monumentin që paraqet rrezik në qendër të Prishtinës

Gjendja aktuale e monumentit në rrugën “Luan Haradinaj” është tejet e rëndë. Pos që një pjesë ka rënë, muret e ngelura në këmbë kanë plasaritje të mëdha dhe qëndrojnë falë shtyllave. E rreziku mbetet po aty, në njërën nga rrugët më të frekuentuara si nga këmbësorët po ashtu edhe nga makinat

Me një buxhet të parashikuar prej 120 mijë e 437 eurosh, Ministria e Kulturës ka hapur thirrje publike për të intervenuar në monumentin e ndërtuar më 1927, që mbrohet si “Shtëpi banimi – Musli Hoxha”. Qysh në qershor të vitit 2016, bashkë me 12 asete të tjera të trashëgimisë kulturore në kryeqytet ishte futur në Listën e “objekteve me rrezikshmëri të lartë”. Prej vitit të kaluar është nën mbrojtje të përhershme si aset i trashëgimisë kulturore

Në këtë qershor monumenti “Shtëpi banimi – Musli Hoxha” ka mbushur 9 vjet prejse është shpallur ndërtesë që paraqet rrezik. Prej asaj kohe mbahet me shtylla. Shkaku i rrezikut nga shembja e pjesëve që kanë ngelur në këmbë është zhvendosur edhe vendkalimi i këmbësorëve në rrugën “Luan Haradinaj” në kryeqytet.

Por tash, me 120 mijë euro, Ministria e Kulturës synon që ta bëjë restaurimin e plotë të këtij monumenti, i cili prej vitit të kaluar është nën mbrojtje të përhershme si aset i trashëgimisë kulturore.

Me një buxhet të parashikuar prej 120 mijë e 437 eurosh, Ministria e Kulturës ka hapur thirrje publike për të intervenuar në monumentin e ndërtuar më 1927. Kompanitë që ia mësyjnë restaurimit kanë afat për aplikim deri në ditën e 9-të të këtij muaji.

Gjendja aktuale e ndërtesës është tejet e rëndë. Pos që një pjesë ka rënë, muret e ngelura në këmbë kanë plasaritje të mëdha dhe qëndrojnë falë shtyllave.

Çështja e këtij monumenti qe në gjykatë. E rreziku mbetet po aty, në njërën nga rrugët më të frekuentuara si nga këmbësorët po ashtu edhe nga makinat.

Ministria e Kulturës më 2022 kishte përsëritur se objekti ndodhet në një kontest gjyqësor.

“Institucionet kompetente të trashëgimisë, si Inspektorati i Trashëgimisë dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë kanë dalë në terren,  kanë konstatuar gjendjen e objektit dhe kanë ndërmarrë hapat e paraparë sipas ligjit, kanë kërkuar bashkëveprim edhe me Komunën e Prishtinës, në lidhje me objektin në fjalë”, shkruhej në përgjigjet e MKRS-së. Bëhej e ditur se, sipas konstatimeve, shtëpia paraqet rrezik për kalimtarët e rastit dhe se objekti është në kontest gjyqësor dhe pa vendimin final të gjykatës nuk mund të ndërhyhet në objekt.

“Profesionistët tanë të trashëgimisë kanë propozuar masa mbrojtëse për objektin që kalimtarët të ndihen të sigurt kur kalojnë pranë objektit në fjalë”, shkruhej në përgjigjet e MKRS-së. Aty sqarohej se Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Prishtinës është duke bërë gati dokumentacionin dhe në fazën e ardhshme do të dërgojë propozimin për mbrojtje të përhershme. Kjo është bërë vitin e kaluar. Por, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë nuk është përgjigjur nëse tashmë është zgjidhur kontesti gjyqësor.

Qysh në qershor të vitit 2016, bashkë me 12 asete të tjera të trashëgimisë kulturore në kryeqytet ishte futur në Listën e “objekteve me rrezikshmëri të lartë”. E, në ditën e parë të shkurtit të vitit 2017, Komuna e Prishtinës e rrethoi me shirit duke bllokuar ecjen në afërsi të saj. Më pas ishte rrethuar edhe me llamarinë. Tash ndërtesa ka veç shtylla që e mbajnë në këmbë. Shiritat i janë hequr.

Tentimi i institucioneve të trashëgimisë kulturore për të hartuar një projekt restaurimi e konservimi kishte bërë që të dalin në pah mosmarrëveshjet midis shtetit e pronarëve

Tentimi i institucioneve të trashëgimisë kulturore për të hartuar një projekt restaurimi e konservimi kishte bërë që të dalin në pah mosmarrëveshjet midis shtetit e pronarëve.

Familja Hoxha vazhdimisht kishte insistuar që shteti të bëjë një zgjidhje sa i përket çështjes së banimit të tyre. Shtëpia e ndërtuar më 1927 nuk ofron kushte e siguri për ta, pasi muret e saj janë çarë dhe pjesa ballore ka anuar në drejtim të rrugës.

KOHA ka marrë vesh se ekziston edhe një telash sa i përket pronësisë së ndërtesës. Njëra prej trashëgimtarëve të shtëpisë, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, më 2019 i kishte thënë gazetës se nuk dëshiron t’i përmendet emri dhe nuk do të flasë për gjendjen pa u zgjidhur çështja në gjykatë. Kishte thënë se nëse shteti ka interes për atë shtëpi, duhet të bëhet një zgjidhje për familjarët.

“Tash presim që gjykata të na e bëjë një zgjidhje”, kishte thënë ajo. Për këtë bazohej në Ligjin për trashëgimi kulturore.

“Objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit. E drejta për kompensim për ndonjë humbje financiare bartet në gjykatë nëse objekti nuk është nën mbrojtje të përhershme pas një viti. Kompensimi i tillë vlerësohet nga një komision i pavarur që themelohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në pikën 6 të nenit 3 të Ligjit për trashëgimi kulturore.

Pikërisht bazuar në këtë nen, familja e ka dërguar çështjen në gjykatë. Një rivlerësim të shtëpisë familja e kishte kërkuar nga MKRS-ja në vitin 2017.

“Familja ka bërë kërkesë në Ministrinë e Kulturës në majin e këtij viti që të bëhet një rivlerësim i shtëpisë. Në momentin që bëhet rivlerësimi, familjes duhet t’i dorëzohen raporti dhe vendimi. Ajo është duke mbetur e listuar çdo vit dhe ne po mbesim peng. Duhet të dihet statusi i shtëpisë dhe të tregohet se çfarë do të mbërrijë Ministria e Kulturës”, kishte thënë përfaqësuesja e familjes Hoxha. Sipas saj, nëse MKRS-ja do që shtëpia të jetë monument duhet të negociohet me familjen për një zgjidhje.

“Ne jemi jashtë shtëpisë dhe nuk mund të paguajmë qira e shtëpia të jetë e listuar çdo vit. Le të na e tregojnë çmimin dhe ne e shohim mundësinë për ta shitur, pasi ne jemi duke paguar qira”, kishte thënë ajo. Kishte kërkuar që të kontaktohet në lidhje me këtë çështje.

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se është lajm i mirë që do të ndërhyhet në këtë ndërtesë pasi Komuna është e privuar në raste të tilla kur bëhet fjalë për asete të trashëgimisë kulturore.

“Së paku një prej shumë ndërtesave që janë nën mbrojtje dhe paraqesin rrezik është në procedurë të restaurimit. Shpresojmë që të vazhdohet edhe me monumente të tjera, si për shembull Shkolla e Parë Shqipe”, ka thënë Fushtica. Sipas tij, monumenti “Shtëpi banimi – Musli Hoxha” ka edhe probleme pronësore dhe është në kontest gjyqësor.

“Edhe ky aspekt ka paraqitur problem”, ka thënë ai. Monumenti që tash është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme është i vetmi në atë zonë me këtë status. Ata që merren me trashëgimi kulturore janë të ndarë sa u përket vlerave të ndërtesës. Kurse për atë zonë tashmë qarkullon një projekt ideor për një shumëkatëshe gjigante.