Duke folur me gazetarët të hënën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka minimizuar rolin e Evropës në bisedimet në Abu Dhabi, duke theksuar se takimi do të përqendrohet në negociatat trepalëshe, teksa Shtetet e Bashkuarado të ndërmjetësojnë mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Ju e dini se amerikanët kanë kanalet e tyre të komunikimit me evropianët, ashtu siç i kanë edhe ukrainasit, dhe duket se tashmë po krijojnë mënyrat e tyre të koordinimit”, ka thënë Peskov.
“Por, për ta theksuar edhe një herë, kjo është çështje e negociatave trepalëshe”, ka shtuar ai.
Për herë të parë që nga shkurti, negociatorët e Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së pritet të zhvillojnë bisedime, në të cilat çështja kryesore do të jetë përfundimi i luftës në shkallë të gjerë.
Takimi dyditor, që nis të martën në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, vjen pas rundeve të mëparshme të negociatave në fillim të këtij viti, të cilat nuk sollën ndonjë përparim drejt përfundimit të konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean Noel-Barrot, ka deklaruar të dielën për një radio franceze se evropianët do të jenë pjesë e takimit, ndonëse nuk ka përmendur se kush do ta përfaqësojë Evropën.