Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Judi Dench tregon si e bindi Vin Diesel të luante në filmin e tij

Judi Dench dhe Vin Diesel

Judi Dench dhe Vin Diesel

Foto: Associated Press

Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Judi Dench, 91 vjeçe, ka zbuluar një histori argëtuese nga karriera e saj, duke treguar se si aktori Vin Diesel arriti ta bindte të bëhej pjesë e filmit “The Chronicles of Riddick”, të vitit 2004.

Gjatë një interviste për librin e saj me kujtime “Is It Too Late to Make a Run for It?”, Dench ka treguar se aktori e kishte vizituar personalisht në teatrin Haymarket për t’i propozuar rolin. Por, përpara se të mbërrinte, ai i kishte dërguar një buqetë gjigante me lule, ka shkruar FemaleFirst.

“Buqeta ishte aq e madhe, saqë nuk mundën ta ngjisnin shkallëve deri te dhoma ime e zhveshjes. U detyruan ta linin te hyrja e artistëve. Ishte të paktën sa gjatësia e një kajaku dhe po aq e gjerë”, ka kujtuar ajo.

Dench ka pranuar me humor se gjeste të tilla e bëjnë të dorëzohet lehtësisht përballë ofertave profesionale.

“Si mund t’i thuash jo një burri të tillë? Unë bindem shumë lehtë. Më fitojnë fare kollaj”, u shpreh aktorja.

Në film, ajo interpretoi rolin e Aereon, një ambasadore misterioze aliene, krahas aktorëve Vin Diesel, Colm Feore, Thandiwe Newton dhe Karl Urban.

Por Diesel nuk është i vetmi aktor që ka ditur ta bindë Denchin përmes gjesteve të veçanta.

Aktorja ka treguar se edhe regjisori dhe aktori Kenneth Branagh kishte përdorur një mënyrë origjinale për ta bindur të merrte pjesë në filmin “Murder on the Orient Express”, të vitit 2017. Ai i kishte dhuruar një shami të qëndisur posaçërisht për të, me inicialet e personazhit që do të interpretonte.

“Duhet ta ketë ditur se kjo do të më bindte të pranoja. Është shumë dinak”, ka thënë Dench me shaka.

Ajo ka shtuar se admirimi për Branaghun ishte aq i madh, saqë do të pranonte çdo rol që ai do t’i ofronte.

“Do të bëja gjithçka për Kenin. Nëse do të më kërkonte të luaja një tapet në dysheme në shfaqjen ‘Three Sisters’, do ta pyesja vetëm: Kur të filloj?”, ka rrëfyer ajo.

Entuziazmi i saj për filmin u rrit edhe më shumë kur mësoi se në kast do të ishin aktorë të njohur si Olivia Colman, Penélope Cruz, Johnny Depp dhe Derek Jacobi.

Megjithatë, pavarësisht pjesëmarrjes në filmin e suksesshëm, ku interpretoi princeshën Natalia Dragomiroff, Dench ka pranuar se nuk kishte ndonjë simpati të veçantë për personazhin e saj.

“Mos më pyesni asgjë për të. Ishte thjesht një grua e moshuar që rrinte me shumë bizhuteri dhe dy qen të vegjël, një të zi dhe një të bardhë”, ka thënë ajo me humor.