Të paktën 34 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte migrantë u fundos në brigjet e Senegalit, raporton Agjencia Senegaleze e Shtypit (APS), duke cituar një burim zyrtar.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se një person është shpëtuar, ndërsa ende nuk dihet numri i personave që rezultojnë ende të zhdukur.
Varka e vogël prej druri u përmbys në det, në hapësirën mes kryeqytetit Dakar dhe qytetit verior Saint-Louis, teksa po lundronte drejt ishujve Kanarie të Spanjës.
Grupi spanjoll për të drejtat e migrantëve, Walking Borders, ka regjistruar 635 viktima në rrugën detare të Atlantikut, drejt ishujve Kanarie nga janari deri në maj të vitit 2026. Ky është numri më i lartë i viktimave krahasuar me rrugët e tjera të migrimit që monitoron organizata.
Saliou Diouf, themelues i organizatës senegaleze për ndihmën ndaj migrantëve, Boza Fli, i tha agjencisë AFP se të gjithë trupat e gjetur deri më tani u përkasin shtetasve senegalezë. Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar kombësia e personave të tjerë që ndodheshin në bord, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë.
Presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe u ka bërë thirrje qytetarëve senegalezë që të mos rrezikojnë jetën duke ndërmarrë udhëtime të rrezikshme detare.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, ai u zotua se do të shtojë përpjekjet për të shkatërruar rrjetet që organizojnë këto udhëtime.
"Ne do të vazhdojmë pa u lodhur luftën kundër atyre që organizojnë këto kalime detare, si dhe punën për t'u dhënë të rinjve tanë arsye për të shpresuar këtu, në vendin tonë", tha ai.