Javët e kaluara ishin të vështira për Hoffenheimin. Rrjedhimisht fitorja 2:1 ndaj Schalkes, në prag të pushimit ndërkombëtar, nuk ishte “ecje në park”.
Trajneri Christian Ilzer dhe Fisnik Asllani, që shënoi golin e parë, janë pajtuar në këtë pikë.
“Kur për katër javë rresht luan në fundjavë dhe mesjavë, kjo është ngarkesë e jashtëzakonshme”, ka thënë reprezentuesi i Kosovës. “Ndoshta kjo është arsyeja pse na mungoi pak energji kundër Schalkes. Sidomos kur kemi edhe lëndime. Së fundi është dukur se 12-13 lojtarë kanë zënë vend vazhdimisht në ekipin startues”.
Trajneri Ilzer ka folur po ashtu për ngarkesën, shkruan “Kicker”. Ilzer ka theksuar se Hoffenheimi i luajti nëntë ndeshje brenda 29 ditëve dhe se pak prej lojtarëve të skuadrës ishin të mësuar me këtë intensitet.
“Qartë se kemi mësuar shumë gjëra gjatë kësaj kohe, në aspektin pozitiv dhe negativ. E marrim këtë me vete, mësojmë prej kësaj dhe zhvillojmë lojtarë të kalibrit ndërkombëtar”, ka theksuar Ilzer.
Edhe
Shkëlqimi i Asllanit në prag të grumbullimit me Kosovën
Hoffenheimi nisi keq edicionin në Bundesligë, ndërsa tani i ka 12 pikë në vendin e nëntë. Fitorja 2:1 ndaj Schalkes u arrit të dielën mbrëma. Asllani tani bashkohet me Kosovën.
“Ishte thjesht e rëndësishme të marrim këto pikë. Kishim shumë javë të vështira me shumë lëndime dhe shumë ndeshje. Nuk kemi shumë lojtarë që kanë luajtur çdo tri ditë, pasi kemi ekip shumë të ri”, ka theksuar Asllani.
24-vjeçari megjithatë nuk është ankuar, vazhdon shkrimin “Kicker”. Orari kërkues pëlqehet prej tij.
“Më pëlqen. Preferoj të luaj. Asgjë nuk ka më të mirë se ndeshjet e shpeshta. I preferoj ndeshjet para stërvitjes”.
Edhe
Asllani i motivuar para ndeshjes kundër Lyonit
Goli i tij ishte edhe pak fat, por Asllani ka përmendur edhe vrapimin që bëri. Ai shënoi golin e parë të edicionit dhe emocionet ishin të mëdha.
“Golat gjithnjë ngjallin ndjenja tek unë, është gjithnjë mirë. Ishte po ashtu ditëlindja e babait tim. Ishte dhuratë për të, goli i parë i edicionit në Bundesligë, nuk do të mund të shkruaja tregim më të mirë”, ka theksuar Fisnik Asllani, që asistoi në golin e dytë të skuadrës.