Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkencëtarët parashikojnë se 2026-ta do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

temp

Bota është rrugës të regjistrojë vitin më të nxehtë ndonjëherë, pasi planeti po përballet me rritjen e temperaturave si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe fenomenit El Nino, kanë thënë shkencëtarët për BBC News.

Paralajmërimi vjen në kohën kur liderët botërorë dhe negociatorët mblidhen të hënën në Turqi për hapjen e COP31, samitit të radhës të Kombeve të Bashkuara për klimën.

Berkeley Earth, grupi i pavarur kërkimor amerikan që qëndron pas këtij parashikimi, ka bërë të ditur se, edhe pse kanë mbetur edhe dy muaj deri në fund të vitit, ekziston 95 për qind mundësia që viti 2026 të tejkalojë rekordin e mëparshëm, të shënuar në vitin 2024.

Pasojat e rritjes së temperaturave janë ndier veçanërisht gjatë muajve të fundit në vendet që po marrin pjesë në COP, ku janë regjistruar zjarre të mëdha në disa pjesë të Evropës, si dhe shembja e papritur e një akullnaje në Nepal, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 1.000 njerëzve.

“Vitet e fundit kemi pasur një varg vitesh me temperatura rekorde”, tha Dr. Robert Rohde nga Berkeley Earth. “Kjo është ajo që presim ndërsa ngrohja globale vazhdon... shembje të akullnajave, valë të nxehtësisë që thyejnë rekorde dhe thatësira”.

Të premten, Shërbimi i BE-së për Ndryshimet Klimatike, Copernicus, konfirmoi se tetori ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Por Rohde paralajmëroi se kjo është vetëm fillimi. “Ekziston mundësia që në të ardhmen të ndodhin ndryshime shumë më të mëdha dhe shumë më dramatike”, tha ai.

Faktori kryesor që po ndikon në rritjen e temperaturave globale është shtimi i përqendrimit të dioksidit të karbonit në atmosferë, kryesisht si pasojë e djegies së lëndëve djegëse fosile.

Organizata Botërore Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara (WMO) publikoi të hënën raportin e saj, i cili, ndonëse më i përmbajtur se parashikimi i Berkeley Earth, vlerëson se viti 2026 do të jetë ndër katër vjetët më të nxehta të regjistruara ndonjëherë.

Sipas WMO-së, as viti 2027 nuk do të sjellë lehtësim, pasi fenomeni El Nino, me intensitet jashtëzakonisht të lartë, pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke i shtyrë temperaturat edhe më lart.