Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Bashkëbisedim me Ilaz Ramajlin (Pjesa II)

Si e shpalli Kosova mëvetësinë më 2 korrik

Surroi: Përshëndetje! E vazhdojmë bisedën me Ilaz Ramajlin, avokat, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili shpalli Kosovën e pavarur, në atë kohë të zhbërjes së ish-Jugosllavisë.
Ilaz, kënaqësi me e vazhdu këtë bisedë!
Konteksti për të cilin po bisedojmë është viti 1990 dhe është një disparitet, të cilin nuk e kanë kuptuar asokohe as Ante Markoviqi as krejt të tjerët, ajo është që nuk mund të bëheshin ndryshime në Jugosllavi me Kosovën të okupuar.
Kosova ishte element konstitutiv i federatës Jugosllave dhe i nevojitej pëlqimi i Kosovës për gjithë këtë ndryshim.
Si na zë neve në Kosovë në atë kohë, si e zë Kuvendin e Kosovës kjo situatë?

Ramajli: Konstatimi është i vërtetë këtë që po e thu. Ante Markoviqi dhe strukturat që ishin rreth tij, që quheshin reformiste në fakt, nuk e kontrollonin fare një pjesë të qeverisë federative, që ishte direkt e lidhur me Serbinë dhe Serbia kishte krejt opsione tjera. 
Mirëpo, procedurat rreth ndryshimit të Kushtetutës federative e ndjekshin një itinerar që ish përcaktu me Kushtetutë, nuk mund të delte jashtë saj. Nuk po flasim për ndryshimet e para që kishin për qëllim reformën, ato i aprovuam në reformën ekonomike dhe politike të Markoviqit, i aprovum pa vërejtje.
Mirëpo, po flasim për ndryshimet kushtetuese, të cilat filluan, dhe substancialisht ndryshonin statusin politik dhe shtetëror të Kosovës.

Surroi: Gjegjësisht, përpiqeshin me i akomodu ndryshimet e Serbisë.

Ramajli: Po, përputheshin thuaja krejt me to dhe këtu duhej edhe pëlqimi i Kuvendit të Kosovës. 
Na si delegatë, të them të drejtën, në atë kohë ishim më të relaksum sa u përket orientimeve. Ish vnu njëfarë kontakti me elitën politike dhe intelektuale të Kosovës atëherë që, duhet pranu, krijonin politikë dhe jepnin orientime dhe e ndienim veten ma të sigurt se në vendimet që do t’i marrim, nuk do të gabojmë.

Surroi: Këtu kryesori ka qenë Fehmi Agani, në fakt.

Ramajli: Po, unë e konsideroj një mik të jashtëzakonshëm për shkak se pas 2 Korrikut, kontaktet e mia kanë qenë me Fehmi Aganin, atë i kam vazhdu deri në mbajtjen e mbledhjes së 7 Shtatorit. 
Mbas largimit gjithashtu kam vazhdu me Fehmiun të kem kontakte deri në përfundim të punës së Kuvendit. Domethënë, ai ka qenë adresa kryesore që kanë ka kontaktu me mu. Edhe të tjerët, po ai ka qenë dhe fatmirësisht edhe sa kam qenë në Zyrën e Kosovës, në përfaqësinë e Kosovës në Tiranë, kontakti me të më ka ndihmu dhe çdo herë kam mësu prej tij ka qenë i jashtëzakonshëm.

Surroi: Ndryshimet kushtetuese në Jugosllavi dhe është pika e parë e konfliktit, tash që eskalon konflikti del në nivel të Jugosllavisë.

Ramajli: Po, do të thotë, propozimet erdhën në procedurë në Kuvend dhe një procedurë që duhet ndjekur ishte së pari në Komisionin Kushtetues të Kosovës. Merrej mendimi prej Sekretariatit për Legjislacion, aty ishte Bajram Mara, e përmenda ma herët,  dhe prej Kryesisë së Kosovës dhe komisioni jepte propozim Kuvendit të Kosovës me i aprovu ose mos me i aprovu.
Edhe filluan bisedimet e brendshme, presionet që duhet patjetër m’u aprovu bisedimet e mbrendshme, për publikun duhet me ditë, gati ishin takimet e përditshme me udhëheqjen e Kosovës. Jo krejt, po baheshin pjesë-pjesë dhe aty insistohej që Komisionit Kushtetues edhe Kuvendit t’iu preferohej që patjetër duhet me shku ndryshimet kushtetuese.
Fat i madh, që në Komision Kushtetues me një procedurë që, mos me e zgjatë, u zgjodhën nga pjesa shkencore, profesorët eminentë të Drejtës kushtetuese dhe profesorë tjerë akademikë si Ejup Statovci, Ismet Salihu, Kurteshi (Kurtesh Saliu, v.r.), Fatmir Fehmiu, (Riza. v.r.) Smaka dhe kah ana profesionale, ishim shumë të fortë, si thuhet.

Surroi: Dhe plus njerëz si Fatmir Fehmiu që, për dallim prej disa prej kolegëve, megjithatë kishte mbajtë një qëndrim konsekuent rreth ndryshimeve.

Ramajli: Po, e vërtetë është. Kishte një orientim gjatë tërë kohës, një orientim shumë të kjartë rreth përcaktimeve tij. 
Dhe meqenëse si duket e kuptuan Kryetari i Kuvendit dhe strukturat serbe në parti, që ishin, ende ekzistonte formalisht ajo strukturë, e kuptuan që ndoshta nuk do të jetë e mundur me kalu ndryshimet kushtetuese në Kuvend, përgatitën diçka tjetër.
Më kujtohet me 11 ose 12 qershor, mbledhja e komisionit ishte caktu për 19 qershor, mbasi mbrrina në banesë, në Prishtinë, mbas punës, më thirri Hysen Kajdomçaj në telefon, nuk kishte dhjetë minuta që mbërrina...

Surroi: Ai ka qenë Kryetar i ...

Ramajli: Kryetar i Kryesisë. 
Tha: “Ilaz, është caktu për sonte mbledhja e dy kryesive, të Kosovës dhe të Serbisë, kryesisë shtetërore dhe të partisë në Beograd. Mbas një ore nisemi me aeroplan”. 
Unë i thashë: “Hysen, për çka?”, se të parët shkonin: kryetari i Kuvendit, kryetari i Qeverisë..., tha: “Ilaz, kërkesa është eksplicite që ti me ardhë në këtë takim. Me automjet, me automobil, po vij te banesa jote”, e dinte ku e kisha në Dardani, “dhe zbrit poshtë. Aeroplani ka aterru në aeroport”. 
Unë u bona gati, zbrita. “Hysen për çka është fjala”, tha, “Nuk e di”. 
Domethënë mbledhja e dy kryesive. Kur mbërrijmë unë dhe Hyseni aty në aeroport, direkt automobili u parku te... kish ardhë një aeroplan i vogël për nja 10-12 vetë. Ma vonë e kam kuptu që ka qenë i Qeverisë së Serbisë. Edhe kur hipëm në aeroplan, unë e pashë që aty ishte Rrahmani (Morina v.r.), ishte kryetari i Kuvendit (Bozhoviq, v.r.), Luba Popoviqi, i cili sikur edhe unë nuk na takonte të ishim aty, po ai ishte aty. 
E pashë që s’është Jusuf Zenullahu, kryetari i Qeverisë. Edhe pyeta pak me za: “Ku është Jusufi, kryetar?”. Tha “Në Beograd është dhe do të na bashkëngjitet në takim”.
Kur mbërrijmë atje shkuam në Kryesi të Serbisë edhe na thanë me prit në holl. U ulem në holl, aty para zyrës së kryetarit. Rrahmani shkoi hyni. Unë i thashë Kajdomçajt, sot është gjallë dhe mundet me e konfirmu, “Hysen, pse s’po hyn ti? Kryetar e Kryesisë ti je”
“A e di”, tha, “Ilaz, leje se me pas pasë mundësi s’kisha ardhë fare këtu”. 
Edhe na shtinën me një sallë. Salla e kishte një tavolinë të madhe në dy anët dhe pozitën për kryesi. Edhe aty, mbasi u vendosëm na... të Kosovës u vendosëm në anën e djathtë, të Serbisë u vendosën në anën e majtë. Atëherë hynën... kur po e shoh, hyni Millosheviqi, hyni edhe Rrahmani edhe u ulën... në krye të tavolinës u ul Millosheviqi, ndërkaq gati në skaj, Rrahmani. Nuk u ul bashkë me të. 
Edhe Millosheviqi e hapi mbledhjen, tha: “Jemi mbledhë këtu, për shkak se nuk ka unitet në udhëheqjen e Kosovës për çështje të rëndësishme. Edhe këtë problem do ta diskutojmë sot këtu, që të marrim qëndrime të përbashkëta. Ka njerëz që, sipas informacioneve, po e prishin unitetin e udhëheqjes etj. Kush po do me folë”. Kur Bozhoviqi e çoi gishtin, tha “Unë”, kryetari i Kuvendit. Ishte ulur afër meje.  Në të vërtetë Hyseni ishte afër meje, ashtu na ulën, dhe ai një karrige ma tutje. Ende nuk kishte ardhë në mbledhja Jusuf Zejnullahu. Ai po vonohej pak. 
Edhe kur e mur fjalën, fjala e parë që tha: “Po, e vërtetë është se s’kemi unitet në udhëheqje dhe shkak për prishje të unitetit”, ia boni me dorë, “qe është ky, nënkryetari im, Ilaz Ramajli”. Tha: “Ky është ai që po i organizon në delegatët. Dhe ky është që po kontakton me strukturat jashtë pushtetit, edhe ka ardhë puna që gati kurrgjë s’kalon në Kuvend, shkaku është që ky po e prish unitetin”.
Unë, drejtën me thanë, nuk pritsha aq paraqitje të vrazhdë. Po, i tillë ishte ky kryetari. Nuk ishte naj finok, por i tillë ishte komunikimi i tij. Dhe mbas tij, fjalën ia dha Luba Popoviqit. Luba e qëndisi i mirë, domethënë jo me emër, ai krejt që kundër sistemit e krejt ... edhe pse ishte Rrahmani aty i partisë, foli Luba. 
Edhe qetash me emër m’u drejtua Millosheviqi. Tha: “Ilaz, fol ti tash!” N’at moment kërcej Rrahmani. Tha: “Jo, unë du me folë!” 
Ai veç iu kthy i tha: “Rrahman, merrnu vesh, ti me Ilazin cili po folni përpara”. Unë i thashë “fol ti”, Rrahmanit. Edhe foli. Rrahmani nuk foli për prishje të unitetit. Foli pozitivisht në atë kuptimin që nuk duhet me iu kundërvu iniciativave që vijnë prej federatës etj., mandej ma dha mua fjalën.
Unë i thashë, besoj që është e incizum takimi dhe ndonjë ditë do të publikohet. Ata që merren me histori mund ta gjejnë. I thashë: “Shiqoni nuk është krejt e vërtetë çka po thotë kryetari im. Është e vërtetë që unë jam me delegatët dhe është e vërtetë që delegatët edhe unë nuk i aprovojmë disa gjana që janë të rëndësishme për Kosovën”. 
Kërcej Millosheviqi ma ndërpreu fjalën. Tha, “Shiqo, ndryshimet kushtetuese që janë propozu prej Federatës nuk janë në interes të Serbisë. Normalisht, na nuk do t’i aprovonim për shkak se ne dëshirojmë ndryshime ma thelbësore, mirëpo tha kemi informacione të sakta që ka me i refuzu Sllovenia dhe Kroacia dhe mos me ra na në grup me ata, na do t’i aprovojmë formalisht edhe ato nuk do të mund të aprovohen në Kuvend të Jugosllavisë, për shkak se dy republika s’janë. Prandaj, për mos me ra që Kuvendi i Kosovës, se Kosova është me këto dy njësi federative, unë ju propozoj që ju me i aprovu. Nuk kanë me u ba ndryshimet, se sllovenët dhe kroatët kanë me i pengu”. 
Tha: “Vazhdo!”
Unë, i thashë: “Shiqo! Unë du me qenë i qartë këtu. Nuk jam njeri që këtu them diçka tjetër dhe në Kosovë diçka tjetër. Unë e kam pa formatin e ndryshimeve të Kushtetutës dhe unë jam personalisht kundër ndryshimeve kushtetuese. Sa di unë, edhe delegatët e tjerë janë kundër, për shkak se i kanë kuptu. Por unë po flas për veti, atje do të votoj kundër ta kemi të kjartë”.
Tha: “Bëni çka të doni! Unë po e mbylli mbledhjen. Po një gjë du me thonë për krejt juve që jeni këtu edhe ata që s’janë këtu: Serbia e ka vendosë një mur. Duhet me kuptu që atë mur nuk kena me leju me kalu askush. Kush don me kalu atë mur, duhet atij muri me i ra me kokë, dhe dihet mes murit dhe kokës kush dëmtohet”. Në atë moment, hyni Jusuf Zejnullahu, edhe ul në karrige.
Edhe ai deshi me përfundu mbledhjen, por Kajdomçaj e mur fjalën edhe ai foli në mënyrë të përgjegjshme edhe e lypi fjalën edhe Jusufi, tha “Unë s’jam në ngjarje, por po e shoh...” Më pyeti mua për çfarë të fjala se ul ngat meje, i thashë po thojnë me i përkrah ndryshimet kushtetuese.
Edhe Jusufi tha: “Sa di unë, kjo te delegatët nuk ka me kalu”. E tha këtë fjalë. 
U duk një nervozë e Millosheviqit, iu drejtua, dhe tha: “Prej udhëheqjes serbe, lë të folë veç kryetari i Kuvendit. Ai ia dha një tiradë, krejt na sulmoi en bloc edhe përfundoi mbledhja.
Na e shtruan një darkë, unë nuk hangra darkë. Isha në tavolinë, po nuk hangra. Ke një atmosferë jashtëzakonisht të rëndë, veçanërisht për mua më identifikuan me akuza, me emër. Unë e kuptova që krejt kjo është organizu që me m’pru mua aty dhe me më frikësu ose me marrë ndonjë detyrim unë aty. 
Edhe u kthyem në Kosovë.
Domethënë me 19-inqershor, është mbledhja e Komisionit të Kushtetutës.

Surroi: Ndërkohë që këta në maj të vitit 1990, Kuvendi i Serbisë e kalon atë ligjin për masa të veçanta...

Ramajli: Më vonë, me 26...

Surroi: Ah, me 26

Ramajli: Me 26..., por me 14 (qershor), Akademia e Shkencave e publikon atë dokumentin... Deklarata e Akademisë së Shkencave për pozitën kushtetuese-juridike të Kosovës, në fakt e kishte përgatitë profesor Gazmend Zajmi, e kishte aprovu Këshilli i Akademisë dhe ajo u publiku.
Aty ishin kjartë të dhëna kornizat e kërkesave dhe mënyrës së realizimit të kërkesave gjithëpopullore.

Surroi: Edhe propozimi për Deklaratë kushtetuese.

Ramajli: Nga kjo edhe doli tekst i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut.
Po t’i kthehemi mbledhjes së komisionit. Pa fillu mbledhja, një ditë ma herët mendimin e Sekretariatit për Legjislacion ma pruni në zyrë Bajram Mara... ishte deponue në Sekretari të Kuvendit, po ia ma pruni. Tha: “Ilaz, qe ku janë... këto janë mendimi jonë, këtu është prekë pozita...”, e kishin shkru krejt, “veç në fund nuk e kemi shkru propozimin a me u aprovu, a me u refuzu”. Në fakt, nuk ishte detyra e tyre, por... thashë, “e shtoj unë”. 
Se simbas funksionit, unë isha nënkryetari i Komisionit Kushtetues, kryetar ishte kryetari i Kuvendit. Edhe e thirra Halit Muharremin, ishte sekretar i Komisionit Kushtetues, thashë ma sjell një daktilograf, i cili është i besueshëm. E pruni Hamzë Ajazin, i cili ma vonë nuk u nda prej Kuvendit dhe gjithë kohën edhe jashtë ka qenë bashkë me Halit Muharremin... edhe e pruni ai me veti maqinën, edhe në fund e nënshkrova që unë propozoj që mos të aprovohen. 
Erdh koha për mbledhje, erdhën profesorët, m’u afru i ndjeri profesori Ejup Statovci, tha “Ilaz, qysh do të shkohet?” 
I thashë, “Profesor, mos u bëni merak se propozimi është që nuk koritemi as ju as na”.
“Ah, mirë”.
Edhe u futëm, filloi mbledhja. Unë e lexova fjalën hyrëse edhe në fund, që mos të aprovohet. Aty u ba njëfarë kaosii madh se çka ndodhi. Ata e kishin parë në Kuvend tekstin, po nuk e kishin pa përfundimin edhe diskutuan krejt profesorët tanë, diskutuan delegatët që ishin anëtarë: Muharrem Shabani, Ramadan Kelmendi... kundër ndryshimeve kushtetuese; E qiti në vota ky kryetari. E atë e këshillojshin me e ndalë mbledhjen, po ky diqysh u humb. E qiti në vota.
Kur e qiti në vota, na ishim shumica shqiptarë, edhe u aprovua ajo, që mos m’u dhanë pëlqimi. U prish mbledhja, ikëm jashtë edhe kjo ka çu mandej te 2 Korriku. 
Unë besoj që kjo ka qenë shkak që Serbia shpejt e shpejt, me 26 e sjell ligjin në Kuvend për veprimin e organeve republikane në kushte e jashtëzakonshme etj., ajo ish faktikisht ishte administrim ushtarak policor. Ishte modeli i njëjtë sikur 1945-n ose që më vonë u tentu 1991-n Unë atëherë isha jashtë, po kam lexu me Kryesinë e Jugosllavisë për futjen e qeverisjes ushtarake dhe kështu mbërrijmë deri te 2 Korriku, mbledhja e 2 Korrikut. 
Zgjati ajo mbledhja, me 22-23 (qershor, v.r.), mbledhja e Kuvendit, ku shkymën, dritat... edhe aty ka qenë një episodë shumë e çuditshme.

Surroi: Po patët vendosë me ndejt aty brenda.

Ramajli: Po! Vendosëm me nejtë. Unë vendosa me nejtë me delegatë edhe ndejta. 
Edhe u bë ajo tirada me shkymjen e dritave, me kërcënime... dhe me një moment vjen një punëtor i Kryesisë thotë, “Po të thirrin nalt në Kryesi”. Dritat ishin në shkymë, po kishte njëfarë drite që depërtonte prej korridorit në sallë. Edhe unë m’u dasht me shku. 
Por kisha frikën që kur të më shohin delegatë që shkova, mos po ju thonë që Ilazi shkoi dhe mos po largohet. Unë e hjeka sakon dhe e vnova në karrige. Ngat meje e pashë Ilaz Bylykbashin, fotoreporterin. E njihja prej rinisë. I thashë: “Të lutna, Ilaz me ulë te shkallët:, ato shkallë që janë sot edhe atëherë ishin për me mbërri të... edhe i thashë. “ulu këtu dhe mos lejo kërkon me e hjekë sakon prej karriges, se unë do të kthehem. Në të pyet ndonjë kush, i thua ka me u kthy shpejt”.
Kur shkova hyna në... zyrën e kryetarit të Kryesisë, Hysen Kajdomçaj, ishte një atmosferë e çuditshme. Së pari e pashë Hysenin ulun në tavolinën e vet dhe qëndronte pa ba za. Në pjesën tjetër ishte ulë me një kauç, ashtu ishte zyra, Rrahmani. Edhe ishte televizor i lëshuet... kurrë s’më hjekët ajo fotografi, tue pa një lojë të futbollit. Ndërkaq këndej ishin me një pjesë përballë Hysenit kryetari i Kuvendit, Luba Popoviqi, Sonja Shqepanoviqi dhe Trajkoviqi, çuditërisht...
Momcillo Trajkoviqi, edhe ai që ishte aty, ai ishte nip i Toma Sekuliqit. Edhe m’u drejtu Luba Popoviqi, vetëm ai, Hyseni s’folke, Rrahmani s’folke. Filloi me më kërcënu, “...tash kanë me ardhë policia me të arrestu ti je ai që je tue i mbajtë deputetët, delegatët, ty duhet me të arrestu, krejt këto ti e ki organizu...”, u bo një hallakamë e madhe.
Unë i thashë: Unë nuk largohna pa vendosë krejt delegatët. Mandej filloi Sonja Shqepanoviqi gjithnjë mendojsha, se Qeveria e ish qartë me Kuvendin, gjithnjë kur nuk ishte Jusufi aty, unë e unë mendoj se në qoftë se është Jusufi, barem një përkrahje e kam. Hyseni nuk folke hiç.
U bo një tollovi bukur e madhe aty, me fjalë gati u ngatërruam. Me një moment Momçillo Trajkoviqi tha: “A e dini çka? Leni rehat njerin se, unë po ju them, me pas qenë unë në vend të këtij, të njëjtën gja e kisha bo se unë isha kanë me popullin tim”. Këtë e tha ai. U çudita. 
Edhe unë me qat fjalë e u ktheva me dalë. Pa mbërritë te dera, hyni Jusuf Zejnullahu, e kishin thirrë edhe atë, po ai ma vonë. E mbas tij, Muhamet Bicaj. Jusufi tha: “Për çka po thërrasin?”
Thashë: “Leje more, po dojnë që unë me i largu delegatët”.
“A për qeto të kanë thirrë?” 
“Po”.
U kthy bashkë me mua. Nuk hyni fare brenda. Edhe u kthyem. Kjo ishte një episodë, e cila nuk është folë asnjëherë, dhe s’është pa, po për mua shumë e rëndë. 
Dhe kështu u caktu me një marrëveshje, më duket e ka ba Jusufi për 2 korrik me dikë. Nuk jam, nuk e kam të qartë.

Surroi: E ka në libër Jusufi, më duket në librin e vet e ka.

Ramajli: Nuk e kam lexu, por më duket që ai e ka mbërri marrëveshjen për 2 korrik, me këto po që bisedova unë, po me to sigurisht. Kryesorja u caktua zyrtarisht mbledhja për 2 korrik. 
Dhe mandej vjen 26-i (qershor, v.r.) kur shpallet ai ligji në Serbi dhe fillojnë presionet ndaj delegatëve edhe e shpall Kryetari i Kuvendit... njëherë presion ndaj delegatëve që mos me ardhë mbledhje, duhet mu shty mbledhja edhe e shpall dhe e thotë që do të shtyhet mbledhja e 2 korrikut. 
Është interesant se ma u distancum, nuk kishim kontakt të rregullt unë edhe kryetari  Po, i kishte thirrë tre delegatë, edhe mu në zyrën e tij. Gjithnjë Luba Popoviqi me të, ulë aty. Kur hyna e pashë Muharrem Shabanin, edhe pse sish mbledhje, Sabri Hashanin më duket, dhe një i tretë, ndoshta Ramadan Kelmendi. Edhe ai insistonte që ta pranojmë shtymjen e mbledhjes dhe caktimin për një datë tjetër. 
Edhe të tretë folëm unë, bile fola i mbrami, e lashë Muharremin një herë. Edhe në fund edhe unë i thashë mbledhja nuk ka m’u shty, s’mundet m’u shty se rregullisht është caktu, s’ka arsye për m’u shty. Ish rendi i ditës. Ndryshimet kushtetuese ishin. Na i kishim të gatshme. 
Edhe atëherë filloi presioni publik, u detyruan delegatët me shku në televizion e me njoftu, se frikoheshim që nëpër komuna do t’ju thojnë që është shty mbledhja.
Dolën Muharremi, Skënder Skënderi e disa tjerë në televizion, nuk u shty dhe kështu erdhëm te mbledhja e 2 Korrikut.

Surroi: Ndërkohë ka qenë grupi i punës i cili ka punuar me Gazmend Zajmin dhe me Fehmi Aganin, në shtëpinë e... unë një herë kam qenë te shtëpia e Sabri Hashanit në Dragodan, me Zenun Çelajn, e di që ka qenë një grup i punës aty.

Ramajli: Unë atëherë kam qenë nënkryetar dhe supozohej që unë... nuk ish bash e mundshme që unë me kontaktue. Unë e di më vonë, nuk jam pjesëmarrës në atë grup, kanë qenë delegatët, Skënder Skënderi në librin e vet e ka përshkru saktësisht natën e fundit kush ka qenë aty prej delegatëve, mandej Zenuni e ka përshkru, megjithëse a e di, kur të kalon kjo distancë kohore, paraqiten edhe njerëzit mendojnë unë po e vërej, që kur vdes dikush që mund ta vërteton një gjë, tjetri tregon një tregim, i cili është pak paralel me atë tjetrin.
Por, unë më vonë kam bisedu me shumë njerëz, deklaratën e ka përgatitë Gazmend Zajmi e ka shkru si tekst Zenuni dhe me 2 Korrik... tash e kam pyet, se e ka pasur një kush e ka pru te delegatët, dhe Leonora Zajmi, e cila ka pas lidhje familjare me profesorin, asaj iu ka dhënë teksti i Deklaratës dhe ajo ma ka konfirmu mu me 2 korrik, tash 2026-s... e kam pyet, për shkak se u hapën disa polemika, po tha. “Mua ma ka dhënë Zenun Çelaj edhe profesori...”
Zenuni e ka pas baxhanak Sabri Hashanin edhe me të është mbajtë lidhja direkte. Zenuni ka pasë edhe gjatë punës së Kushtetutës, domethënë kur kemi ardhë në përfundim, unë pata kërku që mu dorëzu te partitë politike teksti disa ditë para se me u mbajt mbledhja edhe u morëm vesh me Halit Muharremin edhe Hamzë Ajazin, ata ishin që teknikisht... edhe Hamzë Ajazi ia ka dorëzu tekstin e Kushtetutës Zenun Çelës në banesë.
Ai e ka përshkru, Hamza, me një emision televiziv. Do të thotë Zenuni... ky tregim ka qenë qysh është përgatitë. Janë mbledhë ky grup i delegatëve, aty ka qenë edhe Gjurgjeala..., Bujari ka qenë njëri ndër delegatët që kanë pasë... një guxim të jashtëzakonshëm, ai bile e ka udhëheqë mbledhjen, kur kanë dashtë me i anulu ligjet për integrimin e elektroekonomisë, ka qenë një mbledhje e Dhomës Punës Bashkume. Kryetari i Dhomës nuk ka deshtë me majtë mbledhjen, ose me ndërpre, Bujari e ka mbajtë mbledhjen edhe nuk është regjistrue se është urdhnu që me u mbyllë regjistrimi, por Bujari e ka udhëheq mbledhjen e Dhomës edhe faktikisht kanë votu për suprimimin e atyre ligjeve, por nuk ka zgjatë... Bujari ka qenë aty dhe Bujari, Muharremi, Kadrie Dajçi, Kadrije Ismajli, Selvie Gjinaj, një njeri i jashtëzakonshëm...
Halit Muharremi e ka mbajtë organizimin me këta, i ka ftu, janë takue te Skënderi, se ka qenë Sekretari i Komisionit Kushtetues dhe këto ishin çështje kushtetuese.

Surroi: Unë jam informuar nga Bujari, meqenëse e kam djalë të hallës, e kam pasur, Bujari pati ardhur dhe më ka pas njoftuar bashkë me Halitin dhe me një deputet tjetër në një kafiteri ku bëhej shumë zhurmë për mos me na dëgju dhe më kanë informuar për këtë dhe ka ekzistuar një përkrahje e plotë, por ajo që nuk dihet, është që kjo punë nuk ka rrjedhë prej udhëheqjes politike. Kjo ka qenë një iniciativë e vetë deputetëve të Kuvendit.

Ramajli: E vërtetë është, mandej formulimi juridik ia kanë dhënë qysh thuhet, profesionistët. Se iniciativa ka fillu, me i hy punimit të Kushtetutës së re me propozimin që e ka bo Ramadan Kelmendi me më dukët fillimisht me nënshkrimin e 37 delegatëve. Mandej, mbledhjet e Kuvendit nuk ishin të rregullta. Ditën e nesërme ishin ba 67 deputetë, mirëpo edhe në mbledhjen e Komisionit Kushtetues, njëri ndër konkludimet e Komisionit Kushtetues ka qenë që Kuvendi t’i hyjë punimit për bërjen e Kushtetutës së re të Kosovës, do të thotë iniciativat kanë qenë prej delegatëve, për shkak se e njëjta gjë ndodhte edhe në njësitë tjera federative, domethënë na e ndjekshim këtë. 
Po, Ramadan Kelmendi ka qenë ai që doli me propozimin për fillimin e procedurës për bërjen e Kushtetutës. Mandej, meqenëse me 14 qershor ishte publiku dokumenti i Akademisë së Shkencave...,

Surroi: ...në Rilindje doli komplet...

Ramajli: ...unë besoj që edhe për kah njohuritë profesionale, Gazmendi, profesori, e ka ba tekstin e Deklaratës.

Surroi: E tash të gjithë ne jemi zgjuar me 2 korrik, edhe e kemi ditë që është një ditë e madhe dhe e kemi ditë që nuk mund ta parashikojmë se si do të përfundojë ajo ditë. Si je zgjuar ti atë ditë?

Ramajli: Në fakt, Këshilli ndërpartiak siç quhej atëherë, me 1 (korrik, v.r.) kishte dalë me një deklaratë. I kishte thirrë delegatët që ta mbajnë mbledhjen dhe të votojnë dhe i kish renditë thuajse krejt pikat që i ka deklarata e 2 Korrikut.

Surroi: Edhe këtu kemi heqë shumë keq për me e mbërritë këtë pajtim brenda, se ka pasur njerëz që nuk donin që Këshilli ndërpartiak me dalë me një prononcim të tillë.

Ramajli: Po ne nuk e kemi ditë këtë, por t’ju them ky grupi i delegatëve, Bujari që kanë qenë në shtëpi të Skënderit me Halit Muharremin si sekretar i Komisionit dhe të tjerët atje ishin marrë vesh, unë nuk e kam ditë, që mbledhjen ta udhëheq Bujari edhe që deklaratën ta lexon Muharremi (Shabani, v.r.) e ndër tjera, krejt atë proces e ka përshkru Skënder Skënderi në libër 
Por unë ta tregoj një pjesë tjetër. Unë në ora 7:00 kam shku në punë, i bindur që ka mu mbajtë mbledhja... Nuk e kam ditë që mund me ndodhë kjo rreth mbylljes. Ka qenë diçka krejt e papritun. Por, në ora 8:00, meqenëse në Kuvend ishte njësia e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, civilë “për mbrojtje të afërt”, siç quhet tash, atëherë më duket “për ruajtjen e objekteve dhe të personave”, ata në çdo kat para hyrjes të kabinetit, kryetarit të kuvendit, etj., ishte nga një civil, ndërkaq dy hymjet i kontrollonin ata, hyrje-daljen. Ashtu ish profesioni i tyre, ishin policë të trajnum për atë. 
Në ora 8:00, meqenëse unë kisha punu katër vjet si sekretar i qeverisë, ata krejt më njihshin se kisha punë me të gjatë atyre katër vjetëve, dhe në ora 8:00, në kabinetin tim, vjen ky shefi i tyre, ia kam harru për fat të keq emrin, një burrë shumë i mirë, e kam pa pas luftës, edhe një herë... më s’e kam pa, shpresoj që është gjallë, edhe më thotë: “Nënkryetar, na i morën kompetencat”.
Unë i thashë, “Kush ua mori kompetencat?”
Tha, “Një njësi e veçantë”.
Thashë, “A është e Policisë së Kosovës?”
Tha, “Jo, nuk është e Policisë Kosovës”.
“E çka domethënë kjo që ua morën kompetencat?”
Tha, “Na larguan prej dyerve ku bëjmë roje, edhe na larguan prej zyrave që i ruajmë, të njerëzve të parë”.
Thashë, “Armët a jua morën?”
“Jo, armët nuk na i morën”. 
“E çka doni me bo tash?”
Tha: “Tash, po shkoj, po pyes, jena tu provu me kontaktu dikend në SPB, kena përshtypje që edhe telefonat janë bllokuar që nuk e kontaktojmë askënd”.
Edhe ky ishte indikacioni i parë që diçka është tue ndodhë.
Më vonë erdhën të punësum të tjerë të Kuvendit, anëtarë, sekretarë të komisioneve të Kuvendit, Lirie Osmani, Brunçaj, etj., edhe po më thonë i kanë mbyllë..., se mbledhja ishte caktu për ora 10:00, i kanë mbyllë dyert e Kuvendit.
Kur filloi me rreh telefoni pandërpre.
Edhe sekretare e kisha një grua shumë të mirë, Sebahate e kishte emrin, ishte bukur në moshë edhe ia kam harru mbiemrin, edhe ajo po më thirr, po thotë “Po thirr kryetari i Kuvendit të Serbisë”, atëherë kryetari i Kuvendit të Serbisë ka qenë më duket Sokolloviqi, sa e mbaj mend unë, bile flitej që është baba ose mixhë i gruas të Rrahmanit, nuk jam i sigurt, por kryesorja i thashë: “Thuaj që s’jam këtu!” 
Ajo i tha një herë “s’jam këtu”, kur mbas 15 minutave, prapë “s’jam këtu”, prapë “s’jam këtu”, herën e tretë ajo sekretarja i kishte thënë: “Shiqo! Jepja telefonin, se ne e dimë që është aty!” 
Edhe kjo, kështu po më thotë në telefon, në kabinet. I thashë “prit pak”, se u çudita kur i tha që jam në kabinet. Kur dola te dera kabinetit, kur e shoh një polic i uniformum, me krejt uniformën dhe me skafandër.
U çudita, e kishin pas zënë krejt territorin. Edhe atëherë erdhën edhe tjerë për më treguar, unë nuk e mora thirrjen, thashë thuj s’po don me bisedu edhe erdhën edhe tjerë... ndërtesën e kontrollonte Qeveria e Kosovës. Ashtu ka qenë e rregullume. Shërbimet e Qeverisë nuk kishin autoritet Kuvendi, as kryetari i Kuvendit nuk kishe le ma nënkryetari. 
Atëherë unë shkova... thashë të shkoj të këqyri a është tue ndërmarrë najsend kryetari i Kryesisë. Kur hyna te Hyseni, që çka të bajmë për me mujt me i çelë dyert, aty e takova Sapunxhiun, anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë, ai kishte ardhë për 2 Korrik, për mbledhjen, se edhe në atë mbledhjen që iu ndërpre ka qenë Rizai, po kish ardhë. kishte qenë te ai, edhe Jusuf Karakushi si ministër i Brendshëm, ish kanë bashkë me ta.
Edhe unë po ju them Kajdomçës edhe Jusufit, a mundeni me ba diçka, me i çel dyert le të hynë delegatët mbrenda. Kajdomcaj tha, unë s’kam kurrfarë mundësie. 
Jusufi tha: “Ilaz! Unë edhe zyrën ma kanë okupu, nuk jam ma në zyrën time. A po e sheh? Në këtë situatë jam”. 
“Pse?” 
Tha, “E kanë marrë tjerët. disa struktura tjera komandën”.
Thashë, “Po policët tanë?” 
“Policët tanë ju kanë thanë m’u largu këta na Kuvend që ishin”. 
Edhe unë e kuptova që kjo punë ma nuk mund të zhbahet. Kam dëgju ma vonë që kanë shku edhe te Jusuf Zejnullahu disa delegatë, po as ai s’ka mujt me ba kurrgjë.

Surroi: Ky ka qenë grusht shtet, faktikisht.

Ramajli: Absolutisht kishin ardhë njerëz tjerë të armatosur, policë. Edhe atëherë unë vendosa që nuk ka më arsye me ndejt dhe dola te delegatët.
Është e inçizume krejt mbledhja. Më kujtohet mua afrua Muharrem Shabani dhe më tha: 
“Ilaz, unë do ta lexoj këtë. Tha jemi marrë vesh që Bujari me majtë mbledhjen”.
Thashë, “Krejt është në rregull Muharrem”. Thashë, “A i përmban krejt pikat që kanë qenë në Deklaratën e partive politike?” 
“Po, po, të gjitha i përmban”. Kështu më tha mua. Më vonë është hapur një diskutim rreth pikës 6, po ai tha të gjithë i përmban i lëshova sytë, i pashë, thashë “në rregull”. Unë tue largu...

Surroi: E çka ka mbetur te pika gjashtë se s’e kuptova?

Ramajli: Rreth shfuqizimit të akteve të mbledhjes së Prizrenit, kur është shfuqizu Bujani. Më vonë unë e kam kuptuar, tue largu m’u afrua ky delegati prej Gjakovës, Bakalli... Edhe ai me një letër.

Surroi: Ruzhdi Bakalli.

Ramajli: Po. Edhe ai me një letër. Tha, “Ilaz, qekjo është deklarata”. 
Kur e pashë unë, ajo ishte më e gjatë se ajo që ma tregoi Muharremi. Thashë: “Shiko, Muharremi e ka deklaratën që duhet lexu”. 
Tha, “Po mirë edhe kjo, se ajo krejt njësoj”..., më vonë e kam kuptu që ka ekzistu edhe një tekst që e kishin punu delegatët e Gjakovës, me kënd unë nuk e di, po ma vonë kam supozu që dikush ia ka dhënë, këtë e konfirmon edhe Skënder Skënderi në librin e vet, Bakalli e ka prezantu një deklaratë, tekst tjetër, më të gjanë, në takimin që e kanë pasur të fundit në shtëpi.
Dhe kështu, tash mos me përshkru, se njëqind herë e kemi përshkru atmosferën aty, por unë e pashë që aty është edhe Luljeta Pula, shoqja ime e klasës prej gjimnazit, me një (Eva, v.r.) Brantley, veç kishte dalë një gazetë... iu afrova i përshëndeta edhe e pashë që popullata do me u afru shumë...se ishte një kordon policie, policët tanë, cilët na thonin hiç pa ndalë krejt delegatëve, “Mos u mërzitni ju”. Po do të krijohet ndonjë konfrontim, tre delegatë i thirra Naser Gashi nga Kaçaniku, dy tjerë edhe ju thashë: “Shkoni njerëzve thuajuni le të largohen, le të jenë të qetë. Leni policët në vend”.
Kjo pjesë e policëve kishte qëlluar e jona, edhe ata thonin: “Gajle mos e keni se na jemi këtu”.

Surroi: Nuredin Ibishi u pati ofruar një ditë më herët, Komandanti i Forcave Speciale edhe i pat ofru profesorit Agani ne jemi të gatshëm me...

Ramajli: E kam dëgju ma vonë. 
Edhe këta që ishin aty pa ndërpre përsëritshin, “Ju mos e keni gajle, ne jena këtu”. 
Edhe filloi qysh filloi mbledhja, u aprovu, u lexu Deklarata Kushtetuese, u refuzu ndryshimi i Kushtetutës, po ma me rëndësi, na u nënshkruam krejt delegatët për prezencë. Ajo doli mirë, se mandej iu bashkëngjit deklaratës, po në fakt kemi nënshkru për prezencë.
Dhe kur u krye mbledhja u nisëm m’u shpërnda, atëherë Jusuf Zejnullahu me anëtarët e Qeverisë filluan me ardhë kah na, deri atëherë nuk ishin... edhe urime, urime...
...ma shumë unë me Isën e me Muhametin u uruam dhe u larguam dhe kështu përfundoi 2 Korriku.

Surroi: Kur mbërrite në shtëpi qysh je ndier?

Ramajli: Në shtëpi interesant, ma së pari ishte një lehtësim i jashtëzakonshëm.
Frika më e madhe, edhe me 7 Shtator, e njëjta ka qenë jo veç tu unë, te krejt delegatët, që s’kanë me na leju me kry detyrën tonë, se e dishim që vetëm na mundemi me e kry atë punë, nuk mundet tjetërkush.
Edhe në shtëpi ishte një çlirim total.
Ditën nesërme ishte bajram, ditë pushimi. Edhe unë zbres poshtë për me shku në Kaçanik, ka qenë ditë me diell kurrë s’e harroj. Poshtë disa komshi ka qenë një kasap, te Kurrizi shitte pemë, krejt ishin mbledhë... një entuziazëm total.
Edhe kur unë panë mua, “O Ilaz, ndalu, ndalu!” 
U afrova: “Çka ka?”
“Ilaz, Bravo e bonët dje!”
I thashë: “Po, po me ndihmën e juve, njerzve tanë”.
Mirëpo tha: “Hala ishin policët këtu, bile kish ma shumëI”
Thashë: “E?” 
Tha, “Po na e shpallëm këtu, duhet me shku tash”. 
Unë e kuptova që edhe këta prej euforisë së gëzimit që u kry me qekaq puna.
Edhe me 5 (korrik 1990, v.r.) ndodhi ajo që ndodhi, do të thotë u suspendu Kuvendi, Qeveria u suspendu. u mbyll televizioni, mandej pasuan masat tjera kundër “Rilindjes”, etj., po drejtën ta them, ma rruga ishte e qartë, nuk kishte dilema.
A sa i përket Kuvendit, ishte një detyrim nga pika pesë, që menjëherë me fillu me bërjen e Kushtetutës së re.

Surroi: Ndoshta është ky momenti me ndërpre dhe nëse pajtohesh, kemi mbetur me obligimin me e vazhdu këtë javën tjetër.

Ramajli: Me gjithë qejf!

Surroi: Faleminderit!