Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vazhdon rigjykimi i Endrit Nikës, dëshmon mjekja që ia dha ndihmën e parë viktimës argjentinase

Endrit Nika

Foto: KOHA

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon procesi i rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila humbi jetën në gusht të vitit 2023, pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.

Në këtë seancë po dëshmon mjekja Blerina Gashi, e cila punon në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë, dhe e cila ia ka dhënë ndihmën e parë viktimës. 

Avokati i Nikës, Tomë Gashi, e ka pyetur dëshmitaren nëse i kujtohej esenca e deklaratës së dhënë në Polici

Por trupi gjykues nuk e ka lejuar këtë pyetje. 

Gjyqtari Gazment Bahtiri ka thënë se nuk mund t’i referohen kësaj deklarate, për faktin se prokuroria i ka informuar se ka të bëjë me një çështje tjetër.

“Gjykata i referohet vetëm dëshmisë së saj në seancën e kaluar. E përsëris se gjithçka që ka thënë në procesverbalin në polici, ju ndaloj ta parashtroni si pyetje, për shkak se nuk është pjesë e shkresave të lëndës”, ka theksuar Bahtiri.