Mënyra se si është përkujtuar në njëvjetorin e vdekjes, ka qenë dëshmia se artistët sikurse ai largohen nga jeta, por jo edhe nga skena. Enver Petrovci jeton në veprat që ka lënë pas, në kujtimet e shumta. Takimi përkujtimor të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, s’e ka njohur fjalën “lamtumirë”, por “faleminderit”. Ka qenë si një shfaqe ku rolin kryesor ai e jetën nëpërmjet gjurmëve që kanë lënë ndër gjenerata
Kur dera e sallës hapet, sikurse kur hyn publiku në një shfaqje, në “ekran” këngës ia thotë Enver Petrovci. I këndon jetës, siç ka bërë jo rrallë midis miqsh. Me të marrë fund ato sekonda të këngës, portretet e tij ndërrohen e Lulzim Lushtaku luan në kontrabas. Efekti me dy palë imazhe, njëri në perden e tejdukshme e tjetri pas, bashkë me lojën në kontrabas, sikur janë intro e një shfaqjeje ku bashkohen mediume të shumta. Me rreth 50 veta në sallë, kjo lloj introje ia lëshon rrugën aktores Teuta Krasniqi në rolin e moderatores.
Të martën mbrëma Teatri Kombëtar i Kosovës ka kujtuar aktorin, regjisorin e profesorin universitar, Enver Petrovci. Në njëvjetorin e vdekjes, ai është kujtuar si artist që, pos roleve në skenë, qe edhe profesor i artit e po ashtu edhe i jetës. Enver Petrovci vdiq më 22 shtator 2025, në moshën 71-vjeçare.
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka thënë se gjithmonë i ka lënë përshtypje sidomos për pjesën e studentëve të tij, të cilëve u ka mësuar gjëra të ndryshme nga përvoja e tij.
“Jo veç si artist, por edhe nga përvoja e tij në jetë. Mendoj se jemi me fat që e kemi pasur dhe më vjen keq që sot nuk e kemi fizikisht pranë nesh. Por mbetet pjesë e jona e rrënjosur në punën që e bëjmë në institucione”, ka thënë ajo. Sipas Bogujevcit, nuk qe e lehtë të lësh një emër dhe veprimtari prapa vetes, sidomos në periudhën kur Enver Petrovci ka qenë pjesë e skenës, por edhe në kohën kur ka qenë profesor.
“Uroj shumë që në gjeneratat që vijnë të lindin njerëz si Enver Petrovci dhe të lënë gjurmë siç ka lënë ai”, ka thënë ajo.
Në emër të Fakultetit të Arteve, prodekani Zeni Ballazhi ka rrëfyer se me Petrovcin u njohën në aeroplan, duke udhëtuar për në Norvegji, në kuadër të një projekti të përbashkët, “Arti kundër dhunës”. E ka përshkruar si njohje të çuditshme dhe të bukur.
“Që në takimin e parë, pata ndjesinë sikur nuk po takoja një njeri për herë të parë, por sikur po takoheshim përsëri pas shumë kohësh. Gjatë atij udhëtimi kaluam shumë mirë. Folëm, qeshëm, bashkëpunuam dhe, mbi të gjitha, e kuptuam se arti na kishte sjellë bashkë. Që nga ajo ditë, rrugët tona u kryqëzuan shumë herë”, ka thënë Ballazhi. Ka treguar se bashkëpunuan në projekte filmike e teatrore. Ka përmendur shfaqjen “Myslimani” në Teatrin Kombëtar, ku qe skenograf. Sipas tij, këto nuk janë vetëm punë që i përkasin një biografie profesionale, por edhe kujtime.
“Por Enveri për mua nuk ishte vetëm aktori i madh, regjisori apo profesori. Ishte edhe miku. Ishte ai njeri me të cilin mund të punoje seriozisht, por edhe të qeshje shumë. Dhe ndoshta ajo që e bënte Enverin të veçantë ishte mënyra se si sillej me njerëzit. Ishte i dashur me ata që e donin, por dinte të ishte i mirë edhe me ata që nuk e donin. Kjo është diçka që nuk mësohet në shkollë. Ky është karakter”, ka thënë ai. Sipas Ballazhit, kontributi i Petrovcit në Fakultetin e Arteve ishte i jashtëzakonshëm. Ka thënë se, si profesor, ai nuk u mësoi studentëve vetëm aktrimin, por edhe të guxonin, të kërkonin, të mos kënaqeshin me të zakonshmen dhe ta merrnin artin seriozisht. Në emër të Fakultetit, ai ka thënë se Petrovci kujtohet me mall, me respekt dhe me mirënjohje të pafundme.
“Mirënjohje për artin e tij. Për teatrin. Për filmin. Për studentët. Për miqtë. Dhe për të gjitha ato takime e kujtime që na ka lënë. Enveri ishte njeri i skenës. Dhe ndoshta prandaj edhe sot, kur flasim për të, kemi ndjesinë sikur ai është diku këtu. Sepse disa njerëz largohen nga jeta, por nuk largohen nga skena. Nuk largohen nga kujtesa. Nuk largohen nga njerëzit. Enver, sonte nuk po të themi lamtumirë. Po të themi: Faleminderit, Enver! Për artin”, ka përfunduar ai.
Në emër të familjes Petrovci, të pranishmëve u është drejtuar e bija, Vanesa Petrovci. Sipas saj, nuk ka vend më domethënës se skena e Teatrit për ta kujtuar të atin. Ka thënë se ai e ka dashur këtë vend, sikurse gjuhën, kulturën, artin dhe njerëzit e tij.
“Por sonte për një moment dua ta lë anash Enver Petrovcin që e njeh publiku. Dua të flas për babanë. Për njeriun që, para se të jetë profesor i aktrimit e regjisor, ai ka qenë profesor i jetës. Ai na ka mësuar shumë. Na ka mësuar ta duam artin, të jemi modestë e t’i duam njerëzit. Na ka mësuar ta duam kombin e të qenit shqiptar si diçka parësore. Mbi të gjitha, na ka mësuar ta duam jetën”, ka thënë Vanesa Petrovci. Sipas saj, për vite i ati e ka përballuar një sëmundje shumë të rëndë.
“Kishte dhimbje dhe ne e shihnim. Por ai gjithmonë ka gjetur një mënyrë që të na lehtësojë me një shaka, një buzëqeshje e fjalë. Ky ka qenë babai që kemi njohur. Njeriu që edhe kur vetë e kishte të vështirë të merrte frymë, na ka dhënë frymë neve”, ka thënë Petrovci. Të pranishmit më pas me nga një pije kanë kujtuar artistin. Në mënyrën që ai festonte për jetën.

I lindur në Prishtinë më 28 shkurt 1954, Petrovci po në këtë qytet përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin. Prishtinës nuk iu nda as kur nisin mësimet për aktrim duke ndjekur Shkollën e Lartë Pedagogjike. U zhvendos në Beograd ku përfundoi Fakultetin e Arteve Dramatike më 1978. Sipas Fjalorit Enciklopedik të Kosovës me shfaqjet “Mblesëria” dhe “Martesa” të Anton Chekhov mori pjesë në të gjitha festivalet e ish-Jugosllavisë, si dhe në disa festivale ndërkombëtare. Po, sipas Fjalorit, zë i shkruar nga Besim Rexhaj, pas diplomimit Petrovci u angazhua në Teatrin Jugosllav të Dramës kurse në “Atelje 212” luajti rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosançiqit”.
“Pas kësaj shfaqjeje, në vitet ’80 u angazhua kryesisht në rolet kryesore teatrore. Me thellimin e krizës në ish-Jugosllavi, u largua nga Beogradi dhe në Prishtinë luajti shfaqjet ‘Konfiteori’, ‘Procesi’ dhe ‘Nastasja Filipovna’”, shkruhet aty. Teatrot e Dubrovnikut, Suboticës e Novi Sadit qenë po ashtu nikoqire të roleve të tij. Në fillim të viteve ’90, Petrovci do t’i kthehej Prishtinës si qytetar i saj. U zgjodh ligjërues i aktrimit dhe i diksionit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
“Në vitet 1990–1993 ishte themelues dhe drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë. Pas largimit nga puna në teatrin ‘Dodona’, në vitin 1994 themeloi shkollën e parë private të aktrimit ‘Actor’s Studio’ në Prishtinë”, shkruhet në Enciklopedi. Petrovci pas luftës së fundit në Kosovë themeloi edhe shtëpinë teatrore “Teatri i Babës” që nuk pati funksion të gjatë. Qe personazh i shumë filmave, e shfaqjeve teatrore. Shfaqjet si “Kush më ka faj që jam shqiptar” dhe “Të mallkuarit”, në të cilat ai është autor, regjisor dhe aktor, ishin shfaqjet e para që u realizuan në teatrin “Dodona” dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës menjëherë pas luftës në Kosovë.
Sa i përket kinematografisë së Kosovës, në vitet ’80 do të njihej për rolet e tij në filma si “Kur pranvera vonohet”, “Dhimbja krenare” dhe “Rojat e mjegullës”. Por në atë dekadë, qe goxha emër i kinematografisë jugosllave. “Hajde da se volimo 2”, “Obična priča”, “Šargarepo ti ne rasteš lepo”, “Manifesto”, “Ortaci”, “Dečji bič”, “Uvek spremne žene”, “Život u grobljanskoj”, “Jugovizija”, “Dvostruki udar”, janë disa prej filmave të asaj kohe ku Petrovci ka luajtur. Ka luajtur edhe në filma shqiptarë pas luftës së fundit.
Petrovci gjatë jetës së tij është shpërblyer me shumë çmime si Çmimi i parë në festivalin mbarëkombëtar “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, aktori më i mirë në Festivalin e Filmit Kosovar më 2003 dhe 2004 dhe 2007 dhe aktori më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë më 2010. Kurse në vitin 2021 ishte laureat i Çmimit për veprimtari jetësore në fushën e teatrit, çmim ky që ndahet nga Ministria e Kulturës.