Kujtimet e mësimet prej tij kanë qenë homazhet në nderim të aktorit, regjisorit e pedagogut Enver Petrovci, i cili jetoi për artin e jetën e bëri art. Edhe lamtumira e fundit i është dhënë me duartrokitje si shenjë falënderimi për atë që la pas, një thesar rolesh në teatër e film, por, mbi të gjitha, për mësimet mbi jetën, dashurinë për të. “Me humor edhe ndërroi jetë. Në momentet e fundit ka këndu, ka folë e buzëqeshë e na e ka lehtësuar edhe neve dhimbjen. Kjo ka qenë motoja e tij e jetës”, ka thënë Venesa Petrovci, e bija e aktorit të shquar, të martën, në komemoracionin pas homazheve në “shtëpinë” e tij, Teatrin Kombëtar të Kosovës
Me duartrokitje të pafundme është larguar arkëmorti i Enver Petrovcit nga salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në të gjallë hyri jo rrallë aty si personazhi kryesor. E të martën, në “shfaqjen e fundit”, në skenën e këtij institucioni ishte po ashtu personazhi kryesor. Kësaj radhe audiencën e ka pasur si asnjëherë më parë. Gjenerata të tëra aktorësh që e kanë mësuar zanatin prej tij. Ata bashkë me familjarët, miqtë, kolegët e qytetarë të shumtë, ia kanë dhënë lamtumirën njërit prej aktorëve më me nam ndër shqiptarë.
Enver Petrovci vdiq të hënën, në moshën 71-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Komemoracioni i organizuar nga TKK-ja ka bashkuar kujtimet për aktorin, regjisorin e dramaturgun Petrovci. Janë kujtuar rolet e tij bashkë me talljet në muhabete pune a ndeja qejfi. Petrovci qe në treshen me nam, që nga Kosova i kishin dhënë shumë teatrit e kinematografisë jugosllave. Pas Bekim Fehmiut e Faruk Begollit, në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80, ai ishte emër i përveçëm në Beograd. E dijen e përvojën e tij më pas do ta vinte në shërbim të Degës së sapoformuar të Aktrimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në fillim të viteve ’90. I ishte bashkuar Faruk Begollit në edukimin e brezave.

“Ai vendosi binarët e aktrimit në këtë vend...”
Në nderim të tij, për dy orë janë bërë homazhe përballë arkëmortit të artistit. E në komemoracion Petrovci është kujtuar si edukues brezash e interpretues dhe krijues i veçantë.
Në emër të ish-studentëve të tij ka folur aktori Agron Shala. Krejt në fillim ka treguar se si do të reagonte profesori i tij në një situatë të tillë.
“Profesori sigurisht tash kish me thënë: ‘Hajt filozofo pak...’ Kish me thënë: ‘Çka po e bëni tragjike, a po e sheh sa e lehtë është?’ Por për ne nuk është e lehtë, është humbje e madhe e boshllëk”, ka thënë ai.
Sipas Shalës, Petrovci është larguar fizikisht, por secili i pranishëm në atë sallë bart copëza nga thesari i tij nga mësimet, nga qasja e tij e sinqertë, konkrete e shumë e veçantë.
“Ai vendosi binarët e aktrimit në këtë vend dhe kjo është trashëgimi që nuk do të harrohet kurrë”, ka thënë Shala. Duke folur për të si profesor, ka thënë se ai shpesh ishte edhe një prind i dytë.
Aktori Hazir Haziri, i cili është dekan i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se emri i Enver Petrovcit është sinonim i artit të vërtetë në skenë e në ekran.
“Enveri ishte gjithmonë i jashtëzakonshëm. Ai luajti kryerolet e dramaturgjisë botërore duke i sjellë me mjeshtri, thellësi dhe forcë artistike që rrallë shihet. Çdo interpretim i tij ishte një përjetim i fuqishëm, një leksion i gjallë arti, një lojë ndryshe, që edhe sot mbetet në kujtesën e publikut dhe kolegëve të tij”, ka thënë Haziri. Ka thënë se ai nuk do të kujtohet vetëm si aktor i madh, sepse një pjesë po aq e rëndësishme e jetës së Petrovcit ishte e lidhur me Fakultetin e Arteve. Ka thënë se kur Faruk Begolli themeloi Degën e Aktrimit në Fakultetin e Arteve, ai e ftoi Petrovcin që t’i bashkohej.
“Ndonëse në kulmin e karrierës së tij artistike e pranoi me përkushtim këtë ftesë, duke e vënë në plan të parë misionin e tij për edukimin e brezave të rinj. Kjo ishte një sakrificë dhe një vizion i madh: të kontribuojë në ndërtimin e një shkolle të vërtetë të aktrimit nga ku dolën dhe po dalin artistë që sot janë krenaria e skenave dhe ekraneve tona”, ka thënë Haziri. Ai shton se ishte me fat që ka qenë njëri prej studentëve të tij.
“Nga përvoja me profesor Enverin, unë mësova jo vetëm artin e aktrimit, por edhe disiplinën, përkushtimin dhe dashurinë e pakushtëzuar ndaj profesionit. Ai ishte i rreptë në punë, shumë kërkues deri në detaje, por njëkohësisht i afërt, i ngrohtë, kur shpesh, duke u kujdesur si prind e duke dhënë këshilla jetësore, ai edukonte jo vetëm aktorë, por edhe si njerëz”, ka thënë Haziri. Më vonë i ndanë edhe shesh-xhirimet dhe u bënë kolegë në fakultet. “Sot ndoshta formalisht ia japim lamtumirën, por profesori do të mbetet në kujtesën tonë jo vetëm si një aktor me role të pavdekshme, por si një njeri që e jetoi artin me përkushtim”, ka thënë ai.

“Ai e jetoi jetën siç deshi dhe neve na e dha lojën...”
Si njeri të dashur dhe serioz, brutal në sinqeritet dhe të drejtpërdrejtë e ka përshkruar Petrovcin ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka thënë se zbrazëtia që la Petrovci nuk mbushet dot për mësimet që la, duhet të jetojnë.
“Ai ishte edhe Hamleti ynë, edhe Makbethi, edhe Cezari, ishte baba i ‘Teatrit të Babës’, mentori e profesori i shumë artistëve që sot na dhurojnë art cilësor. Ata që e kanë parë një herë në skenë nuk ka mundësi ta harrojnë. E janë të rralla rastet kur e sheh një figurë dhe menjëherë të vjen në kokë zëri i tij”, ka thënë Çeku. Sipas tij, Kosova është krenare me figurën e Petrovcit.
“Ai e jetoi jetën siç deshi dhe neve na e dha lojën për të cilin nuk e dinim se kemi pasur nevojë. Prehu në paqe, Enver Petrovci, emri mos t’u harroftë kurrë dhe për këtë do të kujdesemi të gjithë!”, ka thënë ai.
Në emër të familjes Petrovci të pranishmëve u është drejtuar e bija aktorit të ndjerë, Vanesa Petrovci. Ajo e ka përshkuar si baba e familjar.
“Me gjithë karrierën e tij jetësore madhështore, që ka lënë gjurmë të mëdha te ne, populli e vendi ynë, unë kam nevojë të flas sado pak për babin që ka qenë. Për njeriun e mirë e zemërplot që i ka dashur njerëzit pa kushte, u ka besuar dhe s’ka besuar në të keqën e askujt”, ka thënë Petrovci.
Për të atin ka thënë se ka qenë “njeri i shpirtit”.
“Në sy ta ka lexuar gjendjen shpirtërore. Dhe i tillë do të mbesë”, ka thënë ajo.

“Në momentet e fundit ka këndu, ka folë e buzëqeshë...”
E bija e tij ka rikthyer edhe momentet e fundit të Enver Petrovcit. Ka thënë se edhe në një kohë të zorshme për të ishte po ai.
“Tash e disa vjet me këtë sëmundje tepër të rëndë, ai e ka kaluar njësoj: me humor, edhe kur kishte dhimbje të hatashme. Me humor edhe ndërroi jetë. Në momentet e fundit ka këndu, ka folë e buzëqeshë e na e ka lehtësuar edhe neve dhimbjen. Kjo ka qenë motoja e tij e jetës”, ka thënë Petrovci. Për të atin ka thënë se ka lënë trashëgimi në art, por, mbi të gjitha, mësime për jetën.
“Para se të jetë profesor i aktrimit, regjisë e artit në përgjithësi, ai ka qenë profesor për jetën. Na ka mësuar se si me e dashtë e si me e trajtu jetën. Na ka mësu me e dashtë vendin, me e dashtë kombin dhe të qenit shqiptar si diçka parësore”, ka thënë ajo.
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, e ka kujtuar Petrovcin si aktor e si profesor.
“Si drejtor i TKK-së dua të të falënderohem për gjithë ato role të mëdha që ke bërë e sidomos për shfaqjen e parë të TKK-së pas luftës, ku edhe ky institucion e ka rinisur punën e vet. Du me të falënderu për gazimin që na ke dhënë të gjithë studentëve të tu që të jemi rebelë atëherë kur besojmë se teatri po preket”, ka thënë ai në një fjalë të ndjeshme. Ka qenë ai që ka kërkuar që Petrovci të përcillej ashtu siç i ka hije aktorit të madh: me duartrokitje.
I lindur në Prishtinë më 28 shkurt 1954, Petrovci kishte nisur studimet për aktrim në Shkollën e Lartë Pedagogjike. U zhvendos në Beograd, ku përfundoi Fakultetin e Arteve Dramatike më 1978. Në fund të viteve ’70 dhe më pas në vitet ’80 qe emër në teatrin dhe filmin jugosllav. Në atë periudhë luajti edhe në Kosovë. Sa i përket kinematografisë së Kosovës, në vitet ’80 do të njihej për rolet e tij në filma si: “Kur pranvera vonohet”, “Dhimbja krenare” dhe “Rojat e mjegullës”. Por në atë dekadë qe goxha emër i kinematografisë jugosllave. “Hajde da se volimo 2”, “Obična priča”, “Šargarepo ti ne rasteš lepo”, “Manifesto”, “Ortaci”, “Dečji bič”, “Uvek spremne žene”, “Život u grobljanskoj”, “Jugovizija”, “Dvostruki udar”, janë disa prej filmave të asaj kohe ku Petrovci ka luajtur. Ka luajtur edhe në filma shqiptarë pas luftës së fundit.
Gjatë jetës së tij themeloi disa institucione, nxori shumë gjenerata aktorësh dhe u bë personazh i dhjetëra shfaqjeve e filmave duke hyrë në historinë e artit skenik shqiptar dhe atij jugosllav si mjeshtër i aktrimit. Çmimet i kishte të shumta, përderisa shpesh edhe fliste me shpoti për ato. “Muslimani” më 2022 qe shfaqja e tij e fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Por “shfaqje” më vete ishte ajo e së martës. Ish-studentët e tij qenë përreth kryepersonazhit duke e nxjerrë jashtë sallës arkëmortin e Petrovcit në shenjë respekti e mirënjohjeje për mësimdhënësin e aktorin, rolet e të cilit do të ngelin përherë në trashëgiminë e institucionit më të lartë teatror në vend.