Shtojca për Kulturë

Enver Petrovci: I did it my way

Enver Petrovci

Nëse mendoni që për asgjë që ka thënë e që ka bërë, s’është penduar, atëherë kurrë s’e keni kuptuar. Por gjithçka që ka bërë e ka bërë sipas mënyrës së tij, sipas stilit të tij: “I did it my way”. Dhe qëllimi final, ai caku i udhës së tij, ka qenë i mirë.

Aktori unik, ligjëruesi model, themeluesi i institucioneve në kohën e deinstitucionalizimit të Kosovës, Enver Petrovci, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në histori. Ai e jetoi jetën sipas mënyrës së vet dhe hapi shtigje për gjeneratat që vijnë pas tij

Fjala metodë (gr. méthodos) ka kuptimin e ndjekjes së një udhe për të arritur një cak, apo një rezultat. Metoda mund të përkthehet si mënyrë. Enver Petrovci kishte mënyrën e vet në ndërtimin e karaktereve, në mësimdhënie dhe në jetën e përditshme. Ai gjithçka e bënte sipas mënyrës së vet, prandaj jo rastësisht kënga e tij e preferuar ishte “My way”, ku thuhet: “U përballa me krejt, qëndrova drejt, dhe këtë e bëra në mënyrën time”.  

Natyrisht, kjo nuk është e lehtë, por njerëzve të mëdhenj u pëlqen ta sfidojnë veten. Për Enver Petrovcin s’mund të thoshe që ishte i keq, ose i mirë. Ai ishte përtej të mirës dhe të keqes. Ai kishte një metodë të veten dhe si i tillë i tejkalonte skemat e ngurta. Vetëm kur flitej për të si aktor, atëherë s’kishe si të mos e pranoje që s’ka më të mirë. Mjeshtëria dhe metoda e tij e aktrimit kishin një sekret, rezultatin e të cilit kushdo e shihte, por formulën e të cilit vetëm ai e dinte.

Aktori

Petrovci do të mbahet mend si aktor eklipsues, një veçori kjo e aktorëve të mëdhenj. Natyra e tij ishte suportuese, por prania e tij ishte eklipsuese. Për të folur për këtë, do të duheshin shumë orë e shumë fletë, por ajo që duhet thënë është fakti se arti dhe energjia e tij kishin diçka që e fokusonte vëmendjen e publikut tek ai. Si aktor teatri, ai ka magjepsur publikun ngado që ka shkuar. Si aktor filmi, loja e tij është superiore në raport me filmat ku ka luajtur. Në filmat që, për arsye financiare, nuk arrinin të realizoheshin si duhet, ai, sidoqoftë, jepte diçka për t’u mbajtur mend. Por, meqë kinematografia jugosllave, shqiptare e kosovare, patën kufizimet e tyre herë nga censura, herë nga financat, kontributi më i madh i Petrovcit mbetet në teatër, ku ai, përveç si aktor, kontribuoi edhe si dramaturg dhe regjisor.

Si aktor me dhunti, ai ishte edhe demonstrues i ajkës së teorive mbi aktrimin dhe, rrjedhimisht, artist me ndikim të madh tek studentët e tij me të cilët, gradualisht, e transformoi teatrin, duke zhdukur mbetjet e aktrimit patetik të shkollës së vjetër dhe aktrimin diletant që kishte zënë vend për shkak të mungesës së institucioneve.

Patrioti  

Enver Petrovci kreu studimet për aktrim në Universitetin e Beogradit. Atje u bë yll, por kjo s’i mjaftoi. Erdhi në Prishtinë, bashkëthemeloi teatrin Dodona, pastaj edhe Degën e Artit Dramatik, në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu, themeloi një shkollë private, që mandej e ktheu në Akademi të Arteve. Pastaj themeloi edhe Teatrin e Babës, dhe vazhdoi kontributin në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ky është patriotizmi intelektual që ka shfaqur për dekada Enver Petrovci, por meqë këtu ende nuk njihet ky lloj patriotizmi, as ai kushtetues, por vetëm ai militant, deri sot, përveç ndonjë nderimi modest, nuk ka pasur përpjekje që kjo figurë e madhe nacionale të nderohet në mënyrë të denjë institucionale. Nderimi i tij është detyrë e jona, pasi, deri sot, zor të gjejmë një profesor dhe artist tjetër që të ketë kontribuar kaq shumë në institucionalizimin e edukimit profesional në kohën kur vendi ynë po përjetonte deinstitucionalizimin nga një regjim kriminal.

Vullneti i Petrovcit për t’u kthyer në Kosovë si aktor, ligjërues dhe themelues i teatrit, tregon se ai ishte një lloj orakulli, si orakulli i tempullit Dodona, që parashihte se një ditë jo të largët ky vend do të bëhej i lirë. Kur liria nuk erdhi ashtu siç e dëshiroi dhe siç e dëshiruam të gjithë, por me shumë krime e korrupsion, ai ndonjëherë edhe shfreu mllefin e tij, pas të cilit u përpoqën t’ia heqin të gjitha meritat, duke harruar që themeluesi i Teatrit të Babës, është Baba i Teatrit kosovar, dhe, si i tillë, i lidhur përjetësisht me këtë shtet e me këtë kulturë.

Enver Petrovci ka qenë aktor dhe provokator i madh. Shpesh ka qenë e pamundur ta kuptoje kur e kishte seriozisht, e kur tallej. Nëse nuk e njihje, mund ta sulmoje. Nëse e njihje, shkoje dhe e përqafoje. Pra, ai nuk ishte person që thjesht mund ta respektoje. Jo. Ai ishte person që të bënte ta doje. Edhe në çështje të besimit (fetar e politik), ai vepronte ashtu si e ndjente, dhe kjo s’kishte lidhje me dogmat dhe ideologjitë.

Enver Petrovci ishte provokues dhe i sinqertë. Se si arrinte t’i bënte këto të dyja bashkë, vetëm ai e dinte.  

Mësuesi

Unë, zyrtarisht, nuk e kam pasur mësues (profesor) Enver Petrovcin, mjerisht. Sepse unë studioja dramaturgjinë, ndërsa ai ligjëronte në departamentin e aktrimit. Por, meqë dramaturgët, regjisorët dhe aktorët bashkëpunojnë, kisha fatin ta takoja dhe të rrija me të. Kështu, një ditë, para më shumë se dy dekadash, guxova t’ia jepja tekstin tim të parë që kisha shkruar, “Koleksionisti i syve” , për të cilin, kur e takova pas pak ditësh, më tha se e kishte lexuar dhe i kishte pëlqyer, dhe se atë rol do të donte ta realizonte në skenë. (Vite më vonë ajo monodramë u realizua në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku rolin e luajti një nga studentët më të mirë e më të dashur të tij, Agron Shala, ndërsa vetë ai ishte në rendin e parë në premierën e shfaqjes).

Përveç përkrahjes që kam marrë prej profesor Petrovcit si një shkrimtar i ri, e konsideroj fat edhe mundësinë që kam pasur për ta ndjekur punën e tij me studentë, për ta parë nga afër se si ndërtohet karakteri, si përjetohet ose paraqitet roli, sa të rëndësishme janë gjestet, mimika, diksioni, dhe sa e pamundshme është t’ia vjedhësh magjinë mësuesit, edhe sikur të arrish t’ia përvetësosh mjeshtërinë.

Enver Petrovci, përveç mësimeve, studentëve u jepte edhe modelin e vet. Të gjithë donin të mësonin prej tij, të gjithë donin të bëheshin si ai. Ky është kulmi i mësimdhënies.

Petrovci ishte Proteu i skenës dhe Promoteu i katedrës. Aftësia e tij transformuese të linte gojëhapur, ndërsa aftësia e tij edukuese të bënte mendjehapur dhe t’i hapte dyert e një karriere të suksesshme. Ai ua dha zjarrin studentëve të tij për ta “kallë” skenën ngado që të shkojnë. Duke jetuar në një kohë të vështirë për artin (dekadën para luftës, dhe dekadat pas luftës) në Kosovë, ai e solli zjarrin iluminues dhe hapi hullitë për një art të nivelit botëror. Për arsye rrethanash të njohura, ai nuk pati fatin të qarkullojë nëpër botë, por jam i sigurt se mjeshtëria të cilën ua mësoi studentëve të vet, do të nderohet e shpërblehet nëpër vende dhe gjenerata të ndryshme.

Sigurisht, pas tij do të ketë edhe shumë mjeshtra, mirëpo ai gjithmonë do të kujtohet si mësuesi i mjeshtrave.

Mënyra e tij

Enver Petrovci ishte aktor, dramaturg, regjisor, profesor dhe këngëtar. Kënga e tij e preferuar ishte “My way” e Frank Sinatrës (fillimisht e shkruar në frëngjisht nga Claude François dhe Jacques Revaux si “Comme d’habitude”, pastaj përshtatur në anglisht nga Paul Anka), të cilën e këndonte herë pas here. Si këngëtar, ai hyn te kategoria e këngëtarëve teatralë, një kategori e njohur në botën teatrale franceze (cabaret, burlesque, comédie musicale). Petrovci e dinte se të jesh aktor domethënë të kesh aftësi transformuese, performuese dhe interpretuese. Prandaj, ai i provoi të gjitha llojet e “shtirjeve”.

Meqë artisti është një shtiracak, është e vështirë ta kuptojmë kufirin mes shtirjes dhe sinqeritetit. Aq më pak e kuptojmë kur kujtojmë se çfarë thotë Fernando Pessoan për poetin (artistin): “Poeti është një shtiracak/ që e luan mirë rolin e vet;/ ai shtiret se i dhemb/ edhe kur i dhemb vërtet”. Ka mundësi që i kemi marrë për të vërteta shtirjet e Petrovcit, apo ndoshta që dhimbjet e tij të vërteta i kemi marrë për shtirje. Tek artistët e atij rangu shumë akte e ndjenja mbesin mister.

Enver Petrovci ishte aktori që krijoi dhe përfaqësoi një ‘zeitgeist’ (frymë të kohës). Fryma e tij ka sjellë dritë në skenën kosovare, e ka iluminuar artin skenik. A thua ka bërë ndonjëherë gabime për të cilat është penduar më vonë? Kënga e tij thotë: “Regrets, I've had a few/ But then again, too few to mention” (“Pendime, i pata disa/ po janë shumë pak për t’i përmendur”).

Nëse mendoni që për asgjë që ka thënë e që ka bërë, s’është penduar, atëherë kurrë s’e keni kuptuar. Por gjithçka që ka bërë e ka bërë sipas mënyrës së tij, sipas stilit të tij: “I did it my way”. Dhe qëllimi final, ai caku i udhës së tij, ka qenë i mirë.

Ndryshe nga Aleksandër Moisiu që, përkundër dëshirës së flaktë, nuk arriti të kthehet në Shqipëri dhe e mbylli jetën duke luajtur në skena të huaja, ndryshe nga Bekim Fehmiu që vinte e sillej nëpër Prishtinë e askush s’kujtohej ta angazhonte, derisa i dha fund jetës me vetëvrasje, Enver Petrovci çau me gjoks përpara, s’pyeti askënd, hapi teatro, departamente e shkolla, na shau ngapak, edhe pse e meritonim më shumë, dhe dha frymën e fundit këtu ku në kohën më të vështirë krijoi një frymë kulturore, për çfarë duhet t’i jemi mirënjohës përgjithmonë. Pas ikjes së tij, nuk mjafton të flasim për të si person, sepse Enver Petrovci mbetet institucion. Prandaj, duke pasur parasysh kontributin e tij, kur flasim për atdhetari, ai duhet të radhitet në mesin e më të mëdhenjve. Për mua, patriotizmi intelektual është shumë më i rëndësishëm sesa patriotizmi militant, apo ushtarak.  

Ky vend ishte i vogël për një vigan si Enver Petrovci.