Jeta e tij qe e lidhur me teatrin dhe filmin. Jetonte për të, e ua mësoi shumë e shumë gjeneratave magjinë e aktrimit. U dallua jo vetëm në Kosovë, por bëri emër edhe në hapësirat e Jugosllavisë së dikurshme. Në ditëvdekjen e tij, Enver Petrovci u quajt ikonë e aktrimit dhe si pedagog i tillë, mohikani i fundit në plejadën e atyre që kanë dalë nga këto anë
Me të marrë vesh se sëmundja ishte prej atyre të rëndave, Enver Petrovci ia kishte mësyrë të punonte. Kësaj radhe jo për të shkruar dramë, për të bërë regji e as për të portretizuar ndonjë personazh. Por për të lënë amanete. Amanetet ua linte me shkrim familjarëve e miqve të tij. Por pas pak muajsh kur gjendja i ishte përmirësuar, do t’i largonte emrat duke i lënë që personazhet e tij reale të gjenin veten në “Amanetet e zëmrës”, siç edhe mban titullin libri i Petrovcit.
Këtë histori të “shfaqjes” së fundit e rrëfente me plot gaz në emisionin “Pikë me Veton Surroin” në majin e sivjetmë. Edhe në këtë emision në bisedë e sipër la disa amanete. Vdekjen ka kohë që e ka përmendur. Ka folur për të nga perspektiva të ndryshme. E, të hënën kur është dhënë lajmi për vdekjen e Petrovcit, amanetet e tij kanë ngelur si projekti i fundit artistik i tij. Enver Petrovci ishte 71 vjeç. Lajmi u bë i ditur nga familja. Vdekja e një prej emrave më të njohur të Kosovës në artet skenike është parë si humbje e madhe. Aso e një ikone të filmit e teatrit. Të qenit jo rrallë kontrovers e bënte atë edhe një “showman”.
Karriera e bujshme në film e teatër
I lindur në Prishtinë më 28 shkurt 1954, Petrovci po në këtë qytet përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin. Prishtinës nuk iu nda as kur nisin mësimet për aktrim duke ndjekur Shkollën e Lartë Pedagogjike. U zhvendos në Beograd ku përfundoi Fakultetin e Arteve Dramatike më 1978. Sipas Fjalorit Enciklopedik të Kosovës me shfaqjet “Mblesëria” dhe “Martesa” të Anton Chekhov mori pjesë në të gjitha festivalet e ish-Jugosllavisë, si dhe në disa festivale ndërkombëtare. Po, sipas Fjalorit, zë i shkruar nga Besim Rexhaj, pas diplomimit Petrovci u angazhua në Teatrin Jugosllav të Dramës kurse në “Atelje 212” luajti rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosançiqit”.
“Pas kësaj shfaqjeje, në vitet ’80 u angazhua kryesisht në rolet kryesore teatrore. Me thellimin e krizës në ish-Jugosllavi, u largua nga Beogradi dhe në Prishtinë luajti shfaqjet ‘Konfiteori’, ‘Procesi’ dhe ‘Nastasja Filipovna’”, shkruhet aty. Teatrot e Dubrovnikut, Suboticës e Novi Sadit qenë po ashtu nikoqire të roleve të tij. Në fillim të viteve ’90, Petrovci do t’i kthehej Prishtinës si qytetar i saj. U zgjodh ligjërues i aktrimit dhe i diksionit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
“Në vitet 1990–1993 ishte themelues dhe drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë. Pas largimit nga puna në teatrin ‘Dodona’, në vitin 1994 themeloi shkollën e parë private të aktrimit ‘Actor’s Studio’ në Prishtinë”, shkruhet në Enciklopedi. Petrovci pas luftës së fundit në Kosovë themeloi edhe shtëpinë teatrore “Teatri i Babës” që nuk pati funksion të gjatë. Qe personazh i shumë filmave, e shfaqjeve teatrore. Shfaqjet si “Kush më ka faj që jam shqiptar” dhe “Të mallkuarit”, në të cilat ai është autor, regjisor dhe aktor, ishin shfaqjet e para që u realizuan në teatrin “Dodona” dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës menjëherë pas luftës në Kosovë.
Sa i përket kinematografisë së Kosovës, në vitet ’80 do të njihej për rolet e tij në filma si “Kur pranvera vonohet”, “Dhimbja krenare” dhe “Rojat e mjegullës”. Por në atë dekadë, qe goxha emër i kinematografisë jugosllave. “Hajde da se volimo 2”, “Obična priča”, “Šargarepo ti ne rasteš lepo”, “Manifesto”, “Ortaci”, “Dečji bič”, “Uvek spremne žene”, “Život u grobljanskoj”, “Jugovizija”, “Dvostruki udar”, janë disa prej filmave të asaj kohe ku Petrovci ka luajtur. Ka luajtur edhe në filma shqiptarë pas luftës së fundit.
Petrovci gjatë jetës së tij është shpërblyer me shumë çmime si Çmimi i parë në festivalin mbarëkombëtar “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, aktori më i mirë në Festivalin e Filmit Kosovar më 2003 dhe 2004 dhe 2007 dhe aktori më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë më 2010. Kurse në vitin 2021 ishte laureat i Çmimit për veprimtari jetësore në fushën e teatrit, çmim ky që ndahet nga Ministria e Kulturës.
Personalitet emblematik si aktor e pedagog
Dramaturgu e profesori universitar, Besim Rexhaj vdekjen e Petrovcit e ka përshkruar si një humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për skenën teatrore, filmike e mbarë skenën artistike shqiptare.
“Ai ishte gjithherë njeriu me frymën e hapur me vizion të veçantë artistik si artist e si pedagog. Ai dhe karakteristikat e tij si personalitet krijues janë origjinale dhe të papërsëritshme. Zëri i tij ishte i veçantë. Ai zë aq i bukur e i fuqishëm ishte i tillë edhe gjatë ligjërimeve për studentët e tij në Fakultet”, ka thënë Rexhaj.
E ka përshkruar Petrovcin si personalitet emblematik. Dhe si ikonë të filmit, teatrit dhe të Fakultetit të Arteve.
“Si pedagog në ditët e vështira tonat si komb është shquar për energjinë e tij pozitive e një frymë që e ka karakterizuar atë. Është ikonë e filmit shqiptar, ikonë e teatrit shqiptar, ikonë e aktrimit si pedagog në Fakultetin e Arteve. Por ai ka lënë gjurmë dhe unë mendoj se gjurmët e tij dhëmbi i kohës nuk do t’i shlyejë”, ka thënë Rexhaj.
Aktori Kushtrim Sheremeti i cili është drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka thënë se Petrovci ka qenë mësues i vërtetë, i cili nuk është ndalur së mësuari secilin student deri në ditët e fundit të jetës së tij.
“Ka qenë motivues i studentëve për t’u marrë me këtë zanat. Është humbje shumë e madhe jo vetëm për studentët e tij por edhe për publikun e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e kudo që ka punuar profesori”, ka thënë ai. Sipas Sheremetit me lajmin për vdekjen e Petrovcit është dhënë edhe lajmi për humbjen e një prej emrave të mëdhenj të teatrit e filmit shqiptar.
“Ai nuk ka qenë vetëm profesor i zanatit por mësues i jetës. Pos mësimeve që i bënim si të rinj në kohë lufte ai na mësonte edhe si të qëndronim në kafe, si të komunikojmë me kolegët e me publikun. Edhe kur është prekur me studentë për ndonjë arsye ai prapë e ka tejkaluar si prindi që vepron me fëmijët”, ka kujtuar Sheremeti. E ka përshkruar Petrovcin si mohikanin e fundit.
“Është mohikani i fundit i këtyre trevave që ka ditur të jetë edhe mësues edhe të ketë aurën që të mbledhë njerëz rreth vetes. Ishte i dëshpëruar me zhvillimet në Kosovë qoftë edhe me teatër por njëkohësisht ka qenë i lumtur për çdo sukses”, ka thënë Sheremeti derisa Petrovcin e ka futur midis emrave si Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Istref Begolli e të tjerë. Petrovci shquhej për konceptet e tij artistike e për realizimin e roleve në teatër.
“Ai nuk ikte pas rolit; ai i jepte rolit një qenie që nuk e kishim parë kurrë më parë në trevat tona”, ka thënë skulptori e piktori Adem Rusinovci, ish-dekan i Fakultetit të Arteve.
Kurse dekani aktual i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri e ka kujtuar figurën e tij si një nga më të ndriturat që njeh kultura dhe arti shqiptar.
“Profesor Petrovci ishte një personalitet i jashtëzakonshëm që la gjurmë të pashlyeshme në teatrin, filmin dhe arsimin universitar. Me interpretimet e tij brilante dhe kontributin akademik të palodhur, ai u bë shembull frymëzimi për gjenerata të tëra studentësh dhe një gur themeli i Fakultetit tonë”, ka shkruar ai në uebfaqen e Fakultetit. Sipas Hazirit, në cilësinë e mësimdhënësit dhe krijuesit, Petrovci i dha kulturës kombëtare një pasuri të pakrahasueshme, duke e lartësuar emrin e Universitetit të Prishtinës dhe të mbarë skenës artistike.
“Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës e humbi një koleg dhe mësues të vyer, ndërsa shoqëria jonë një artist të madh. Kujtimi, vepra dhe mësimet e tij do të mbeten përherë pjesë e identitetit tonë kulturor e akademik”, ka shkruar Haziri.
Trashëgimia artistike e Petrovcit, pasuri e përbashkët
Udhëheqësit shtetërorë në Kosovë e Shqipëri kanë shprehur ngushëllime për familjen Petrovci e për komunitetin artistik, duke e vlerësuar Petrovcin si një artist me rol të veçantë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen Petrovci duke shkruar se Enver Petrovci mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë.
“Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës. U shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndiej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, shkruhet midis të tjerash në telegramin e ngushëllimit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në rrjete sociale se kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë Petrovcin. Sipas Kurtit, në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor virtuoz ndriçonte çdo bisedë.
“Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i teatrit ‘Dodona’ dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane”, ka shkruar Kurti. Sipas tij, Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi.
Në telegramin e ngushëllimit, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shkruar se Petrovci ishte më shumë se një emër i madh i skenës. Sipas tij, ai ishte zëri, fytyra dhe shpirti i shumë roleve që shënjuan teatrin, filmin dhe kujtesën kulturore të Kosovës.
“Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me artin dhe publikun. Përmes talentit të pashtershëm, ai i dhuroi gjeneratave të tëra emocione, reflektim dhe dashuri për kulturën”, ka shkruar Çeku. Sipas tij, Enver Petrovci ka lënë pas një trashëgimi që do të frymëzojë përherë.
“Në emër të Ministrisë së Kulturës, dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Petrovci, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin artistik. Kujtimi për të dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla përjetësisht”, ka shkruar Çeku.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po ashtu e ka kujtuar Petrovcin.
“Aktor i jashtëzakonshëm, njeri i dashur dhe keqardhje e madhe… Prehu në paqe Enver Petrovci”, ka shkruar ai.
Lajmi për vdekjen e tij, ka vërshuar edhe në mediat e rajonit. E kanë përshkruar si aktor të njohur që ka shënuar një kohë. Telegram ngushëllimi, familjes Petrovci i ka dërguar edhe aktorja Dara Gjokiq, regjisori Miroslav Lekiq dhe aktori Svetozar Cvetkoviq.
“E nderuara familje, mendimet dhe ndjenjat tona me rastin e ndarjes nga jeta të Enverit tuaj dhe tonit, kthehen te momentet e shkëlqyeshme që kemi pasur bashkë me të si gjatë studimeve ashtu edhe në punën profesionale në teatër e në film. I përkulemi talentit të tij mirësisë dhe sharmit që do të mbeten përherë në kujtimet tona”, shkruhet në telegram.
Sot e martë prej orës 13:30 deri në 15:30 do të mbahen homazhet në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kurse prej orës 15:30 do të mbahet mbledhja komemorative. Petrovci ka qenë i njohur për paparashikueshmërinë e tij. Në një kohë kishte deklaruar se do të zhvendosej në Tiranë. Kishte marrë pjesë në një spektakël televiziv të vallëzimit atje. Thoshte se ka provuar vetëvrasjen, vdekjen e komunikimin me Zotin. Sipas tij, vdekja ishte shkuarje drejt dritës. Në shfaqjen e fundit, “Muslimani” kishte trajtuar telashe sociale midis shqiptarësh. Pakënaqësinë ndaj institucioneve e kishte jo të vogël. Nganjëherë edhe lëvdonte. Por thuajse gjithherë ishte i buzëqeshur e plot jetë. Edhe kur fliste për sëmundjen e vdekjen. E shihte si pjesë të ndonjë skene a sheshxhirimi.